Zyrtari policor për të dytën herë lirohet nga akuza për zbulim të fshehtësisë zyrtare

Aktuale

Zyrtari policor për të dytën herë lirohet nga akuza për zbulim të fshehtësisë zyrtare

Më: 2 korrik 2018 Në ora: 14:05
Pamje nga gjykimi

Gjykata Themelore në Gjilan, në mungesë të provave, të hënën, e ka liruar nga akuza për zbulim të fshehtësisë zyrtare, policin Jonuz Korça.

Kjo është hera e dytë që kjo gjykatë ka marrë vendim të njëjtë për Korçën, pasi aktgjykim lirues kishte dhënë edhe më 10 shtator 2016, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi, pas shpalljes së aktgjykimit deklaroi se arsyetimi i vendimit do të jepet me rastin e përpilimit të tij me shkrim.

Sipas prokurorisë, Korça më 7 janar 2013, pa autorizim ia kishte kumtuar informatën që përmbante fshehtësi zyrtare Liridon Sylejmanit, i cili dyshohej se ka kryer vepër penale, duke  e thirr në telefon duke i thënë “ruju se po vinë me të marrë policia”.

Në procesin e rigjykimit në seancën e 22 majit 2018, në cilësinë e dëshmitarëve kishin dhënë deklaratat e tyre, kolegët e Korçës, zyrtarët policorë Burim Raqa, Skender Zeqiri dhe Zeqir Rexhepi, të cilët kishin mbetur pranë deklarimeve të dhënë në gjykimin e parë.

Burim Raqa, i cili kishte ngritur kallëzimin penal ndaj të akuzuarit Korça, kishte thënë se nga transkriptimi i marrë nga policia i akuzuari Korça kishte thënë “ruju se po vijnë me të marrë ata”, me pretendimin që kishte thënë “ruju se po vijnë me të marrë policia” pasi sipas Raqës, nga hetimi që ai kishte bërë kishte mund të konkludonte se i akuzuari Korça, kishte folur për policët.

Raqa kishte thënë se nuk kishte ndryshuar asgjë në transkriptin e dhënë nga ana e policisë, mirëpo sipas tij, nuk e ka dëgjuar audio incizimin, por vetëm atë që është shkruar në transkript.

Dëshmitari tjetër, Zeqir Rexhepi pati thënë se ai kishte komunikuar si polic me të akuzuarin Korça, mirëpo sipas tij, biseda me të nuk kishte qenë aspak për zbulim të fshehtësisë zyrtare, por për bashkëpunim.

“Unë atë ditë kur jam takuar me Korçën kam fituar përshtypjen dhe vlerësimin se ai ka dashur vetëm të bashkëpunojë për të na i ofruar personin që neve na është dashur, e jo për diçka tjetër”, kishte thënë në fund Rexhepi.

Edhe dëshmitari Skender Zeqiri, i cili tha se ka punuar si polic në atë kohë, sipas tij Korça vetëm i ka ndihmuar policisë në kryerjen e punëve të saj, e jo që ka komplikuar punët.

Në atë seancë, mbrojtësi i Korçës, avokati Besnik Berisha, kishte kërkuar që prokuroria të siguroi CD-në nga audio incizimet lidhur me transkriptet të cilat janë bërë, mirëpo që sipas tij për to nuk ekziston incizimi e që nuk dihet se si janë shkruar, propozim të cilin ia kishte aprovuar gjykata por që prokuroria kishte dështuar të siguroi CD të tillë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 5 nëntor 2013, kishte ngritur aktakuzë ndaj Jonuz Korça, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e zyrtarit policor kishte kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare” neni 433 paragrafi 1 dhe 5 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Korça më 7 janar 2013, pa autorizim i kishte kumtuar personit tjetër informatën që përmban fshehtësi zyrtare në atë mënyrë që kishte thirr në telefon Liridon Sylejmanin, i cili dyshohej se ka kryer vepër penale dhe i kishte thënë “ruju se po vinë me të marrë policia”.

Prokuroria ka pretenduar se pasi që policia kishte shkuar te Sylejmani,por  të njëjtin nuk e kishte gjetur aty, kurse ai ditën tjetër ishte lajmëruar vullnetarisht në polici, raporton betmiperdrejtesi.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 16 shtator 2016, kishte marrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Korça, me arsyetimin se nuk ishte vërtetuar që i njëjti kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet, mirëpo gjykata e Apelit e kishte kthyer të njëjtin në rivendosje më 10 shkurt 2017, me arsyetimin se nuk ishte vërtetuar saktë dhe drejtë gjendja faktike dhe se kishte pasur shkelje të dispozitave ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat