Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në këtë periudhë të rëndësishme për vendin tonë, ne duhet të jemi të bashkuar, pasi vetëm kështu mund të bëhet realitet vizioni për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB.
Ai në një postim në Facebook shkruan se takimi i parë i fazës së fundit të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ishte i vështirë, por i domosdoshëm për tejkalimin e konfliktit shekullor.
“Me gjithë dallimet e mëdha, ne u pajtuam që t’i intensifikojmë takimet e përbashkëta në përpjekje për t’i zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve tona”, shkruan kreu i vendit, sipas të cilit marrëveshja përfundimtare për normalizimin e plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interesin e dy vendeve, paqes dhe stabilitetit në rajon.