Haradinaj flet pas takimit me zyrtaren e lartë të KE-së, nuk ka lajme të mira

Aktuale

Haradinaj flet pas takimit me zyrtaren e lartë të KE-së, nuk ka lajme të mira

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 10:03
Genoveva Ruiz-Calavera dhe Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, tha se institucionet e Kosovës, duhet të punojnë në zbatimin e agjendës evropiane të reformave.

 Kjo agjendë sipas saj synon të udhëheqë Kosovën në prioritetizimin e reformave kyçe që janë të rëndësishme në fushat siç janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, konkurrenca, klima e investimeve, si dhe arsimi dhe punësimi, që  janë të rëndësishme për Kosovën, që të vazhdojë konsolidimin e progresit të saj,  për të ofruar perspektivën për të ardhmen e popullit.

Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave, ajo tha se shpreson që shumë shpejt do të vijnë me një propozim, në mënyrë që liberalizimi i vizave  të bëhet realitet.

Calavera: Shpresoj që  liberalizimi i vizave shpejtë të bëhet realitet

“Unë jam jashtëzakonisht e lumtur, që Zyra e BE-së këtu po shoqëron Qeverinë dhe agjendën shumë të rëndësishme që kemi për ta sjellë Kosovën pranë Bashkimit Evropian. Jam jashtëzakonisht e lumtur që si në Agjendën Evropiane të Reformës ashtu edhe në Programin e reformave ekonomike, ne po punojmë së bashku për të ecur përpara. Ne gjithashtu biseduam për disa shqetësime që kemi në fushat që ende duhet të përparojnë. Unë mendoj se në veçanti duhet të kuptojmë se të gjitha vendimet e marra nga Qeveria,  duhet të jenë shumë kohezive në lëvizjen e asaj agjende përpara. Në veçanti, në fushat e reformës së administratës publike, duhet të sigurohemi që vendimet që merren sigurojnë qëndrueshmërinë fiskale të vendeve. Gjithashtu, unë e kam njoftuar kryeministrin, për situatën lidhur me liberalizimin e vizave, duke theksuar se sa e rëndësishme është për qytetarët. Dhe me të vërtetë shpresoj se shumë sh pejt do të vijmë me një propozim, në mënyrë që të bëjmë liberalizimin e vizave realitet”, tha ajo pas takimit me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

E kryeministri Ramush Haradinaj, u shpreh i bindur, që në javët dhe muajt që vijnë, do të shënohet rezultat në temat kyçe.

Haradinaj: Javët dhe muajt në vijim do të shënojmë rezultate

“Biseda ka qenë e fokusuar në prioritete e agjendës evropiane për Kosovën, në reformat dhe në ato në rend e ligj dhe në administratën publike e arsim I biseduam dhe punët e kryer, por dhe sfidat që i kemi para vetës.  Jam thellë i bindur që në javët dhe muajt që vijnë dhe nga sugjerimet e drejtoreshës për zgjerim  do të shënojmë rezultate pikërisht në ato që janë sot tema kyçe”, tha Haradinaj.

Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave Haradinaj tha se po presin që Kosova ta marrë një vlerësim pozitiv. Ndërsa përsëriti se me liberalizim të vizave, nga Kosova në Evropë nuk do të shkojnë refugjatë dhe as kriminelë.

Haradinaj: Nuk iu shkojnë prej Kosovës refugjatë, e as kriminel

 “Së shpejti, komisioni do ta japë mendimin e vet, propozimin e vet. Pastaj atë propozim ju e dini do të diskutohet pastaj dhe në parlament të BE-së dhe në këshill. Pra edhe pse ne besojmë që së shpejti do ta kemi vlerësimin pozitiv prapë nuk është kryer puna. Jemi në një proces,  në të cilin duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të jemi serioz si Kosovë. Njëra prej punëve që duhet ta bëjmë me kujdesin më të madh është mos të dërgojmë porosi të gabuara prej Kosovës. Njëkohësisht që edhe policia jonë dhe ministria e rendit, ta rrit bashkëpunimin me të gjitha ministritë e brendshme të  vendeve të BE që kanë vendim për liberalizim. Sepse opinionet e ministrave të brendshëm janë shumë të rëndësishme. Ajo që unë po iu them të gjithëve, nuk iu shkojnë prej Kosovës as refugjatë, as kriminel. Vetëm shkëmbimi rritet shkëmbimi qarkullimi frekuenca e komunikimit të njerëzve ideve mallrave rritet, por nuk ka rreziqe tjera. Sepse  Kosova e ka mbrri një shkallë të pjekurisë dhe funksionimit të vet të tillë“, tha kryeministri i Kosovës.

Haradinaj tha se Kosova do t’i kushtojë vëmendje shumë të madhe rendit dhe ligjit, pasi që EULEX-i tashmë  ka përmbyllur përgjegjësitë e veta ekzekutive në gjyqësor, e në prokurori dhe se tani pesha e përgjegjësisë është rritur për gjyqtarët dhe prokurorët.

Haradinaj: Tani s’kemi kujt me ia lënë fajin

“Gjyqtarët e prokurorët e Kosovës, do ta ndjejnë tani shpresoj njëfarë momenti historik. Se është hera e parë që jemi lënë vetëm, prej se ekzistojmë si Kosove në gjyqësor e drejtësi në përgjithësi. Dhe është hera e parë që tani s’kemi  kujt me ia lënë fajin. Duhet ta bëjmë një kujdes të madh. Fatmirësisht ka ndodh një avansim në paga, do të jemi të kujdesshëm dhe në numrin e gjyqtarëve. Pra me iu mundësu rritjen e numrit ë gjyqtarëve dhe prokurorëve, e personelit e të buxhetit por duhet të qojmë po ashtu sinjale se jemi serioz në punë si vend”, tha ai.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, gjatë qëndrimit në Kosovë do të ketë edhe takime tjera me përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

***

Drejtoresha për Ballkan Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera takohet me Kryeministrin Ramush Haradinaj.

Takimi zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat