Për tre muaj Kuvendi shpenzoi 15 mijë euro për dreka

Aktuale

Për tre muaj Kuvendi shpenzoi 15 mijë euro për dreka

Më: 4 korrik 2018 Në ora: 14:16
Komisioni për buxhet dhe financa

Komisioni për buxhet dhe financa, ka shqyrtuar sot raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për tremujorin e parë të vitit 2018-të. Ajo që u vu në pah gjatë shqyrtimi të këtij raporti, ishin shpenzimet e mëdha të mëditjeve në udhëtime zyrtare si dhe ato për dreka e darka.

Sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi, i cili paraqiti para anëtarëve të komisionit raportin e shpenzimeve për tremujorin e parë 2018, tha se për këta muaj, janë shpenzuar në total të buxhetit 54.79 për qind.

Krasniqi:  Në total u shpenzuan 54.79 për qind

“Shpenzime për tremujorin e vitit 2018 në total të buxhetit janë 54.79 për qind. Nëse shkojmë sipas buxhetor të pagat edh mëditjet është qind për qind. Te mallrat dhe shërbimet është 39.06. te shpenzimet kapitale është 75.95, te subvencionet transferet është 80.32 dhe tek shpenzimet kapitale dhe në këtë periudhë tre mujore, nuk kemi pasur asnjë shpenzim, zero për qind”, tha ai.

Por kryetari i komisionit Lumir Abdixhiku kërkoi sqarim nga Kuvendi se pse janë shpenzuar 25 mijë euro subvencione për entitete publike, e cila sipas tij është shumë e lartë dhe 23 mijë euro mëditje për udhëtime zyrtare nga administrata e Kuvendit. Ndërsa kërkoi që të reduktohen ekipet e udhëtimeve, të cilat sipas tij po i ngjasojnë një ekskursioni.  

Abdixhiku: Reduktoni ekipet në udhëtime se po duken si ekskursion

“Çështja e udhëtimeve zyrtare, sipas raportit në fjalë,  deputetët i kanë bërë diku rreth 21 mijë euro shpenzimet e mëditjeve për tre muajt e parë. Në anën tjetër të stafit të administratës së Kuvendit janë 23 mijë euro. Si është e mundur që administrata e Kuvendit të ketë shpenzime të mëditjes dhe udhëtimit shumë më të larta se sa vetë deputetët. Ndoshta kishte me qenë e udhës të reduktojmë këto ekipet e mëdha, që mos të duken si ekskursion në udhëtimet jashtë vendit", tha ai.

Sekretari i Kuvendit Krasniqi  tha se për dallim nga deputetët, të cilët mbështeten dhe nga donatorët, stafi përcjellës i administratës, paguhet nga Kuvendi. E sa i përket subvencioneve, ai sqaroi për shumat që janë dhënë për paga të deputetit të ndjerë  Agim Kika dhe disa subvencione tjera të disa zyrtarëve me nevoja të veçanta, si dhe disa OJQ-ve me të cilat kuvendi ka memorandume bashkëpunimi dhe se të gjitha subvencionet sipas tij, janë ndarë me vendim të kryesisë.

Krasniqi: Administrata paguhet nga Kuvendi, e deputetët nganjëherë nga donatorët

“Sa i përket  udhëtimeve zyrtare, te mëditjet ka, është fakt 21 mijë e 205 euro, janë mëditjet për deputet ndërsa 23 mijë e 800 janë pjesa e administratës. Për shkak se këtu e kemi një situatë, kur shumë deputet në raste të caktuara dhe të komisionit, udhëtojnë në mbështetje nga donatorët. Ndërsa administrata paguhet. Kemi shumë donatorë, kemi 6 partnerë të kuvendit, të cilët bëjnë ftesa për deputetët. Ndërsa deputetët kanë nevojë që të përzgjedhin një staf të administratës dhe atëherë për këta zyrtarë, nuk them gjithmonë, por në raste të caktuara mbi 30 për qind të zyrtarëve që mbështesin punën e deputetëve shkojnë me shpenzimet e kuvendit”, tha ai.  

Ndërkaq anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së, Naser Osmani kërkoi sqarim se pse disa shpenzime të kuvendit janë bërë vetëm te një restorant.

Osmani: E pakuptimtë, gjithë këto fatura te një restorant

"Po e vërej se disa shpenzime janë bërë kryesisht te një apo dy restorante. S’ka gjasa atje me u bë ndonjë takim për nevoja të kuvendit ose takim zyrtar, sepse është në skaj të skajit të Kosovës. Aty shkojnë njerëzit veç për qejf, me kaluar ditën dhe i nënshkruajnë faturat.  E di që sekretari në këtë gjendje nuk jep përgjigje, sepse ai që jep përgjigje ai nuk vjen para nesh të jep përgjigje. Prandaj këto çështje mund të adresohen në Kuvend. Kështu që sekretarin s’po dua me ngarkuar sot se e di që s’marr përgjigje. Por gjithë ato fatura te restoranti Kuk në Brod, është e pakuptimtë”, tha ai.

Kryetari i komisionit Abdixhiku pati kritika në adresë të kuvendit dhe sa i përket shpenzimeve për dreka, të cilat sipas tij arrijnë shumen prej 250 euro në ditë.

Abdixhiku: Qysh është e mundur që Kuvendi han 250 euro dreka në ditë

"Çështja e drekave. Në tre muaj kuvendi, pjesa e anëtarëve të Kuvendit i ka shpenzuar diku 15 mijë euro dreka. Që i bie ka 250 euro dite dreke. 250 euro, është pagë mesatare e Kosovës, që Kuvendi e shpenzon në drekë. Dhe nuk e di qysh është e mundur, që një Kuvend kaq i vogël me i hëngër 250 euro në ditë drekë. Po më duket shpenzim, shpërdorim jashtëzakonisht i madh. Po më doket dhe shpërdorim i madh dhe pjesa e trajtimit të udhëtimeve zyrtare. Ju kisha rekomanduar që pjesa administrative të mos dërgojmë shumë njerëz nëpër këto udhëtime zyrtare. Ta reduktojmë sa më tepër, sepse po bëhen të tepërta”, tha ai.

Shqetësim për shpenzime në dreka ngriti dhe deputetja e VV-së Arbërie Nagavci, e cila kërkoi raporte të shpenzimeve, të cilat për një drekë arrijnë shumën prej 3 mijë e 960 euro.

Nagavci: Shpenzim për një drekë 3 mijë e 960 euro

“Shpenzime për dreke dhe subvencione. Për shembull, ka një shpenzim për drekë diku 3960 euro. A ekzistojnë raportet, qëllimi edhe këto a mund t’i kemi”, tha ajo.

E Abdixhiku kërkoi nga sekretari Krasniqi, ta di për numrin e këshilltarëve të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli. 

Krasniqi tha se Veseli ka 14 këshilltarë, të cilët paguhen nga 1040 dhe 1070 euro në muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat