Jakup Krasniqi: A kemi farë diplomacie? Duhet një reformë e thellë

Aktuale

Jakup Krasniqi: A kemi farë diplomacie? Duhet një reformë e thellë

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 17:58
Jakup Krasniqi

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës,  Jakup Krasniqi ka komentuar çështjen e diplomacisë kosovare në raport me Serbinë.

Sipas tij, në vend që diplomacia të ishte ajka intelektuale dhe atdhetare, ajo është lënë anash krejtësisht.

Me një fjalë të urtë, ai ka thënë se Kosova po e pëson për shkak të papërgjegjësisë së drejtuesve shtetërorë.

“Një traditë e jona kombëtare thotë: “Mashkullin më të mirë, më të urtë, më të guximshmin, nxirre për punët jashtë familjes (shtëpisë)”! Si po duket jo vetëm në ketë rast, ne nuk kemi mësuar nga tradita jonë dhe nuk thuhet kotë “kush nuk mëson e pëson”. Kosova po e pëson për shkak të papërgjegjësisë të drejtuesve të shtetit!”, ka shkruar Krasniqi në një koment në llogarinë e tij në Faebook.

Ky koment i nënkryetarit të Nismës Socialdemokrate vjen pikërisht në kohën kur po vihet në pikëpyetje nga partitë politike, udhëheqja e Hashim Thaçit në bisedimet me Serbinë, në Bruksel.

Më poshtë gjeni komentin e tij të plotë:

Sot me intrigoj lajmi i dhënë në mediet tona se ” Serbia është në ofensivë diplomatike kundër Kosovës”, kjo po ndodh në kohën kur udhëheqësit e lartë të shtetit tonë, gjitha energjitë e tyre politike e “diplomatike” i kanë orientuar në “normalizimin e marrëdhënieve” me Serbinë?! Me Serbinë e cila jo vetëm në krye të shtetit por edhe të diplomacisë i ka të angazhuar ekspertët e organizimit të politikave të gjenocidit në hapësirat e ish-Jugosllavisë në dekadat e fundit të shekullit XX. Madje kryediplomati ynë paska thënë: “Nuk ka shtet në Afrikë që Serbia nuk e ka një delegacion permanent që punon. Kanë paraparë një buxhet 300 milionësh, kanë angazhuar mbi 20 ekspertë në lëmin e diplomacisë që të vizitojnë shtetet qoftë për tërheqje të njohjes, qoftë për mos njohje të Kosovës”.

Ne një situatë të tillë natyrshëm shtrohet pyetja: Ku është diplomacia jonë dhe a kemi farë diplomacie?

Ne, në Kosovë jo vetëm që nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione të qëndrueshme të shtetit, por edhe më se keqi e kemi lënë DIPLOMACINË. Aty ku do të duhej të ishte ajka e politikës diplomatike, ajka intelektuale dhe atdhetare.

Një traditë e jona kombëtare thotë: “Mashkullin më të mirë, më të urtë, më të guximshmin, nxirre për punët jashtë familjes (shtëpisë)”! Si po duket jo vetëm në ketë rast, ne nuk kemi mësuar nga tradita jonë dhe nuk thuhet kotë “kush nuk mëson e pëson”. Kosova po e pëson për shkak të papërgjegjësisë të drejtuesve të shtetit!

Ne kemi pasur ku të mësojmë se si i shërbehet kombit dhe atdheut, por thjeshtë nuk po dëshirojnë ata që i kanë mundësit e vendimeve të duhura!?

Diplomacia jonë urgjentisht duhet ta filloj e realizoi një reformë të thellë. Krejt çështja është: A kanë vullnet ata që duhet ta bëjnë reformën?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat