Pranojnë fajësinë dy nga tre të akuzuarit për vrasjen mizore

Aktuale

Pranojnë fajësinë dy nga tre të akuzuarit për vrasjen mizore

Më: 4 korrik 2018 Në ora: 23:01
Pranojnë fajësinë dy nga tre të akuzuarit për vrasjen mizore

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot ka filluar gjykimi i të akuzuarve për vrasjen që kishte ndodhur vitin e kaluar në Vushtrri.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakollin se  në gusht të vitit 2017, në Vushtrri, në shëtitoren “ Enver Zymberi “ afër lumit Sitnica, duke vepruar së  bashku dhe me marrëveshje paraprake mes tyre, me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Sipas akuzës kjo vrasje ishte bërë në mënyrë mizore dhe për motive të ulëta.

Tutje në aktakuzë thuhet se fillimisht e pandehura Rejhan, sipas planit që  kishte bërë me të pandehurin, Liburn Ajazaj e kishte ftuar tani të ndjerin, Kujtim Meholli me telefon duke e joshur kinse për një takim dashurie.

Më pas i ndjeri, Kujtim Meholli kishte shkuar me biçikletën e tij për ta takuar të pandehurën Rejhan Ajazaj, derisa të  pandehurit Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin qenë duke e përcjellur të ndjerin.

Derisa i ndjeri, Kujtim Meholli dhe e pandehura Rejhan Ajazaj kishin qenë duke ecur, dy të pandehurit e tjerë Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin dalë herë përpara dhe herë prapa Kujtimit, dhe derisa i pandehuri Liburn Ajazaj kishte qenë prapa tyre ka filluar ta fyej tani të ndjerin.

Më pas i ndjeri iu kishte drejtuar të pandehurit Liburn Ajazaj që të merreshin vesh me fjalë por i njëjti kishte filluar që me pajser ( shufër metalike ) ta godas në ballë, goditje nga të cilat ai ka humbur vetëdijen dhe kishte rënë përtokë, ndërsa i pandehuri Liburn Ajazaj prapë kishte vazhduar ta godas prapa në kokë të ndjerin, gjithashtu edhe Qëndrim Xhakolli e kishte goditur disa herë të ndjerin thuhet në aktakuzë.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas goditjes me pajser, Liburn Ajazaj i kishte kërkuar të pandehurit Qëndrim Xhakolli që t’i heq lidhëset e atleteve që i kishte pasur i ndjeri, ku me të njëjtat ia kishte lidhur duart nga prapa të ndjerit Kujtim Meholli, ndërsa me lidhësen tjetër e kishte shtrënguar tre herë rreth fytit, duke i shkaktuar ngufatje – asfiksi, duke e lënë ashtu të lidhur në një vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës tre të  akuzuarit më pas kishin shkuar në shtëpinë  familjare të të pandehurit Qëndrim Xhakolli, kurse rreth orës 3 të mëngjesit dy të pandehurit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli kishin shkuar përsëri te lumi Sitnica dhe të ndjerin Kujtim Meholli ashtu të lidhur e kanë hedhur në lumë, bashkë me pajserin (shufrën metalike).

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” .

Liburn Ajazaj po ashtu akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve.”

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit Zejnije Kela, të akuzuarit Liburn dhe Rejhan Ajazaj kanë deklaruar se e ndiejnë vetën fajtor lidhur me veprën për të  cilën akuzohen nga prokuroria, duke shprehur keqardhje për atë se çfarë kishte ndodhur.

Ndërsa i akuzuari Qëndrim Xhakolli u deklarua i pafajshëm.

Ky pranim i fajësisë u mbështet nga ana e mbrojtësve të të pandehurve si dhe nga ana e prokurorisë, por u refuzua nga ana e gjyqtarit të rastit Tomislav Petroviq.

Gjyqtari Petroviq lidhur me arsyetimin e refuzimit të pranimit të fajësisë ka thënë se ekzistojnë lidhja objektive dhe subjektive se tre të pandehurit e kanë kryer veprën penale.

Gjithashtu meqenëse të akuzuarve në këtë rast iu skadon masa e paraburgimit, prokuroria në pikën e tretë të aktakuzës ka kërkuar nga gjykata të vazhdoj zgjatjen e masës së paraburgimit, pasi që sipas prokurorisë ekziston rreziku i kryerjes së ndonjë  vepre tjetër penale, meqenëse janë përkeqësuar tej mase raportet mes familjes së të ndjerit dhe familjarëve të të pandehurve, sepse sipas prokurorisë kanë shkëputur raportet e vëna sipas traditës me ndërmjetësimin e grupit të pleqësive.

Në  anën tjetër avokatët e të pandehurve, Imer Ahmetaj, Musa Damati dhe Zehra Verbovci kanë kërkuar që të mbrojturve të tyre tu caktohet masë me e butë, si ajo e arrestit shtëpiak.

Gjyqtari Tomislav Petroviq ka njoftuar se masa e paraburgimit për tre te pandehurit do të vazhdohet edhe për një muaj, ndërsa për shkak të  grevës në të cilën janë punëtorët e gjykatës do të bëjë përpjekje që sa më shpejt ta përpiloj vendimin e përkthyer në gjuhën shqipe lidhur me paraburgimin.

Petroviq gjithashtu ka njoftuar palët se shqyrtim i dytë gjyqësor në këtë çështje nuk do të mbahet, ndërsa palët kanë mundësi që në afat prej 30 ditëve t’i paraqesin kundërshtimet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat