“Finalja e dialogut”, krejt çfarë ndodhi dhe çfarë thanë pas takimit Thaçi e Vuçiq

Aktuale

“Finalja e dialogut”, krejt çfarë ndodhi dhe çfarë thanë pas takimit Thaçi e Vuçiq

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 07:02
Pamje nga takimi i djeshëm

Një takim i nivelit të lartë midis delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës përfundoi në Bruksel pas tre orësh bisedimesh të drejtpërdrejta.

Shërbimi diplomatik evropian njoftoi se Federica Mogherini u takua me Aleksandar Vuçiqin dhe Hashim Thaçin në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

“Përfaqësuesja e Lartë dhe presidentët kishin bisedime intensive dhe produktive në kuadër të marrëveshjes për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të dyja palëve. Ata ranë dakord të intensifikojnë punën në javët e ardhshme”, thuhet në deklaratën për media të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme.

Ndërkohë pas takimit janë deklaruar edhe Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka qenë një takim jo i lehtë, ka qenë një takim i vështirë por me tone pozitive për të shikuar nga e ardhmja për interesin e dy vendeve.

Siç ka thënë presidenti Thaçi, gjatë takimit është rënë dakord që procesi të merr një dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme.

“Gjithashtu kemi arritur në konkludimin se arritja e marrëveshjes përfundimtare është në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon. Pra arritjen e një marrëveshje fituese për të dy palët dhe kjo zgjidhje është marrëveshja e standardeve dhe kritereve evropiane, edhe për Kosovën edhe për Serbinë, një relacion evropian edhe për Kosovën dhe për Serbinë”.

Ai ka shtuar se është diskutuar rreth asaj se si të arrihet një kornizë të përgjithshme të kësaj marrëveshje e cila do të jetë e pranueshme edhe për popullin e Kosovës dhe të Serbisë dhe njerëzit do të shikojnë nga e ardhmja evropiane dhe jo nga e kaluara konfliktuoze.

“Mbes me shpresë që do të punojmë në mënyrë progresive në arritjen e marrëveshjes, por edhe nëse nuk arrihet një marrëveshja përfundimtare, ne duhet të punojmë në respekt të ndërsjellë, në paqe dhe stabilitet, të mos e provokojmë njeri-tjetrin dhe të shikojmë drejt interesit të përbashkët”.

“Jemi shumë të vetëdijshëm se konflikti është një shekullor dhe nuk është e lehtë të shkohet drejt zgjidhjes përfundimtare, por edhe e kaluara e jonë historike dhe aktuale por edhe gjeografike na imponon fqinjësinë e mirë ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve”.

“Unë shpresoj që edhe sot që është momentumi dhe lidershipi i duhur për arritjen e kësaj marrëveshje, përndryshe nëse e humbim këtë momentum do të paguajmë çmim të dy vendet, dhe çmim shumë të lartë”.

“Nuk jam naiv që të mendoj se do të kemi zgjidhje magjike dhe problematikave të së kaluarës dhe të gjejmë zgjidhje të menjëhershme për të ardhmen. E di se me marrëveshje do të mund të fitojmë shumë të dy palët, por edhe jam i frikësuar se nëse nuk do të ketë marrëveshje do të humbim shumë”, ka thënë ndër tjerash presidenti Thaçi.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se një zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë racionale, dhe se të gjitha problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Vuçiq tha se janë arritur disa gjëra dhe ato janë shumë të rëndësishme për serbët në Kosovë.

“U ra dakord që të gjitha problemet që kemi duhet të zgjidhen në paqe, duke respektuar njëri-tjetrin. Kjo është shumë e rëndësishme për serbët në Kosovë, për të gjithë qytetarët e Serbisë. Biseduam për përqendrimin në dialog, për të treguar se ne mund të flasim dhe të punojmë në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Unë nuk jam optimist, por kemi hapur shumë çështje”, tha Vuçiq.

Ai tha se në periudhën e ardhshme do t’i drejtohet popullit serb rreth zgjidhjes së “problemit të Kosovës”, por nuk saktësoi se kur do të bëjë një gjë të tillë.

Vuçiq theksoi se dialogu me Kosovën do të intensifikohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat