Maxhuni raportoi për herë të parë si shef i AKI-së, pa të reja rreth dëbimit të shtetasve turq

Aktuale

Maxhuni raportoi për herë të parë si shef i AKI-së, pa të reja rreth dëbimit të shtetasve turq

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 12:16
Shpend Maxhuni ka raportuar për herë të parë pas marrjes së këtij posti, para Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së.

(E plotësuar) - Drejtori i ri i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shpend Maxhuni ka raportuar për herë të parë pas marrjes së këtij posti, para Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së.

Pas takimit zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni, Ganimete Musliu tha se në këtë takim janë informuar për gjendjen e sigurisë në vend, e cila siç tha ajo është e qetë.

Sa i përket veriut, tha se problematikat e njëjta vazhdojnë, duke e sfiduar sigurinë dhe në përgjithësi gjendjen e shtetit tonë.

“Mund të konstatojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të ndihen të qetë dhe rehat, sepse gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe konsiderohet jo më e qeta në rajon, por krahasuar dhe me disa vende të BE-së, Kosova vazhdon të jetë vend më i qetë, sa i përket rrethanave të sigurisë në vend. Në Mitrovicë mbesin pothuajse rrethanat e njëjta. Duke pasur parasysh sepse problematikat në veriun e Mitrovicës vazhdojnë dhe më tutje ta sfidojnë ndoshta sigurinë, edhe në përgjithësi gjendjen e shtetit tonë, mirëpo, AKI dhe institucionet e sigurisë dhe policia në këtë rast, janë në nivelin e detyrës dhe po kryejnë punët e tyre të vazhdueshme”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur rreth raportimit të drejtorit të AKI-së para komisionit, lidhur me dëbimin e shtetasve turq, Musliu nuk komentoi rreth kësaj çështje.

“Nuk mund të  themi asgjë për opinionin e gjerë dhe publikun. Të gjithë epilogun përfundimtar do ta thotë  komisioni parlamentar i cili ka marrë aprovimin në seancës parlamentare për të hulumtuar këtë rast në detaje”, tha ajo.

Duke e komentuar emërimin e Maxhunit në krye të AKI-së, pasi që ai gjatë dëbimit të turqve nga Kosova ishte në krye të policisë, Musliu tha se emërimi i tij nuk është bërë jashtëligjshëm, pasi që në lidhje me rastin në fjalë, nuk është kërkuar shkarkimi i tij nga posti i të parit të policisë.

Musliu mendon se kjo ishte një zgjedhje kredibile, e cila ofron një përvojë dhe një angazhim që ai ka pasur në të kaluarën.

“Nuk e shoh ndonjë shkelje të ligjit ose ndonjë shkelje të ndonjë rregullore, pse ai është zgjedhur drejtor. Ne i kemi bërë pyetje direkt dhe me zgjedhjen e tij, qoftë për verifikimin ose për gjëra të tjera dhe thjeshtë kemi marrë përgjigjej shumë konkrete dhe shumë të nevojshme nga vet drejtori i AKI-së…Ka pasur spekulime dhe pikërisht këtu kemi këmbëngul si anëtar të komisionit, ta dimë se a e ka kry verifikimin z. Maxhuni. Por duke pasur parasysh që ai ka kohë të gjatë ose përvojë të gjatë në institucionet e sigurisë, u deklarua para komisionit, që ndoshta është mirë dhe për media dhe për qytetarët që ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë që ai 18 herë ka kaluar nëpër verifikime dhe të gjitha procedurat i ka kaluar me sukses, kështu që edhe neve na mbetet vetëm që të bashkëpunojmë në të ardhmen dhe të mos ndalemi në gjëra të cilat e pengojnë punën dhe zhvillimin e AKI-së”, tha ajo.

Musliu më tej pohoi se Maxhuni sa ishte në Policinë e Kosovës, ka kryer punën në mënyrën më të mirën të mundshme dhe se imazhi i policisë, nën udhëheqjen e tij ka qenë i mirë. Ndërsa tha se shpreson shumë që këtë imazh ta bartë dhe tek AKI-ja.

Ajo po ashtu tha se Komisioni ka kërkuar nga drejtori i AKI-së, që të kenë një bashkëpunim më të mirë në të ardhmen, pasi që nuk kanë qenë të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me këtë institucion.

Pritet raporti i hetimit parlamentar për deportimin e turqve

Komisioni hetimor parlamentar lidhur me deportimin e turqve pritet të dalë me një raport përfundimtar për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje.

Kështu tha Ganimete Musliu nga Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës.

“Sa i përket rastit të turqve është formuar një komision parlamentar në kuvend, nuk mund të them asgjë tjetër”, tha Musliu.

Drejtori i ri i AKI-së, Shpend Maxhuni raportoi sot para Komisionit Parlamentar në një mbledhje të mbyllur për media.

Sipas deputetes Musliu, brenda kësaj mbledhje është diskutuar edhe gjendja e sigurisë në vend, e në veçanti në veri.

“Ne jemi duke bo vizita edhe nëpër regjion, javën e kaluar  kemi qenë në Mitrovicë nga aty jemi informuar për gjendjen e përgjithshme qoftë për veri qoftë edhe jug. Në Mitrovicë janë ende rrethanat e njëjta. AKI dhe intitucionet e sigurisë janë në nivel të mirë dhe jemi duke monitoruar sigurinë. E kam folur edhe problemin në veri pa targa, unë kam thënë që çdo veturë që ec pa targa në cdo vend të Kosovës mund të ketë ndonjë kriminel brenda” tha Musliu.

E pyetur nga gazetarët, Musliu po ashtu theksoi se nuk ka probleme për faktin se drejtori i ri i AKI-së ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat