Dy mënyrat e thirrjes së seancës që presidenti t’i informojë deputetët për dialogun

Aktuale

Dy mënyrat e thirrjes së seancës që presidenti t’i informojë deputetët për dialogun

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 15:20
Hashim Thaçi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë mundësi që ta thërrasin presidentin e vendit Hashim Thaçi, për informim të dialogut me Serbinë, pavarësisht gatishmërisë së tij për të informuar ligjvënësit kosovarë.

Kjo, pasi rregullorja e Kuvendit nuk parasheh ndonjë mënyrë që deputetët të thërrasin në seanca Presidentin.

Kompetencat Kushtetuese të Presidentit parashohin obligimin që së paku një herë në vit t’i drejtohet Kuvendit përkitazi me fushë veprimtarinë e tij.

Por, janë  dy mënyra se si mund të thirret seanca e Kuvendit, kur i pari i vendit të informojë deputetët për takimet në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq, për bisedimet në kuadër të fazës së fundit të dialogut mes dy vendeve.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit, ka treguar se Presidenti mund të kërkojë nga Kryesia e Kuvendit caktimin e një seance, apo ta shfrytëzojë të drejtën e tij për të thirrur seancë të jashtëzakonshme.

“Proceduralisht, Presidenti mund të kërkojë nga Kryesia e Kuvendit që të caktoj një seancë për këtë qëllim, apo që Presidenti të shfrytëzojë të drejtën e tij për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për të informuar Kuvendin për dialogun”, është shprehur Krasniqi.

Gatishmërinë  e Thaçit  për të raportuar para Kuvendit e ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës ditë më parë.

Por, sipas Krasniqit Presidenti nuk ka detyrim për t’i raportuar apo për t’i dhënë përgjegjësi Kuvendit për punën e tij, kjo sepse Presidenti nuk bart përgjegjësi politike përballë Kuvendit dhe është i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij.

“Paraqitja e Presidentit para deputetëve thjeshtë ka karakter informues”, ka thënë Krasniqi.

Presidenti Thaçi të premten ka informuar kabinetin qeveritar për takimin e 24 qershorit të mbajtur në Bruksel.

Ai para kryeministrit dhe ministrave bëri thirrje që të ketë unitet për këtë fazë dialogu, duke ftuar edhe partitë politike që të jenë pjesë e tij.

Thaçi ka paralajmëruar se gjatë javës që vije do të thërras në takim partitë politike, shoqërinë civile për të formuar një ekip të përbashkët negociator.

Partitë opozitare LDK dhe VV, por edhe ajo e koalicionit qeverisës Nisma Socialdemokrate kanë refuzuar që presidenti Thaçi të udhëheq fazën e fundit të dialogut me Serbinë.

Ky proces pritet të përfundojë më një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

Takimi i radhës mes Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel, pritet të mbahet në mesin e muajit korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat