Haziri flet për mungesën e kulturës politike, tregon dobësitë

Aktuale

Haziri flet për mungesën e kulturës politike, tregon dobësitë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 qershor 2018 Në ora: 20:44

Diskursi i politik bërjes nga përfaqësuesit politikë në këto vite tranzicioni, nuk ka arritur t'i përafrohet ndryshimeve pozitive dhe reformave substanciale në dobi të integrimit në familjen evropiane.

Kështu vlerëson njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, i cili ka thënë për “Bota sot” se mungesa e kulturës politike, është akoma larg trashëgimisë sonë kombëtare.

Sipas tij dobësitë dhe paradokset që reflektohen në politikë, tregojnë për mungesë profesionalizmi të të bërit politikë, ku niveli i dialogimit zbret në nivelet e filozofisë provinciale të bajraktarizmit e despotizmit.

“Opinioni dhe qytetarët e thjeshtë nuk shohin akoma një qasje dhe mënyrë të re zhvillimi politik, të mbështetur në trashëgiminë e kulturës sonë kombëtare si dhe në përvojat e politikës moderne. Megjithëse politika e Kosovës është përcaktuar qartë, për qëndrime me një vetëdije emancipuese në rrugën e integrimit dhe përafrimin me perëndimin, përsëri në drejtim të unitetit mbetemi akoma larg. Sfidat që ka përpara shoqëria , nuk mund të pajtohen me qëndrime të tilla, të cilat kërkojnë identifikim civilizues, por dhe një kulturë politike të parametrave bashkëkohorë, për riparimin e gjithçkaje që është bërë keq deri tani”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, proceset e shumta zgjedhore, politike e administrative të zhvilluara deri më tani, me gjithë vlerësimet e karakterit subjektiv, kanë lënë shumë për të dëshiruar, sidomos për mungesë të kulturës politike, e cila ka qenë e cunguar dhe e dominuar jo nga kreativiteti por nga ethet e fitoreve.

“Kjo praktikë e tillë pune me nota agresive, ka lënë pas mangësi të shumta, që janë manifestuar në të gjitha segmentet e organizimit politik e shoqëror. Të futur në një proces pa kthim, të përgjithshëm dhe të gjithanshëm politik, ekonomik e social, kultura politike bëhet domosdoshmëri në sfidat e ndryshimeve dhe zhvillimit demokratik. Kjo nënkupton sistemin e qeverisjes, funksionimin e shtetit në të gjithë piramidën administrative si dhe proceseve prodhuese e edukative. Por ky funksionim është i lidhur me detyrimet kolektive, me avancimin e pozitës shoqërore që nënkupton se është pjesë përbërëse dhe e pandashme e realitetit kohor dhe mbi të gjitha e faktorit njeri. Në konsolidimin e demokracisë, kjo paraqet formën e jashtme të strukturave të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit. Por lind pyetja se  kush e përbën bërthamën e një kombi a shteti për të ecur në normalitet? Por në rrafshin gjithëpërfshirës lirisht mund të themi se kultura është ajo që paraqet dhe përbën ecurinë normale të një shteti të mirë organizuar institucionalisht. Ajo luan një rol dominant në përcaktimin e vektorëve të zhvillimit politik, ekonomik e social të vendit në këtë mjedis për aktorët politik”, ka thënë Haziri.

Image
Ismet Haziri

Ai konsideron se kultura politike ka nevojë për një vëmendje më të madhe.

“Përkundër faktit që ka kaluar një kohë e gjatë përplasjesh e mosmarrëveshjesh politike brenda faktorit politik në Kosove, vazhdojmë të qëndrojmë ende larg kulturës politike që karakterizon shoqërinë evropiane. Kjo frymë intolerance midis forcave politike edhe kur interesat kombëtare kanë kërkuar të kundërtën, ka treguar që koncepti për demokracinë është akoma një shprehje linguistike dhe jo si diçka që duhet të përjetohet në përditshmëri. Një tjetër angazhim, për një vëmendje të madhe të kultivimit të kulturës politike në shoqërinë tonë, merr futja në lojë edhe e aktorëve të tjerë të shoqërisë civile, studiues të fenomeneve me karakter sociologjik e psikologjik”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, këto struktura në bashkëpunim të vazhdueshëm me subjektet politike dhe në mënyrë të veçantë shoqëria civile në botën e qytetëruar, për rolin që luajnë, konsiderohen me plot të drejtë si gardianë të demokracisë.

“Nuk mundet të shpresojmë avancimin, prosperimin e integrimin me këtë nivel kulture politike si dhe atë të përgjithshme, ashtu sikundër nuk mund të funksionojë shteti pa politikë të mirëfilltë. Këta dy komponentë janë shumë të lidhur njëri me tjetrin, por përkundër kësaj në shoqërinë tonë ekzistojnë steriotipe të të menduarit se kultura dhe politika janë në kundërshtim permanent duke mos e pranuar njëra tjetrën. Sepse njerëzit janë lodhur nga politika jo produktive, dhe e konsiderojnë atë si sinonim të gënjeshtrës e të manipulimeve. Që ky shtet dhe ky vend i sapo vënë në shinat e demokracisë së vërtetë, nuk mund të ndërtohet e të funksionojë pa këto dy elemente siç janë kultura e politika, të zhvilluara paralelisht, duke shërbyer si stimul për njëra tjetrën dhe në asnjë formë nuk duhet ta luftojnë njëra tjetrën. Pa u larguar nga ky mendim duhet theksuar se, ky tranzicion i gjatë transformues, është shume e rëndësishme qe te i shuej projeksionet e provincializmit apo psikologjisë politike të lidershipëve zhurmues pa vizion siç ka ndodhur deri me tani”, ka thënë Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat