Deputetët nuk votojnë Rezolutat, Zeka kërkon jastëk që të flenë në seancë

Aktuale

Deputetët nuk votojnë Rezolutat, Zeka kërkon jastëk që të flenë në seancë

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 07:13
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon debat parlamentar, në lidhje me kornizën afatmesme të shpenzimeve 2019-2021.

Shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti tha se kjo kornizë e bënë të qartë sikurse premtimet elektorale se edhe programi qeverisës 2017-2021, ka qenë dhe është mashtrim.

Hoti: Programi qeverisës është mashtrim, ashtu siç ishte fushata

“Ne e kemi analizuar në detale këtë dokument dhe vlerësojmë se ky dokument e shpërfaq mungesën e vizionit të kësaj qeverie, se kah duhet të shkojë shoqëria dhe ekonomia kosovare. Dokumenti e bënë të qartë se ky koalicion nuk ka njohuri dhe as përkushtim për të ofruar një qeverisje, që është për qytetarët e vendit. Në vijim unë do të flasë për mënyrën i janë reflektuar premtimet elektorale në këtë dokument. Premtimi për rritje ekonomike për 7 deri në 8 për qind qartë ka qenë mashtrim, pasi në kornizë është paraparë rritje ekonomike prej 4 deri në 5 për qind. Krijimi i mijëra vendeve të reja të punës ka qenë gjithashtu mashtrim. Të vetmit persona që po duket që do të punësohen gjatë këtij mandati janë 522 anëtarë të kabinetit qeveritar me 22 ministra me 220 anëtarë të kabineteve me 70 zv-ministra me 210 persona në shërbim të tyre tash dhe me koordinator nacional”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza tha se ky dokument reflekton përkushtimin e Qeverisë në adresimin e sfidave zhvillimore.

Hamza: Ky dokument reflekton përkushtimin e qeverisë në adresimin e sfidave zhvillimore

“Dokument që reflekton përkushtimin e qeverisë në adresimin e sfidave zhvillimore afatmese të elaburuara në dokumentet tona strategjike si programi i Qeverisë, programi për reformat ekonomike, programi kombëtar për zbatimin e MSA , strategjia për zhvillimin ekonomik dhe dokumente tjera strategjike...Sa i përket rritjes ekonomike për vitin 2019, rritja reale pritet të jetë rreth 5 për qind. Ndërsa në dy vitet vijuese dhe më e lartë se 5 për qind duke arritur në 5.3 për qind në vitin 2021”, tha ai.

Debati parlamentar për kornizën afatmesme të shpenzimeve 2019-2021, po vazhdon.

***

Megjithëse janë të pranishëm 63 deputetë në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila po vazhdon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 6, 8 dhe 14 qershor, në mungesë të votave, nuk janë miratuar disa projektrezoluta të mbetura nga seancat e kaluara.

Me gjithë thirrjet e kryesuesit të seancës Xhavit Haliti, që deputetët e pranishëm të votojnë, disa nga ta nuk morën pjesë fare në votim, duke bërë kështu që mos të miratohen rezolutat e mbetura. E vetmja që u miratua ishte propozim rezoluta e  Grupit të  LDK nga interpelanca me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018.

Ishte deputeti i VV-së, Adem Mikullovci, ai i cili reagoi për këtë situatë të krijuar. Mikullovci tha se kjo që po ndodh me mos votim, nuk ka kuptim.

Mikullovci: Votoni, s’ka kuptim me prish mbledhjen

“Dua tërheq vërejtjen me keqardhje. Dua t’ua përkujtoj që kur keni dhënë betimin për deputet, keni marrë obligimin të votoni për çdo gjë që vihet në votim. Jeni të obliguar të votoni. Mos e prishni mbledhjen. Për, kontra ose për. Por të votoni jeni të obliguar. Kush nuk voton fare ai faktikisht nuk është në seancë. S’ka kuptim me prish mbledhjen kaq”, tha Mikullovci.

Por deputeti i Nismës Milaim Zeka, kishte një kërkesë nga Kuvendi që t’ua sjell nga një jastëk dhe të flenë.

Zeka: Na sillni nga një jastëk të flemë

“Desha me mbështet fjalën e Bacit Adem. Nëse shkoni në arkivë e merrni çdo Rezolutë që e ka propozuar LDK dhe VV kam votuar për. Arsye pse kam votuar ‘për’. Sepse rezolutat janë vetëm këshillë për Qeverinë, nuk janë obligative. Në qoftë se  na tallemi në këtë formë në parlament me votuesit tanë, marre për neve. Bash marre e marre e marre. Le që s’po i votojmë ligjet , por ne s’po i votojmë as rezolutat që fare s’kanë të bëjnë me ligje. Prandaj e këna blloku parlamentin. Z.kryesues propozoj me na sjell nga një jastëk këtu e një sfungjer, bile me ia fut gjumë”, tha Zeka.

Ndryshe, Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë Rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nga  interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Kosovës. Nga 63 deputetë që morën pjesë në votim, pro votuan 23, 31 kundër dhe 9 abstenime.

Po ashtu në mungesë votash nuk u miratua as propozim-rezoluta nga interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës.

E deputetët e pranishëm nuk votuan as propozim rezolutën e Grupit parlamentar të LDK-së, nga interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimet e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve për grante dhe subvencione.

Ndërsa nuk kaloi as projektligji për aktet juridike dhe as projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për  tatimin në të ardhurat personale.

Kuvendi nuk e miratoi as Projektligjin  për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Po ashtu nuk u miratua as  Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-037 për Tatimin në Vlerën e Shtuar. Po ashtu nuk u votua as  raportit vjetor financiar për Buxhetin e Kosovës për vitin 2017.  Deputetët nuk votuan as Raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017. Nuk u votua as Raporti vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin  2017.  Nuk u votua as Raporti vjetor i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2017.

Deputetët nuk votojnë rezolutat e seancave të kaluara

Megjithëse ishin të pranishëm 63 deputet në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila po vazhdon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 6, 8 dhe 14 qershor, në mungesë të votave, nuk janë miratuar disa projekt rezoluta të mbetura.

Me gjithë thirrjet e kryesuesit të seancës Xhavit Haliti, që deputetët e pranishëm të votojnë, disa nga ta nuk morën pjesë fare në votim.

Kuvendi nuk ka arritur që ta miratoi rezolutën e propozuar nga Lëvizja VV, nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës. Nga 63 deputet që morën pjesë në votim, pro votuan 23, 31 kundër dhe 9 abstenime.

Po ashtu, në mungesë votash nuk u miratua as propozim-rezoluta nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës.

Deputetët e pranishëm nuk votuan as propozim rezolutën e grupit parlamentar të LDK-së, nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku kryesisht do të ketë votime për pikat e papërfunduara nga disa seanca të kaluara, si dhe debat parlamentar në lidhje me kornizën afatmesme të shpenzimeve 2019-2021.

Arrihet marrëveshja, Ligji për Dhomën e Posaçme të Supremes votohet më 9 korrik

Kërkesa që Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit , të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar ka ngjallë debat në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Partitë opozitare ishin ato të cilat kanë kundërshtuar që një ligj kaq i rëndësishëm të shkojë në procedurë të përshpejtuar.  E pas një debati të ashpër u vendos që shqyrtimi i këtij projektligji të shtyhet për seancën e radhës, e cila do të mbahet me 9 korrik.

Albulena Haxhiu e cila foli në emër të komisionit për legjislacion tha se komisioni nuk ka pranuar që projektligji në fjalë të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara.

Haxhiu: Komisioni  nuk ka pranuar ta shqyrtoj këtë projektligj me procedura të përshpejtuara

“Komisioni nuk ka  pranuar ta shqyrtoj me procedura të përshpejtuara, për faktin se sipas diskutimeve  përfshirë dhe qëndrimin tim. Këtu dhe anëtarët tjerë mund ta thonë qëndrimin e tyre. Është thënë se ky është projektligj tepër i rëndësishëm. Kemi para vetes një projektligj që ka më shumë se 100  faqe e 70 nene.   Është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe nuk ka të bëjë vetëm me një ndryshim që ka të bëjë me mandatin e EULEX-it.  Besoj që askush nuk është kundër as nga subjektet tjera, e lë më VV  që në vazhdimësi ka kërkuar që EULEX të largohet. Mirëpo Qeveria e ka ditur qysh kohë më parë që do të përfundoj mandati i EULEX-it dhe pse nuk e ka proceduar më përpara Ministria  e Drejtësisë në komision për legjislacion. Sepse gjithmonë sa herë po flitet për projektligje të tilla po na kërkohet me procedura të përshpejtuara. Andaj dhe e kemi kundërshtuar pa u lë shuar në përmbajtje të projektligjit për shkak se përmbajtja pastaj kur radhitet do ta shqyrtojmë. Komisioni nuk ka punë më sepse nuk ka pranuar që ta shqyrtojë këtë projektligj me procedura të përshpejtuara”, tha Haxhiu.

Por ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se është shumë me rëndësi që ky projektligj sot të kalojë në parim dhe që brenda muajit korrik kjo çështje të përfundohet.

Tahiri: Është me rëndësi që të fillohet sot

“Është me rëndësi që sot të filloj si procedurë sot, të shqyrtohet në parim pastaj  bashke ne si ministri bashkë me juve dhe deputet tjerë, brenda dy jave ta trajtojmë sepse nuk është çështje e madhe. Është çështje riorganizimi të një dhome në kuadër të Gjykatës  Supreme”, tha Tahiri.

E shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se janë kundër  shmangies së procedurave të rregullta, për ta shqyrtuar një ligj kaq të rëndësishëm.

Hoti: Jemi kundër shmangies së procedurave

“Ne jemi dakorduar në Kryesi të Kuvendit që sot të kemi seancë të jashtëzakonshme me një nen apo dy nene si amandamente të ligjit ekzistues me të cilin ne i zëvendësojmë gjyqtarët e EULEX-it në dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme. Vetëm kaq. Por ju e keni dorëzuar një ligj krejt të ri që ne kemi disa vërejtje bukur të mëdha dhe si të tillë nuk mund ta përkrahim këtë shmangie të procedurave për të shqyrtuar një ligj me 130, 140 faqe me 70 nene të ndryshme që kanë nevojë për shqyrtim gjerësisht me të gjithë akterët që janë të involvuar në këtë proces”, tha ai.

E shefi i Grupit parlamentar Memli Krasniqi tha se fakti që është një projektligj shumë i rëndësishëm, nuk do të thotë që një gjë e tillë nuk mund të kalohet përmes procedurës së përshpejtuar,  pasi që shumë projektligje të tilla, janë miratuar përmes procedurës së përshpejtuar.

Krasniqi: Qysh po kërkon opozita, dhoma e posaçme nuk funksionalizohet deri në fund të 2018

“Nëse ne vendosim ashtu siç po kërkon opozita të shkojmë me procedurë të rregullt ju e dini se atëherë nevojiten së paku dy muaj dhe ne do ta përfundojmë sesionin kah fundi i korrikut, a atëherë po flasim që këtë ligj ta ndryshojmë kah muaji tetor. Realisht kërkesa e opozitës i bie që mos të funksionalizohet dhoma e posaçme para fundit të vitit 2018, që nënkupton që asnjë proces që lidhet me privatizimin të mos mund të trajtohet para fundit të vitit 2018 ose fillimit të 2019. Nuk besoj që ka çfarëdo relevance të këtyre diskutimeve ose pikave që më së shumë u parafrazuan që janë më të rëndësishme se zhbllokimi i këtij proces i, i cili edhe ashtu të gjitha partitë politike pajtohemi ka probleme ka defekte dhe ka vonesa. Andaj nëse me të vërtetë e paskan lexu projektligjin, kanë vërejtjet e veta. Unë nuk e shoh të pamundshme që këto vërejtje të adresohen edhe përmes procedurës së përshpejtuar”, tha Krasni qi

Ndërkaq  deputetja Haxhiu, e cila foli në emër të grupit parlamentar të VV-së tha se nuk pranojnë që ky ligj të shqyrtohet në këtë mënyrë.

 Ndërsa  tha se deputeti Krasniqi, po përpiqet që ta banalizojë qëndrimin e opozitës.

Haxhiu: Pse po na ngutni, na jepni kohë

“Kemi marrë gjithë këtë projektligj dhe këtu është një deklaratë financiare, gjegjësisht  përgatitur nge MF, i cili thekson se ky projektligj ka implikime financiare të cilat nuk janë të parapara në ligjin për buxhetin 2018. A ma shpjegoni pse po na ngutni pra. Në qoftë se nuk ka buxhet për ta zbatuar këtë ligj dhe në anën tjetër po gjeni buxhet me ia rrit pagat vetit, atëherë pse po na vendosni para një situate të tillë.. Duke parë që ky projektligj është shumë i rëndësishëm, ndoshta më mirë është që të vonojmë pak derisa ta trajtojmë se sa me kalu shkel e shko. Sepse kjo shkel e shko do të jetë në kurriz të punëtorëve, duke pasur parasysh që janë bërë shkelje të mëdha që janë bërë në procesin e privatizimit. ..Kërkesa  jonë e vetme është që ne duam kohë për ta trajtuar këtë. S’po them deri në tetor. Sepse tendenca e Memlit ishte që ta banalizoj qëndrimin e opozitës “, tha ajo.

Por kryeministri Haradinaj tha se nëse neglizhohet kjo çështje, atëherë Kosova, do të jetë në një pozicion të kritikueshëm.

Haradinaj: Nëse e neglizhojmë, e nxjerrim Kosovën në pozicion të kritikueshëm

“Iu kisha lut mos e ikni prej dakordimit të Kryesisë që ky të kalojë në këtë formë procedurat e parapame të seancës së jashtëzakonshme. Ky është dhe një tregues që për fat të mirë apo çfarëdo fati ta thojmë është dhe  një tregues i seriozitetit të marrëdhënieve tona me BE-më. Iu siguroj nuk e kam veç me kalu ligjin, por dhe me liberalizimin dhe me tema tjera. Ju e dini liberalizimi  është rend dhe ligj. Ata i kanë tërheq përgjegjësitë e veta. Nëse Kosova tregon një neglizhencë në marrje të përgjegjësive, është njëri prej treguesve që muj e nxjerr Kosovën në pozicion të kritikueshëm. Tani vërtetë sa i përket përmbajtjes substancës, dhe ato që tha profesori Hoti e Albulena, ju që i keni . Ju mund ti trajtoni ato në pauza kohore, që mund të gjinden. Nuk do të ishte në rregull që nga mundësia me marrë një përgjegjësi dhe me e kthy një porosi që i marrim përgjegjësitë seriozisht, ta qojmë n jë porosi tjetër, që kish mujt me qenë jo e meqme për qytetarët tonë në këtë kohë“, tha ai.

E deputeti nga radhët e PSD-së Dardan Molliqaj tha se po t’i kishte pozita votat, s’do të zgjaste kaq shumë debati.

Molliqaj: S’do të zgjaste kaq shumë debati, po t’i keni votat

“ Përpjekja e ministrit dhe qeverisë sot  për me bind parlamentin është e drejtë prej anës tyre. Proceduralisht është në rregull.  Por ky debat s’kishte me zgjat kaq shumë ministër sikurse t’i kishi votat. Praktikisht qeveria në të cilën ti je pjesë nuk i ka votat. Si keni votat për shmangie,  e dyta qysh unë po e shoh si keni votat as shumicën, për shkak se një grup parlamentar për interesa  të ndryshme politike, nuk e voton për asnjë rrethanë. Nëse po doni me  votu ligjin, po i përgjigjem po i kundërpërgjigjem kryetarit të GP të PDK-së. Po caktone një datë cilën do por nëse i doni votat tona, duheni me i marrë parasysh mendimet tona për ligjin. Nëse si doni mendimet tona për ligjin për përmbajtjen  vazhdoni me votat që i keni”, tha ai.

Por  kryeministri Hardinaj u bëri thirrje deputetëve të cilët debatuan më shumë se dy orë, që ky projektligj të shkoj apo jo me procedurë të përshpejtuar, që të mos e humbin mundësinë, që ky ligj sot të trajtohet në lexim të parë.

 Haradinaj: Mos ta humbim mundësinë, dalim të pazotë

“Po iu siguroj që Qeveria nuk ka ardhur këtu me mbrojt një nen cilindo qoftë që mund të jetë i diskutueshëm. Por ka ardhur me kërku ndihmën tuaj që mos me leju që vaklumi me u kriju dhe mos me kriju porosi të gabuar nga të gjithë ne...Iu kisha lut mos e humbni mundësinë që sot ta trajtojmë në lexim të parë. Dalim të pazotë. Kemi pritur 10 vjet me EULEX-in  kemi thënë shkoni, shkoni, e dikush ndoshta dhe rrini. Ka ndodh de facto e ne s’jemi të zot me kalu dhe ligjërisht një situatë vendosur, nuk ka logjikë, nëse se bëjmë kështu”, tha Haradinaj.

E deputeti nga Nisma për Kosovën, Billall Sherifi tha se ka tendencë nga të gjithë që të keqpërdoret ky ligj. Ndërsa kërkoi nga pozita e opozita, që t’i lënë këto goditje të ulta.

Sherifi: ka tendencë nga të gjithë që të keqpërdoret ky ligj

“Ministër merreni rolin që e keni tani. Mos na i leni neve. Sepse lehtë është me ardh me thënë shihe ne e kemi pru ligjin këtu tash ju deputetët merruni vesh. Po e po e sheh që s’po mujm me u marë vesh. Merreni rolin që e keni  dilni me një propozim konkret, përtej kësaj që keni ardh, sepse kemi ngec në ashtuquajturën fazë procedurale dhe veç po sillemi ne të njëjtin vend. Rrafsh dy orë jemi duke biseduar për këtë. Pretekst e kemi procedurën dhe të gjithë jemi futur në përmbajtje. Nga të gjithë ka tendencë me u keqpërdor ky ligj, duke filluar nga opozita duke thënë se ky ligj shkel të drejtat e punëtorëve, e deri te mazhoranca, që thotë ju jeni kundër përfundimit të mandatit të EULEX-it . Ti lëmë këto goditjet të ulta nga dy anën në momentin kur kemi nevojë dy palët të fillojmë shqyrtimin”, tha ai.  .

Ndërkaq deputeti Milaim Zeka tha se kjo është iniciativa më e guximshme e qeverisë në mandatin e vet. Ndërsa theksoi se nuk po e kupton qëndrimin e opozitës, e cila sipas tij po shet demagogji.

Zeka: Deputetët ka mundësi të jenë aksionar të faqeve të zeza

“Nuk po e kuptoj qëndrimin e opozitës që prapë po shet demagogji. Në një anë po dojmë me i mborj të drejtat e punëtorëve, në një anë bllokon një procedurë...E tha ministri i drejtësisë që nuk jemi aksionar. Ai mundte me fol  për vete. Se ka mundësi që deputetët këtu janë aksionar në faqe të zeza e në lëndë që janë në dhomë të posaçme. Mbasi fillon me hy tërfurku atje ke me pa ti ministër kush është aksionar dhe kush po i pengon ligjet. Ne folim për të drejtat e punëtorëve po zoti e di se ku i kemi rrënjët në privatizim në krejt këto lëndë kanë me dal dhe shumë deputet të përzim“, tha ai.

Kërkesa që ligji të kalojë në procedura të përshpejtuara nuk kaloi pasi që deputetët nuk e votuan mocionin për këtë. 

***

Pas gati dy orësh diskutimesh është arritur “marrëveshja e xhentelmanëve”, siç e cilësoi, Xhavit Haliti.

Kjo ka të bëjë me Ligjin për Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ligj i cili në lexim të parë do të shkojë në Kuvend më 9 korrik.

Kjo është konfirmuar edhe nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Kemi arritur marrëveshje që në seancën e radhës të jetë pjesë e rendit të ditës, brenda muajit korrik Ministria me Komisionin do ta bëjmë amandamentimin. Para seancës do të takohemi për të trajtuar temën, dhe kjo përfundojë brenda korrikut”, tha ministri Tahiri.

Tutje u bë e ditur se në lexik të dytë, pastaj seanca do të dakordohet ndërmjet partive politike.

Seanca ka shkuar në pauzë, për të vazhduar më vonë përsëri me pikat e tjera të rendit të ditës.

Opozita kritikon Ligjin për Dhomën e Posaçme të Supremes

Partitë në opozitë kanë kritikuar Ligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Vetëvendosja, LDK-ja dhe Partia Social Demokrate në Parlament kanë deklaruar se ky ligj në fillim është paraqitur si zëvendësim i EULEX-it në Kosovë, e sipas tyre në Parlament ka ardhur krejt diçka tjetër.

Partitë opozitare janë shprehur të gatshëm ta përkrahin këtë Ligj, por që një gjë e tillë të ndodhë vetëm me bashkëpunim .

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj miratimin e ligjit e ka cilësuar si vendim të rëndësishëm edhe në raportet Kosovë-BE.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se Projektligji për Dhomën e Posaçme ka mjaft materie por i cili mund të kalohej gjatë këtij muaji me proces të përshpejtuar.

Haxhiu: Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk voton sot Ligjin për Dhomën e Supremes?

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, po refuzon që projektligji për Dhomën e Posaçme të Supremes të votohet sot.

Shefja e këtij grupi parlamentar Albulena Haxhiu, deklaroi se në asnjë mënyrë ky subjekt partiak nuk lejon votimin edhe të paktën në shqyrtim të parë, sic po kërkohet nga kreu i Qeverisë Ramush Haradinaj si dhe deputetët e Partisë Demokratike.

Ajo ka thënë se ky projektligj do të analizohet nga komisioni dhe do të diskutohet për një datë të mundshme para muajit korrik.

***

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ka nisur me debatin nëse duhet të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Kryetarja e komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se komisioni për legjislacion e ka refuzuar shqyrtimin e projektligjit, pasi është materie e gjerë dhe nuk mund të shqyrtohet me nguti.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se pasi mandati i EULEX-it ka kaluar, me këtë projektligj po bëjnë riorganizimin e dhomës së posaçme dhe po zëvendësohen gjyqtarët ndërkombëtar me ata vendor.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vetëm në qershor kanë mundur ta kalojnë këtë ligj në Qeveri dhe është në interes të Kosovës të rimarrim në pronësi ligjore këtë proces.

Haradinaj kërkon votim të përshpejtuar të ligjit për Dhomën e Posaçme të Supremes

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar nga deputetët e Opozitës në Kuvend, që të përcakohen për një datë definitive për të kaluar ligjin për Dhomën e Posaçme të Supremes.

Ai dha edhe një ide për ta votuar në parim këtë projektligj pasi sipas tij nëse nuk përfundon sot, kjo çështje nuk diskutohet deri në vjeshtë.

”Ta kalojmë sot në parim këtë ligj, kur të dojë opozita për herën e dytë le ta thonë një datë, le të përcaktohen. Mos thoni kqyrim, sepse ajo do të thotë në nëntor”.

Haradinaj kërkon votim të përshpejtuar të ligjit për Dhomën e Posaçme të Supremes

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se Projektligji për Dhomën e Posaçme ka mjaft materie por i cili mund të kalohej gjatë këtij muaji me proces të përshpejtuar.

Këto komente Kryeministri Haradinaj i dha në adresimin e tij në foltoren e Kuvendit ku po mbahet séanca e jashtëzakonshme, njofton Klan Kosova.

”Është në interesin tonë të rimarrim këtë proces në pronësi të Kosovës, njëkohësisht ligji mundet në të ardhmen të jetë objekt i studimit.

”Kjo krijon procedant tjetër dhe kërkoj të përshpejtohet procesi i zgjidhjes së anëtarëve të Kushtetueses dhe do të ishte në interes që disa tema të këtilla të kenë interesin e të gjithëve”.

”Sa i përket përmbajtjes së substancës, ju mund t’i trajtoni ato në pauza kohore, por s’do të ishte në rregull që nëse nga përgjegjësia për ta kryer këtë obligim të humbet kohë me to pasi do të mund të kish me qenë një orë e mençur për qytetarëve tanë”.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme ku do të shqyrtohet për herë të parë projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Kuvendi i Kosovës sot në seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme, në të cilët pritet të shqyrtojë në të dy leximet Projektligjin për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ndërkaq po sot do të vazhdojnë punimet e seancës plenare me pikat e papërfunduara më 6, 8 dhe 14 qershor 2018, përkatësisht votimet për propozim-rezolutat për tri interpelanca të kryeministrit Ramush Haradinaj: në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, si dhe atë për vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Më pas, do të vazhdojë seanca me pikat e papërfunduara më 14 dhe 19 qershor 2018.

Deputetët pritet të votojnë Propozim-rezolutën nga interpelanca e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018, si dhe për katër projektligje në parim: Projektligjin për aktet juridike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për miniera dhe minerale.

Seanca do të vazhdojë me votimin e katër raporteve për vitin 2017: raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si dhe raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e propozimit për formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës dhe atë në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.

Seanca pritet të përfundojë me debatin parlamentar në lidhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat