I jepet lamtumira e fundit luftëtarit të UÇK-së Hajdin Rama

Aktuale

I jepet lamtumira e fundit luftëtarit të UÇK-së Hajdin Rama

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 17:42
Pamje nga varrimi i Ramës

Me nderime të larta ushtarake sot është varrosur veterani i UÇK-së dhe ish i burgosuri politik, Hajdin Rama në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe personalitete të larta politike dhe drejtues të institucioneve të shtetit të Kosovës, të cilët vlerësuan lart kontributin dhe sakrificën e Hajdin Ramës për liri dhe pavarësi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se bacën Dinë e ka njohur në vitet e 90-ta i cili ka qenë i vendosur për të realizuar qëllimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Veseli: Hajdini, një luftëtar i veçantë

“Sot ne do ndahemi nga një ndër bashkëluftëtarët e veçantë, në fakt si bashkëluftëtar ndarjet e tilla janë të rënda për vet faktin se ndahemi nga njerëzit që kanë dhënë shumë për lirinë dhe në të njëjtën kohë e kanë dashur shumë tokën e vet. Baca e Dinë, sot do t’i bashkëngjitet edhe komandant Plakut, Xheladinit, edhe bacës Nesë. Po i përmendi edhe këta dy bashkëluftëtarë, të cilët kanë qenë po aq si baca Dinë, kanë vepruar bashkërisht në të njëjtën kohë kanë pasur kontributin për liri dhe shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, ka thënë Veseli.

Ish-bashkëluftëtari i Hajdin Ramës, deputeti Nait Hasani tha se Hajdin Rama i dha zemër dhe fuqi luftës së UCK-së, i cili ishte njeri i fjalës dhe besës që ishte rritur me vuajtje, të cilat kurrsesi si duronte. Sipas tij, Rama mezi priste t’i bashkohet luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hasani: Shtëpia e Ramës, bazë e fortë e UÇK-së

“Shtëpia e tij ishte bazë e fortë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ku merrnim vendim, vepronim në koordinim të UÇK-së dhe luftës sonë për liri. Daja Dinë në burg gëzonte respekt të madh dhe të veçantë nga të gjithë të burgosurit, sepse ai ishte simbol i frymëzimit, i qëndresës për të gjithë të burgosurit...Tani pusho i qetë daja Dinë, ti i përket përjetësisë së kombit tonë. Amanetin tënd e kemi të përbashkët për ta nderuar Kosovën në tokën e bekuar nga Zoti. Lavdi veprës”, tha Hasani.

Edhe kryetari komunës se Drenasit Ramiz Lladrovci vlerësoi lart kontributin dhe veprën e luftëtarit të UÇK, Hajdin Rama. Sipas tij, sot Drenasi, Drenica dhe Kosova humbi një nga bijtë më të devotshëm, bacën Dinë.

Lladrovci: Hajdin Rama do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën

“Ish i burgosuri dhe veterani i ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hajdin Rama do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që njohën dhe dëgjuan për qëndresën kundër serbëve dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar me armë kundër armikut shekullor”, tha Lladrovci.

Ish-bashkëluftëtari Bislim Zogaj ka thënë se sot po ndahen prej një burri të madh të Kosovës dhe prej një njeriu që ka kryer punë të mëdha për atdheun.

Zogaj: Hajdin Rama ishte i gatshëm për të marrë pjesë në aksione

“Njeri, i cili që nga vegjëlia e tij ishte brumosur me atdhetarizëm dhe këtë atdhetarizëm e kishte marrë nga babi i tij dhe pastaj e kishte pasur fatin. Pra, ishte një njeri që kishte vepruar apo ishte gjendur gjithmonë pran patriotëve dhe pran atyre që kishin bërë për çështje kombëtare. Kështu që edhe në kohën e UÇK-së, Xheladin Gashi - Plaku, kishte arritur ta identifikojë këtë burrë të vërtetë të çështjes kombëtare dhe shtëpinë e Hajdin Ramës e kishim shndërruar atëherë në çerdhe të UÇK-së. Po ashtu, shtëpia e Hajdin Ramës ishte shndërruar aty ku u merreshin vendimet dhe ku u përgatiteshin aksionet... Edhe pse ishim në numër të vogël, Hajdin Rama ishte i gatshëm për të vepruar dhe për të marrë pjesë në aksione, të cilat i organizonte në atë kohë UÇK-ja”, tha Zogaj.

Djali i Hajdin Rama, Muhamet Rama tha se babai i tij ishte një ideator i madh për çështje kombëtare.

Rama: Hajdini, shtyllë e madhe për çështjen kombëtare

“Kur them se ishte edhe një shtyllë më e madhe për çështje kombëtare, ai u mundua që me sakrificën e tij të lëvizë çdo guri që ne sot të gëzojmë pavarësinë e Kosovës. Unë do të mundohem me përkushtim të madh të mbroj dhe të vlerësoj vlerat edhe të babait tim. Ndihem shumë mirë sot, që në mesin tonë edhe veprimtarët e tij më të shquar që janë ende gjallë si Nait Hasani, Bislim Zogaj dhe familja e Xheladin Gashit, komandant Plakut”, tha Rama.

Ndërsa, në emër të shoqatave të dala nga lufta, Faton Klinaku duke ngushëlluar familjen e Hajdin Ramës, tha se kontributi për liri dhe pavarësi do të jetë i pa shlyer.

Ndryshe, luftëtari i UÇK-së, Hajdin Rama, i cili ishte i lindur në vitin 1938, ndërroi jetë dje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat