Sejdiu: Thaçi nuk ka mandat për të udhëhequr me dialogun

Aktuale

Sejdiu: Thaçi nuk ka mandat për të udhëhequr me dialogun

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 23:32
Korab Sejdiu

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka konfirmuar udhëtimin e tij për në Bruksel, ku do të takohet me të parin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi ka deklaruar se të dielën do të udhëtojë për në Bruksel me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për të vazhduar dialogun në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi pranuar ftesën si president i vendit nga zonja Mogherini për të vazhduar dialogun në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë për të shikuar mundësitë e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani por edhe për të shikuar arritjen përfundimtare të Kosovës me Serbinë. Kemi konfirmuar pjesmarrjen, ekipet tona do të takohen në ditët e ardhshme, takimi mes presidentëve do të ndodhë të dielën. Do të kemi kontakte të vazhdueshme me gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë që të kemi koordinim më të mirë”, ka thënë Thaçi.

Lidhur me këtë, media ka kontaktuar deputetin Korab Sejdiu i cili ka thënë se presidenti Hashim Thaçi mund të shkojë në Bruksel vetëm si turist.

“Këtë duhet ta kuptojë edhe BE si ndërmjetësuese e bisedimeve Kosovë-Serbi”, ka thënë Sejdiu.

Gjithashtu sipas tij, Thaçi nuk ka mandat të negociojë për Kosovën, sepse këtë mandat nuk e mori nga Kuvendi.

“Vetëm nëse Presidenti apo dikush tjetër e merr mandatin dhe platformën nga Kuvendi, mund të fillojë angazhimet rreth bisedimeve me Serbinë. Çdo veprim tjetër është i pavlefshëm dhe i papranueshëm”, ka përfunduar Sejdiu.

Ditë më parë kryeministri Ramush Haradinaj ka tërhequr nga Kuvendi i Kosovës projekt-platformën për bisedime me Serbinë. Arsyetimi i kryeministrit ishte se duhet të gjendet një konsensus i spektrit politik përkitazi me fazën finale të dialogut të Brukselit, ku pritet arritja e një marrëveshjeje juridikisht e obligueshme për të dy vendet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat