Qeveria kundër nismës së LDK-së

Aktuale

Qeveria kundër nismës së LDK-së

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 07:29

(E plotësuar) - Koalicioni qeverisës ka kundërshtuar nismën ligjore të LDK-së për ndryshimet në tri ligje, të cilat kanë të bëjnë me reformën fiskale 2, të nisur nga ish-Qeveria Mustafa, por e mbetur në gjysmë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit.

Nisma e LDK-së ishte ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave dhe Ligji për tatimin në vlerën e shtuar.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se në vitin 2017 është miratuar pakoja e dytë fiskale, ku janë përgatitur 22 masa fiskale dhe në kuadër të këtyre masave përfshihen plotësimi dhe ndryshimi në kuadër të këtyre tri ligjeve bazike.

Hoti: Ndryshimet në tri ligjet e propozuara nga LDK

“Grupi parlamentar i LDK-së ka ndërmarrë këto tri nisma ligjore për të zbatuar masat 13 dhe 14 të pakos fiskale 2. Më konkretisht, në ligjin për të ardhurat korporatave është paraparë që tatimi i mbajtur në burim për grumbulluesit e produkteve bujqësore të hiqet, i cili ka qenë deri tash 3 për qind, dhe të rregullohet mënyra e tatimit të kompanive të sigurimit, të cilat deri tash kanë paguar 5 për qind të tatimit të hyrave bruto, ndërsa tash me këtë projektligj ato do të kalojnë në tatimin e rregullt sikur çdo kompani tjetër në Kosovë. Në ligjin për TVSH-në është paraparë që të njihet çështja e TVSH-së për kompanitë e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe te zbatimi i TVSH-së për tregti me ari brenda vendit, kështu që TVSH-ja të zbatohet vetëm në vlerën e shtuar të arit të përpunuar”, tha Hoti.

Ai shtoi se plotësim-ndryshimet në këto ligje vijnë pas rezultateve të dhëna reforma fiskale 1.

Hoti: Me pakon fiskale 1 përfituan shumë bizneset

“Me këtë ligj kanë përfituar bizneset dhe gjatë vitit 2016 vlerësohet se janë 47 milionë euro që kanë përfituar bizneset private në Kosovë. Bizneset e mëdha janë rritur në Kosovë si rezultat i kësaj pakoje me 12 për qind. Pra, numri i kompanive të mëdha është rritur nga 221 në 248 dhe gjithashtu punësimi është rritur me rreth 5 mijë persona në këto ndërmarrje. Edhe qytetarët kanë përfituar, të cilët kanë përfituar rreth 24 milionë euro nga ulja e TVSH-së nga 16 në 8 për qind për një numër të mallrave dhe shërbimeve”, tha Hoti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ish-qeveria tash po mundohet ta korrigjojë veten.

Kurti: Tatimi në burim për prodhimin vendas nuk mund të vendoset te secili subjekt

“Është ditur që tatimi në burim kur bëhet fjalë për prodhimin vendas nuk mund të vendoset te secili subjekt që kryen një pjesë të procesit, sepse në fund i ngarkohet çmimit. Edhe pse prodhimi i ka disa cikle derisa të dalë në treg, e ne e dimë që këto cikle i kryejnë personat fizikë apo kompani të caktuara, ama në fund mbetet i njëjta produkt, produkti nuk rritet rrugës. Si shembull praktik, perimet ose vezët nuk mund të shiten pa një ambalazh, një kuti kartoni, nëse tatojmë në burim edhe atë që prodhon, edhe atë që sjell plehun kimik, edhe ujitjen, edhe në fund atë që shet ambalazhe, perimet ose vezët ose do të shiten nën kosto pa fitim, ose do të kenë çmim tepër të lartë në krahasim me importin dhe nuk do të jenë konkurruese në treg”, tha Kurti.

Kjo iniciativë e LDK-së, hasi në kundërshtimin e Qeverisë dhe deputetëve të koalicionit qeverisës. Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se ministria që ai drejton i ka përgatitur draftet e këtyre ligjeve, dhe janë dërguar në shqyrtim në FMN dhe janë lëshuar në diskutim publik. Ai ka kërkuar që të priten ligjet e Qeverisë që janë të draftuara në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Hamza: Në politika fiskale Kosova ka politika të ngjashme me vendet e regjionit

“Kur jemi të politikat fiskale duhet të kemi në konsideratë edhe politikat fiskale të vendeve të regjionit. Politikat fiskale janë veç një segment, të cilët kontribuojnë në ambientin e të bërit biznes, të cilët kontribuojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, nuk janë element i parëndësishme. Nëse shikojmë normën e të ardhurave të korporatave del që të gjitha vendet e regjionit e kanë këtë normë, aktualisht në 9 dhe 10 për qind. Nëse ne e ngritim normën e tatimit në fitim dhe e shikojmë edhe disavantazhet që kemi si Kosovë dhe krijojmë edhe enjë ngarkesë shtesë atëherë nuk do të krijojmë ambient për tërheqjen e investimeve direkte. Përafërsisht, Kosova ka politika të ngjashme me vendet e regjionit, nuk do të thotë që e ka unike, por e ka të ngjashme”, tha ai.

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka kërkuar që të mos miratohen këto projektligje, duke thënë se janë mesazh jo i mirë për investitorët e huaj.

Hadërgjonaj: Nuk i përkrahim këto projektligje

“Grupi parlamentar i PDK-së e përkrah rekomandimin e Qeverisë që të mos miratohen këto projektligje, sepse miratimi i tyre është një mesazh jo i mirë për bizneset dhe investitorët. Nëse për çdo muaj shkojmë në plotësim-ndryshim të ligjeve, atëherë kjo do të jetë një ngarkesë përgjithësisht për sistemin tatimor për Administratën Tatimore dhe do të shkaktonte një pasiguri juridike tek investitorët e huaj dhe janë sfiduese për bizneset vendore”, u shpreh Hadërgjonaj.

Edhe shefi i Grupit parlamentar i AAK-së, Ahmet Isufi, e vlerësoi hap të ngutshëm këtë veprim të LDK-së, duke u shprehur kundër.

Isufi: Po dublifikohen punët

“Meqë këto tri projektligje janë në agjendën qeveritare, atëherë s’e di pse ka nevojë të ketë iniciativa të vilat e dublifikojnë punën tonë. Edhe ashtu kemi mjaft punë tjera në Kuvend, prandaj konsideroj se duhet pritur që t’i sjellë Qeveria në Kuvend, pastaj t’i bëjmë plotësim ndryshimin e këtyre ligjeve, të cilat do të mund pastaj edhe të zbatohen”, tha Isufi.

Pushtetit iu bashkua edhe partia opozitare, PSD. Shefi i deputetëve të kësaj partie, Dardan Sejdiu, tha se janë kundër pasi problemi nuk po trajtohet në thelb, por vetëm po bëjnë fizkulturë.

Sejdiu: Po bëjmë fizkultura, s’po i qasemi problemit në thelb

“Duke e pasur parasysh që Qeveria tashme këto tri ligje i ka dërguar në FMN për shqyrtim dhe duke pasur parasysh që ka ekzistuar një diskutim që të mos bëjmë këso lloj diskutimesh, PSD do të votojë kundër, duke u nisur vetëm prej premisës së thjesht se po bëjmë fizkultura të vogla në sistemin tatimor pa e trajtuar problemin në thelb. Problemi në thelb nuk është sistemi fiskal, e as ligjet, por këto që po i shkruani apo mundoheni t’i shkruani. Problemi në thelb është sistemi të cilin e kemi vendosur në këtë vend tash e 18 vite”, tha Sejdiu.

Edhe Nisma Socialdemokrate nuk ka mbështetur plotësim-ndryshimin e këtyre tri ligjeve.

Pas një pauze, Kuvendi i Kosovës pritet që nga ora 14:30 t’i vazhdojë punimet. Në rend të ditës janë pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara të Kuvendit.

Opozita akuzon ministren e Integrimeve për ngecje në zbatimin e MSA-së

Kosova ka mungesë të progresit në zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së. Kështu kanë vlerësuar deputetët e partive opozitare, në interpelancën e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, pikërisht në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për tremujorin e fundit 2017 dhe tremujorin e parë të vitit 2018.

Megjithatë, ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, e ka quajtur progres të dukshëm zbatimin e planit kombëtar për zbatimin e MSA-së në tre mujorin e parë të vitit 2018.

Mirëpo, kërkuesi i kësaj interpelance, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në bazë të analizave të tyre shihet se Kosova nuk ka shënuar progres në këtë drejtim. 

Hoti: S’ka progres për zbatimin e MSA-së

“Analiza jonë lidhur me masat e parapara në Planin kombëtar për zbatimin MSA-së, tregon mungesë të progresit. Duhet ditur që këto masa janë të detyrueshme për secilin institucion shtetëror të Kosovës, por zbatimi i MSA-së, ashtu si shumë çështje të tjera që lidhen me mirëqenien e qytetarit, kanë rënë në hijen e interesave të tjera të këtij koalicioni dhe nën hijen e skandaleve të përditshme”, tha Hoti.

Ndërsa, ministrja Hoxha, duke folur për zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) për tremujorin e fundit 2017 dhe tremujorin e parë të vitit 2018, dhe me këtë rast theksoi se Procesi i integrimit Evropian është karakterizuar me një dinamikë progresive viteve të fundit.

Hoxha: Zbatuam 53 për qind planin e zbatimit të MSA-së

“Për këtë vit ky program ka paraparë zbatimin e 531 masave afatshkurtra, prej të cilave 144 apo rreth 27 për qind të tyre janë masa legjislative, ndërsa pjesa tjetër prej 387 masave apo rreth 73 për qind e tyte janë masa zbatuese. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 është arritur një shkallë e përgjithshme e zbatimit të Programit prej 53.85 për qind, pasi që 21 nga 39 masat e planifikuara për këtë tremujor janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 18 masave, ose 46.15 për qind, akoma nuk kanë arritur të zbatohen. Përveç këtyre, 23 masa janë zbatuar para afateve të planifikuara. Kjo i bie se deri në fund të tremujorit të parë janë zbatuar gjithsej 44 masa, të cilat përbëjnë 8.29% të të gjitha 531 masave të planifikuara”, tha Hoxha.

Sa i përket gjendjes deri në fund të marsit drejt zbatimit të reformave legjislative, të gjeturat tregojnë se kanë arritur një shkallë zbatimi prej 13.89 për qind, pasi që janë zbatuar 20 nga 144 masat afatshkurtra legjislative të planifikuara për tërë vitin. Ndërsa 124 prej tyre, 86.11 për qind, sipas ministres Hoxha akoma nuk kanë arritur të zbatohen.

Ndërsa, sa i përket vitit 2017, ministrja Hoxha tha se është arritur një nivel i zbatimit të Programit prej 62.05 për qind pasi që janë zbatuar plotësisht 600 nga 967 masa të planifikuara.

Deputeti Ilir Deda në emër të grupit parlamentar të LDK-së, u shpreh se kur e shikojnë vlerësimin e zbatimit të kontratës së Kosovës me BE për MSA-në e shohin edhe gjendjen e vendit dhe aftësinë e Kosovës që të përmbush kontratë të cilën e ka marrë.

Deda: Kosova nuk do të kaloj në provim as në vjeshtë

“Në qoftë se do të notohej, Kosova nëse do t’i jepej një notë për aftësinë e saj për zbatim të MSA-së Kosova do të ngelte dhe nuk do ta kalonte asnjë provim e me raportin sidomos me raportin e tremujorit të parë të vitit 2018, tregon që Kosova nuk po përgatitet as për vjeshtë që të kalojë as në provimin e vjeshtës. Edhe kjo është realiteti apo duhet të jetë një pasqyrë e thyer për çdonjërin nga ne në këtë Kuvend, për këtë Qeveri e cila diskuton apo kërkon që Kosova të ecë më shpejtë drejt integrimit të BE-së e në fund kur e shohim rezultatet në zbatim të kontratës ajo del zero. Zbatimi i MSA-së e forcon demokracinë në Kosovë, i forcon institucionet, i bën më të pavarura e forcon sundimin e ligjit edhe e forcon ekonominë, prodhimtarinë e Kosovës dhe e bën atë të gatshme për integrim në tregun e përbashkët në Bashkimin Evropian”, u shpreh Deda.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, tha se asnjëherë nuk është detyruar përmbushja e synimeve të cilat kërkojnë reforma të thella dhe substanicale. Sipas saj, një qeveri me zyrtarë të korruptuar dhe aktakuza të ngritura nuk mund të bëjë reforma të nevojshme për të vendosur vendin në binarët e duhur.

Pacolli: Ka ngecje të zbatimit të MSA-së

“Nëse i marrim rezultatet dhe i shohim për vitin 2018 janë planifikuar 531 masa, mirëpo deri me tani janë realizuar vetëm 78 për qind të tyre, dhe ministrja sapo tha se kjo është sukses dhe ka përmirësim të dukshëm. Mirëpo, nga vetëm39 masa të planifikuara për këtë 3 mujor, janë realizuar vetëm 31, pra ka mbetur mbrapa me 18 masa. Kjo nuk mund të quhet përmirësim, kjo është ngecje, sepse 18 masa nuk janë realizuar të cilat janë paraparë të realizohen për këtë tremujor”, tha Pacolli.

Ndërkohë, Shqipe Pantina, deputete e PSD-së, u shpreh se krerët e institucioneve nuk hezitojnë të nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare, por problemi mbetet te zbatimi i tyre.

Pantina: Problemi qëndron te zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

“Kur lexojmë marrëveshje të tilla, përfshirë këtu edhe kontratën me MSA-në, përshtypja krijohet se ato nuk janë hartuar nga zyrtarët tanë. MSA është një dokument që kërkon që të hartohet bashkë me BE-në, por pjesëmarrja e zyrtarëve tanë në negocim dhe në hartim është tejet i ultë. Ndikimi i tyre në fakt është tejet i ultë, ndryshe mendoj se po ta merrnin fillimisht vetë hartimin e këtij dokumenti edhe zbatimi i tyre do të bëhej më i lehtë, sepse do t’i kishin parasysh e para kapacitetet tona që i kemi sidomos ato njerëzor për zbatimin e tyre. Por, e dyta do ta kishin ndërmend edhe se sa ekziston një vullnet real sidomos për kryerjen e këtyre reformave e këtu gjithmonë ne kemi problem e në këtë rast problemi kryesor për ngecje në zbatimin e MSA-së kanë të bëjnë me vullnetin dhe angazhimin e njerëzve”, tha Pantina.

Por, përkrahje në këtë rrugë, Qeverisë, i dhanë deputetët e koalicionit qeverisës. Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, vlerësoi se Qeveria me Zyrën e BE-së në Kosovë ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në konsolidimin e planifikimit dhe zbatimit të politikave nacionale për zbatimin e MSA-së.

Reçica:  Mbështesim këtë projekt madhor për Kosovën, kemi edhe vërejtje

“Ne si GP përkrahim arritjet e konsiderueshme në këtë projekt madhor për Kosovën, pa diskutim që kemi vërejtjet tona dhe nuk jemi të kënaqur me dinamikën dhe angazhimin çfarë është i përcaktuar, megjithatë bëjmë thirrje që objektivat qendrore të programit t’i vihen masa, veprime që do të sjellin reforma konkrete”, tha Reçica.

Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se duhet ta inkurajojnë ministren, por edhe të tjerët që të vazhdojnë punën në rrugën evropiane.

Isufi: Angazhimi duhet të jetë permanent

“Ne dëgjuam ministren që për tre muajt e fundit ka përmirësimet që kanë ndodhur dhe normalisht që duhet t’i inkurajojmë, por jo vetëm ministren. Vërtet, vërejtjet që u dhanë këtu që angazhimet duhet të jenë permanente në mënyrë që të arriturat të kenë evidente dhe të dalin me rezultate sa me të mira në mënyrë që obligimet që kemi për zbatimin e MSA-së të arrihet në nivelin e duhur nëse duam të kemi integrime të avancuara”, u shpreh ai.

Shefi i Grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, theksoi se MSA-ja është një lloj rrugëtimi përmes të cilit vendosin se sa zgjat ky rrugëtim i Kosovës për në BE.

Sherifi: S’kemi alternativë pos të punojmë shumë për integrimet evropiane

“Mendoj që marrëveshja e MSA-së është marrëveshje që ka punuar edhe qeveria e kaluar, është një proces që jemi duke punuar edhe ne si mazhorancë, si opozitë, vlen të theksohet edhe deputetët e opozitës sidomos në komisione janë shumë konstruktiv në debatimin dhe kalimin e projektligjeve, të cilat lidhen edhe me MSA-në dhe liberalizim të vizave dhe në përgjithësi në procesin e integrimit e Kosovës drejt BE-së. Kjo është ajo që të gjithë jemi njëzëri, nuk kemi alternativë tjetër ajo që na duhet të bëjmë tani të punojmë më shumë, me një dinamikë të shtuar dhe rrugën drejt integrimeve evropiane ta shkurtojmë, sepse kjo është vetëm në dorën tonë dhe askujt tjetër”, tha ai.

Deputetët janë ende duke diskutuar rreth zbatimit të planit kombëtar për zbatimin e MSA-së. Ndërsa, në fund pritet që të shqyrtohet dhe të miratohet mocioni i propozuar nga iniciuesi i Interpelancës.

Mocioni i paraqitur nga kërkuesi i interpelancës për miratim pas përfundimit të debatit:

Në afat prej dy javëve Qeveria të sjell në Kuvend Programin e rishikuar për zbatimin e MSA-së për vitin 2018, i cili plan merr parasysh vonesat e deritanishme.

Komisioni për MSA dhe ai për Integrime Evropiane të shqyrtojnë në afat prej dy javëve këtë Program me zyrtarë përkatës të qeverisë dhe t’i paraqesin raport me shkrim Kuvendit, duke identifikuar masat prioritare dhe institucionet përgjegjëse!

Pas çdo tremujori, komisioni parlamentar për MSA t’i paraqesë Kuvendit raport me shkrim lidhur me zbatimin e Programit kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe të gjitha komisionet parlamentare të obligohen të përcjellin punën e  dikastereve qeveritare dhe të institucioneve të tjera, të cilat ato i mbulojnë lidhur me detyrat e këtyre institucioneve për zbatimin e Programit kombëtarë për zbatim të MSA-së.

Kuvendi me një minutë heshtje për Hilmi Haradinajn

Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ka filluar me rreth gjysmë ore vonesë.

Me propozim të grupit parlamentar të AAK-së, Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje për Hilmi Haradinajn.

Haradinaj është babai i kryeministrit Ramush Haradinajt, deputetit Daut Haradinaj dhe i heronjve Shkëlzen dhe Luan Haradinaj.

Ai ndërroi jetë dy ditë më parë pas një sëmundje dhe u varros me nderime shtetërore, një ditë më parë, në Gllogjan, vendlindjen e tij.

***

Kuvendi i Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 6, 8 dhe 14 qershor.

Ndër to është e paraparë edhe interpelanca ndaj ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Vazhdon seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 6, 8 dhe 14 qershor.

Ndër to është e paraparë edhe interpelanca ndaj ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Rendi i ditës:

1. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.

2. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës,

3. Votimi i rekomandimeve nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione,

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 14 qershor 2018:

3. Interpelancë me ministren e Integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për aktet juridike,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-028 për tatimin në të ardhurat personale,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-029 për tatimin në të ardhurat e korporatave,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-037 për tatimin në vlerën e shtuar,

8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale,

9. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017,

10. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017,

11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2017,

12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2017,

13. Propozimi për formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës,

14. Propozimi për formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018,

15. Debat parlamentar në lidhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat