Thaçi e Vuçiq takohen përsëri pas dy javësh?

Aktuale

Thaçi e Vuçiq takohen përsëri pas dy javësh?

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 10:16
Federica Mogherini, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Të dielen u mbajt takimi i parë i fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi u mbajt mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën patronazhin e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

Takimi i radhës nuk është konfirmuar nga asnjëra palë, mirëpo media serbe raporton se një takim i radhës do të mbahet pas dy javësh.

“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka gjasa të takohet përsëri në Bruksel me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas dy javësh:, shkruan kjo e përditshme serbe.

Ky informacion është konfirmuar nga një burim i afërt me zyrën e presidentit serb për media serbe.

“Serbia ka ende shumë punë përpara, shumë pyetje të hapura në tryezë. Përfaqësuesit e Evropës do të vijnë më intensivisht në Beograd, por delegacioni i Serbisë do të udhëtojë shumë më shpesh në Bruksel tani e tutje”, ka thënë burimi i kësaj medie, i cili ka folur edhe për zgjidhjen përfundimtare mes vendeve që do të rezultojë me marrëveshje.

Pas takimit të së dielës, shefja e diplomacisë së BE-së, Frederica Mogherini tha se dialogu ka qenë “i vështirë, por inkurajues”.

“Dje kemi pasur një takim shumë të mirë midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili u zhvillua në mënyrë inkurajuese, shumë të vështirë, por inkurajuese”, u tha Mogherini gazetarëve teksa hynte në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit tha se janë dakorduar me Vuçiqin që bisedimet të vazhdojnë edhe më tej, drejt një zgjidhjeje përfundimtare.

“Është momenti i duhur për arritjen e kësaj marrëveshje, dhe nëse e humbim këtë moment, do të paguajmë çmim shumë të lartë”, ishin fjalët e Thaçit pas takimit.

Nga ana tjetër, edhe presidenti ser Vuçiq theksoi se palët ranë dakord për zgjidhjen e problemeve në paqe duke respektuar njëri tjetrin.

Takimi në Bruksel mes Thaçit e Vuçiqit vazhdoi pas një ndërprerjeje tre mujore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat