Kosova, modeli i mirë i trajtimit të komuniteteve pakicë

Aktuale

Kosova, modeli i mirë i trajtimit të komuniteteve pakicë

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 13:16
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli me qytetarë të komunitetit egjiptian

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritur sot qytetarë të komunitetit egjiptian, në kuadër të shënimit të Javës egjiptiane në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova është shtet ku të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve që kanë, qofshin ato etnike, apo religjioze, ndihen të lirë dhe të barabartë.

“Komuniteti egjiptian ka dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin e bashkëjetesës ndëretnike, e cila i bën nder sot vendit tonë në botë. Është fakt se si çdo komunitet tjetër edhe egjiptianët e Kosovës ballafaqohen sot me sfida e probleme, të ngjashme me ato të krejt qytetarëve të Kosovës”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se ka rëndësi vendimtare fakti se në Kosovë ekziston një bazë e shëndoshë kushtetuese dhe ligjore për t’i mundësuar secilit qytetar, të çdo komuniteti, që të dëgjohet zëri i tij dhe njëkohësisht të jetë pjesë e zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit.

“Unë ju uroj festën, duke shprehur gatishmërinë time të plotë për të qenë me ju në sfidat që keni përpara”, tha kryeparlamentari Veseli, në adresimin e tij para qytetarëve të komunitetit egjiptian.

Në vazhdim, fjalën e mori kryesuesi i delegacionit nga Egjipti, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të Javës egjiptiane, Zahi Hawass, i cili foli për rolin e femrës në politikëbërje dhe udhëheqje, ndërsa u angazhua për forcimin e lidhjeve midis Kosovës dhe Egjiptit.

Deputeti Veton Berisha, ndërkaq, theksoi se komuniteti egjiptian në Kosovë ka qenë në anën e shtetbërjes dhe të shtetndërtimit, ndërsa shtoi se Kosova është modeli më i mirë i mundshëm i trajtimit dhe përfaqësimit të komuniteteve pakicë.

Paraprakisht, kryeparlamentari Veseli priti në një takim të veçantë delegacionin nga Egjipti, të kryesuar nga Hawass.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat