Haradinaj-Hamzës: Nuk është burrni mos me marrë pagën me rritje

Aktuale

Haradinaj-Hamzës: Nuk është burrni mos me marrë pagën me rritje

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 12:41
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar deklaratën e ministrit të Financave, Bedri Hamza se nuk do ta merr pagën me ngritje, ka thënë se kjo nuk është ndonjë vlerë e ministrit Hamza, pasi ai mund të jetë më vizionar dhe të jap ndihmë për t’u përshpejtuar ligji për nivelizimin e pagave.

Haradinaj i pyetur nga mediat, lidhur me deklaratën e ministrit të Financave, Bedri Hamza, ka thënë se qasja e ministrit Hamza nga njëherë është e pakuptimtë.

Haradinaj: Qasja e ministrit Hamza e pakuptimtë

“Me tregu burrni me mosmarrje të pagës mundem edhe unë, nuk është aty vlefta e tij ose e imja. Edhe unë muj mos me marrë pagën, në fakt jam në atë mundësi mos me marrë pagën, por ministri i Financave ka deklaruar në takime zyrtare se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tani edhe sikur mos të duam ne nuk kemi qare pa e respektua atë vendim, por  nëse donë ministri Hamza me qenë burri më i mirë i Qeverisë dhe i Kosovës, le te ndihmon për t’u përshpejtuar ligji për nivelizimin e pagave, le të na përkrah në rritje të pagave, le të jetë më vizionar në këtë, por qasja e tij nga njëherë është e pakuptimtë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se vendimi për rritjen e pagave është një vendim i përkohshëm pasi më vonë do të jetë ligji për nivelizimin e pagave, me të cilin po synohet të shkohet para për policiët, mjekët, arsimin dhe administratën.

***

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ministri i Financave, Bedri Hamza, nuk po tregon burrëri që nuk po e merr pagën me rritje.

Haradinaj po ashtu ka bërë të ditur se vendimi për rritjen e pagave është i përkohshëm pasi që sipas tij, së shpejti do të bëhet ligji për pagat, dhe kështu do të bëhet nivelizimi i tyre.

Këto komente të kryeministrit vijnë pasi që Hamza e kishte kontaktuar Thesarin e Shtetit, nga të cilët kishte kërkuar që të mos i dilte rroga me rritje.

Hamza e ka mbështetur këtë vendim me arsyen se do që t’iu rrijë prapa parimeve të tij, pasi që ai e kishte kundërshtuar rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë, duke thënë se kjo e dëmton buxhetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat