Kërkohet dorëheqja e kryeministrit Haradinaj: Po rrezikon funksionalitetin e Republikës

Aktuale

Kërkohet dorëheqja e kryeministrit Haradinaj: Po rrezikon funksionalitetin e Republikës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 25 qershor 2018 Në ora: 13:41
Kryeministri Ramush Haradinaj

Të hyrat vjetore në Kosovë janë më të vogla sesa shpenzimet që po i bënë Qeveria Haradinaj.

Gjithashtu edhe tremujori i parë i këtij viti kishte pësuar një rënie prej 18.8 për qind, nga 503.1 milionë sa ishin tremujorin e kaluar në 408.5 milionë euro.

Këto të dhëna kanë dalë nga Raporti i Agjencisë së statistikave për llogaritë qeveritare në Kosovë për tremujorin e parë të këtij viti, sipas të cilave shuma e të hyrave në Kosovë është më e vogël sesa shpenzimet.

Rezervat e shtetit kanë filluar të bien, këtë e kishte paralajmëruar edhe ministri i Financave, Bedri Hamza. E kjo natyrisht që është nja alarm për shtetin e Kosovës i cili po varfërohet çdo ditë e më shumë nga klika e pushtetit.

Ministri Hamza ishte i vetmi prej politikanëve dhe ministrave në detyrë që refuzoi ngritjen e pagës që e bëri kryeministri Haradinaj.

Anash kësaj, sipas Raportit të Agjencisë dhe statistikave shpenzimet për paga u rritën për 3.6 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ato u rritën për 7.8 milionë euro.

Gjatë periudhës janar – mars shuma e të hyrave ka arritur vlerën e 408.5 milionë eurove, ku pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte të cilat paraqesin 63 për qind të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave

Vendimet e shpeshta “ad hok” të pazakonshme

Image
Muhamet Mustafa

Ish- deputeti i Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muhamet Mustafa thotë se Qeveria duhet të analizojë këtë ecuri rreth të hyrave dhe shpenzimeve dhe të bëjë harmonizimin midis tyre.

“Qeveria duhet të ndjek prioritetet afatgjate dhe buxhetin e aprovuar dhe mos ta rrezikojë këtë me vendime të pjesërishme gjatë vitit pasi që kjo mund të ndikojë keq në stabilitetin makroekonomik dhe fiskal dhe të krijojë një problem shtesë krahas atyre ekzistuese, jo të vogla, ekonomike”, thotë Mustafa për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, vendimet e shpeshta “ad hok” për shfrytëzimin e rezervës buxhetore nuk janë të zakonshme në praktikat buxhetore, sidomos për nevojat që kanë mundur të parashihen dhe inkuadrohen në buxhet.

Ndërsa, ish- deputeti tjetër, Driton Tali thotë se Hashim Thaçi e bëri servilitetin dhe hajninë si standard shoqëror, kurse kryeministri Haradinaj e uli edhe më shumë këtë standard.

“Mëkati kryesor i Hashim Thaçit me kompani është se i shkatërroi të gjitha standardet të cilat na i ndërtoi Kushtetuta e 1974 dhe represioni i Millosheviqit. Hashim Thaçi e bëri servilitetin dhe hajninë si standard shoqëror në Kosovë. Kurse Ramush Haradinaj këtë standard e uli edhe ma shumë. Emërimi i z. Begolli drejtor të PTK, si një nga udhëheqësit e AAK-së dhe njëri pa eksperiencë e edukim adekuat, është pasqyrimi i degradimit të standardeve të Thaçit. Ndonëse jo vetëm, edhe ngritja e pagave ishte poashtu pasqyrim i karakterit të z. Haradinaj, ashtu sikurse edhe shumë kapriqe tjera”, thekson Tali për gazetën “Bota sot”.

Haradinaj menaxher i keq

Image
Driton Tali

Andaj, sipas ish- deputetit, çdo kush që ka pak njohuri në ekonomi, nuk habitet me këto statistika të dalura sepse kanë qenë të pritura.

“Komenti është i tepërt. Për këto arsye unë jam që z. Haradinaj të dorëhiqet ose shkarkohet sa më shpejt që është e mundur, sepse ky njeri është ka e rrezikon funksionalitetin e Republikës. Zaten, z. Haradinaj e ka dëshmuar edhe sa ishte në koalicion me LDK-në, në vitet ,2004-2007, se nuk dinë të menaxhojë. Për atë është e rëndësishme përfitimet që ja sjell udhëheqësja e Qeverisë e jo zhvillimi i shoqërisë”, potencon ai.

“Atëherë, siç e kam thënë disa herë, i pati emëruar ministrat më të dobët dhe më të dyshuarit për korrupsion, si bie fjala historianët na i bëri ministra të ekonomisë e energjetikes, kimistet ministra të drejtësisë e kështu me radhë".

Ai thotë se, edhe tashti z. Haradinaj udhëheqë në të njëjtën frymë. “Ky njeri nuk dinë ndryshe me udhëheqë pos si një bajraktar injorant, i cili as nuk dinë e as nuk dëgjon, por vepron krye në vete. Nuk thuhet kot se "njeriu në pleqëri nuk ndryshon, ngel  ai që ishte dikur". Prandaj, po e theksojë edhe një herë, në interes të Kosovës është që ky njeri m'u hekë nga posti sa ma shpejte që është e mundshme sa nuk na ka shkaktuar edhe me shumë dëme”, përfundon Tali.

Të hyrat u zvogëluan nga mbyllja e firmave

Image
Seremb Gjergji

Në anën tjetër, ish- kandidati i pavarur për president Seremb Gjergji thotë se është detyrë e çdo Qeverie që të shpenzoi paratë e buxhetit në interes të vendit, por sipas tij, çdo investim kalkulohet se për sa vjet behet kthimi i atij investimi.

Gjergji për gazetën “Bota sot” thotë se, aktualisht Kosova është në një stand tjetër të zhvillimit dhe avancimit.

“I vetmi kthim i investimit në Kosovë, është sektori i prodhimit dhe minierave. Çdo investim në prodhim vendor kthehet brenda 3 vjetëve dhe çdo investim në miniera dhe minerale kthehet brenda 2 vjetëve. Çdo investim tjetër është i pakthyeshëm, por i nevojshëm. Sa i përket zvogëlimit të të hyrave, kjo vjen si rezultat largimit dhe mbylljes së shumë firmave - për shkak të politikave të pafavorshme investuese në Kosovë”, përfundon Seremb Gjergji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat