Thaçi: Hilmi Haradinaj ishte njeri me vlera dhe burrë i gjithë shqiptarisë

Aktuale

Thaçi: Hilmi Haradinaj ishte njeri me vlera dhe burrë i gjithë shqiptarisë

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 14:23
Homazhe për Hilmi Haradinaj

Sot në Deçan u mbajt mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të pranishëm në këtë tubim ishin shumë personalitete të njohura nga skena politike nga Kosova dhe rajoni, ndër ta edhe princi Leka II, kreu i PD-së, Lulëzim Basha, ai i BDI-së, Ali Ahmeti e të tjerë.

Me këtë rast presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndau dekoratën për 10- vjetorin e pavarësisë për të ndjerin Hilmi Haradinaj.

Ai tha se me vdekjen Hilmi Haradinajt ne mbetëm pa një luftëtar dhe veteran të jashtëzakonshëm të lirisë të Kosovës.

"Bacin Hilmi e njoha qysh në fillimet e para të UÇK-së, në vitin 1996. Më herët, përmes Kadri Veselit e kisha njohur Luanin. Ju humbët një bashkëshort, një baba dhe një gjysh të jashtëzakonshëm. Ne mbetëm pa një njeri me zemër të madhe. Ai nuk u dorëzua edhe përballë sfidave. Ai përballoi padrejtësitë e burgosjes së bijve të tij. Ishte njeri me vlera, burrë i Dukagjinit, i Kosovës dhe gjithë shqiptarisë", tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se me humbjen e të atit ndjejnë dhimbje të gjithë bashkëluftëtarët.

"Sot e kemi të vështirë familja, e kemi të vështirë bashkëluftëtarët. Ndarja nga baba ynë ka shumë porosi dhe shumë ndjenja. Por ajo që është me rëndësi është se njerëzit që besojnë në të drejtën e tyre krijojnë vlera të reja", u shpreh ai.

Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Hilmi Haradinajt, tha se asnjëherë nuk do të ndahet nga ai, porse do të përkushtohet që ta çojë në fund amanetin e tij.

“Sot vij për të ndarë respektin dhe dhimbjen e thellë me familjen Haradinaj. Por nuk vij të ndahem me Hilmi Haradinajn. Vij këtu me përgjegjësinë e madhe për ta çuar deri në fund amanetin e tij të qartë", u shpreh Basha.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Hilmi Haradinaj do të jetë gjithmonë në historinë e popullit shqiptar, si një njeri fjalëpak dhe shumë i madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat