Gojani: Refuzimi i statusit të ndonjë viktime është si një përdhunim i dytë

Aktuale

Gojani: Refuzimi i statusit të ndonjë viktime është si një përdhunim i dytë

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 07:20
Leonita Gojani

Leonita Gojani nga organizata “Medica Gjakova” ka folur për vështirësitë e procesit të identifikimit të viktimave të përdhunimit.

Ajo në emisionin “Përballje”, ka thënë se disa nga të përdhunuarat kanë zhdukur çdo gjurmë për shkak të frikës nga paragjykimi.

“Kemi raste kur viktimat që paraqiten janë mjaft të reja, prandaj gjetja e provave dhe dokumenteve mjekësore janë të vështira, sepse ato kanë zhdukur çdo gjurmë për shkak të stigmatizimit të tyre nga shoqëria. Për të plotësuar aplikacionin na duhen së paku tri orë”, ka deklaruar psikologja.

Duke folur për rastet e refuzuara, Gojani ka thënë se po shkaktohet panik edhe te viktimat tjera.

“Refuzimi i disa rasteve ka shkaktuar panik te viktimat tjera, dhe tani ka hezitime për të aplikuar”.

Psikologja ka thënë se procesi i verifikimit është i vështirë, pasi aty duhet të jepen detaje të hollësishme nga përdhunimet.

“Duhet pasur konsideratë për disa raste që po refuzohen, sepse rrëfimi duhet të bëhet para një komisioni ku mund të ketë edhe meshkuj. Ato viktima e kanë të vështirë t’i rrëfejnë disa detaje që edhe burrave të tyre nuk iu kanë treguar”, tregon më tutje ajo.

Refuzimi i statusit për disa persona sipas Gojanit është një përdhunim për së dyti, dhe për këtë ajo tregon një rast.

“Refuzimi i statusit të ndonjë viktime është si një përdhunim i dytë për të. Kështu ma ka thënë një viktimë që i është refuzuar statusi, duke treguar se në momentin kur më është refuzuar statusi, më është dukur sikur më kthyen 18 vite pas, ndoshta edhe më keq”, transmeton Gojani, bisedën me vizitoren e qendrës ku ajo punon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat