Deputetët më shumë vërejtje për raportin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale

Aktuale

Deputetët më shumë vërejtje për raportin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 19:56
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar Raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raport i cili është kritikuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tyre raporti ka shumë pasaktësi.

Deputetët kanë kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Mjedisit që t’i jap kompetencat e plota këtij Agjencioni, që më pastaj të kenë mundësi që të kërkojnë përgjegjësi më të madhe sa i përket gjendjes së memorialëve.

Po ashtu, deputetët kanë kërkuar që investimet kapitale të shtihen në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo vetëm në disa qytete, ndërkohë që është kërkuar që një përmendore e Adem Jasharit të vendoset në kryeqytet.

Për Raportin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka thënë se paraqitja e investimeve kapitale në këtë raport është krejtësisht i pakuptueshëm.

Gaxherri: Asnjë projekt memorial në Pejë, Gjilan dhe Ferizaj

“Nëse kalojmë tek aktivitetet për periudhën raportuese pra për vitin 2017, unë po i lexoj janë diku afër 40 projekte dhe për çudi të gjitha këto projekte janë të ndara në Prekaz ritenderim, Podujevë, Vrellë, Vushtrri, dua ta keni parasysh ta përcjellim të gjithë, ndërsa do i shihni vendet që nuk kanë asnjë projekt. Vushtrri, Gjakovë, Prekaz Skenderaj, Marinë Skenderaj, Penuhë Podujevë, Vrellë - Istog, Drenas, Reçak Shtime, Koshare, Mejë Gjakovë, Likoshan - Drenas. Do të thotë në bazë të këtij raporti që për mua është krejtësisht i paqartë, ne shohim se në bazë të përshtypjes se për vitin 2017 edhe planifikimi për 2018 asnjë projekt për asnjë memorial në komunën e Pejës, Gjilanit dhe Ferizajt. Njëkohësisht nuk është bërë asnjë investim për kompleksin memorial të Presidentit Ibrahim Rugova”, tha ajo.

Po ashtu, ajo u shpreh se investimet në tërë Kosovën nuk janë pasqyruar mirë dhe qartë në raportin për vitin 2017.

Gaxherri u shpreh se Qeveria dhe Ministria e Ambientit duhet t’i bartë sa më shpejt të gjitha kompetencat Agjencisë në mënyrë që të jetë më e lehtë kërkimi i përgjegjësisë sa i përket memorialëve.

Kritika për raportin ka pasur edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila është shprehur se raporti që përmban 29 faqe, në 20 faqe flet për misionin, vizionin, asetet, organogramin, që sipas saj më së paku do të duhej të zinin vend në raportet e punës.

Musliu pati një propozim për drejtorin e tanishëm të Agjencisë për menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës.

Musliu: Të fokusohet në punë konkrete dhe në rezultate konkrete

 “I propozoj drejtorit të ri që në raportin tjetër për vitin 2018 mos të humb kohë me na njoftua përsëri për misionin, vizionin, organogramin, e gjëra të kota. Por, të fokusohet në punë konkrete dhe në rezultate konkrete, sepse gjendja e memorialëve në Republikën e Kosovës është në gjendje jo të mirë dhe thjeshtë e pakënaqshme. Ndërsa, sa i përket votimin apo jo të këtij raporti, e potencova edhe më herët as nuk ndryshon asgjë si e votuam, si nuk e votuam”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje. Shemsi Syla ka kërkuar që Kosova të ketë një Muze të luftës për të dëshmuar atë se çka ka përjetuar populli i Kosovës.

Syla: Të kemi një muze të luftës

“Pse sot nuk e kemi muzeun e luftës dhe pse nuk kemi askund uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, flamurin që ka bartur, stemën e uniformës, pra nuk i kemi askund të ekspozuara në institucionet e Kosovës. Edhe ato përmendore, shtatore, varreza që janë ngritur nga populli e pak nga institucionet nga moskujdesi janë degraduar në masë të përbuzjes. Ato duken sikur të jenë ngritur para një shekulli dhe sikur këto troje të ishin nën robëri dhe jo në liri. Nga aspekti i trajtimit institucional të pasluftës gjurmët e një pjese që kanë lënë të rënët në luftën e fundit në Kosovë me armë dhe eksponate tjera edhe pse ruhen në një sektor të themeluar në Muzeun e Kosovës në asnjë mënyrë nuk e plotësojnë as minimumin e asaj që do të duhet të ishte. Mungesa e një muzeu të luftës së UÇK-së që do të trajtonte këtë periudhë historike të krenarisë fatkeqësisht është një dëshmi e mospërfilljes dhe anashkalimi t institucional që i bëhet historisë më të lavdishme të popullit tonë”, tha ai.

Madje ai kritikoi të gjitha qeveritë që nga pas lufta që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ndërsa u shpreh skeptik se një gjë e tillë do të bëhet edhe në të ardhmen e afërt.

Kurse, deputeti Faton Topalli nga Partia Socialdemokrate, kritika ka pasur sa i përket shpërndarjes së investimeve, ku ai tha se është dashur që të investohet edhe në Ferizaj dhe në Pejë.

Topalli: Nuk ka pasur një trajtim dinjitoz të memorialëve në Kosovë

“Nuk ka pasur një trajtim dinjitoz të memorialëve në Kosovë duke e pas parasysh që është treguar një përkushtim shumë i vogël për vlerat tona historike, gjë që është detyrë e këtij agjencioni. Me planifikimin e tij, me veprimet që janë ndërmarrë dhe në përgjithësi me planin menaxhues është treguar se pikërisht se trajtimi ka qenë jo dinjitoz dhe nuk është mbështetje të vlerave dhe funksionit për të cilin është krijuar ky kompleks memorial. Ajo që bije në sy është pak shpërndarja e mjeteve të cilat janë vu në dispozicion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës duke përjashtuar këtu jo vetëm Ferizajn, po edhe Pejën e kështu me radhë. 

Mendoj se kjo nuk është e drejt, prandaj në të ardhmen sa i përket planifikimit të Agjencionit të ketë parasysh edhe këtë ndarje”, tha ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat