Beqiri tregon çfarë kërkoi Mustafa nga Haradinaj mbrëmë në takim

Aktuale

Beqiri tregon çfarë kërkoi Mustafa nga Haradinaj mbrëmë në takim

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 11:53
Ramush Haradinaj, Isa Mustafa

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, ka thënë se të shtunën mbrëma Kryeministri Ramush Haradinaj ka dëgjuar refuzimin e Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa, për formatin aktual të dialogut me Serbinë. Ka thënë se LDK dhe udhëheqja e saj kërkojnë zgjedhje të reja pasi konsiderojnë se institucioneve aktuale u mungon legjitimiteti.

Beqiri ka thënë se Kryeministri kishte kërkuar takim me Mustafën ndërsa ky i fundit ka ftuar edhe disa prej zyrtarëve të lartë të Partisë për të marrë pjesë në takim.

“Është normale të ketë konsultime. LDK me liderin e saj, Isa Mustafa, është vendi kryesor ku merren vendimet më të mëdha për vendin. Edhe në takim konsultativ të mbrëmshëm me Kryeministri i është bërë e qartë se LDK nuk përkrah këto institucione sepse u mungon legjitimiteti. Prandaj, edhe Kryeministrit i është bërë e qartë se ne kërkojmë zgjedhje të reja që të dalin institucione legjitime”, ka thënë”, ka thënë Beqiri, të dielën.

Ai ka thënë se edhe liderë tjerë të partive kanë shkuar për ta parë Kryetarin e LDK’së i cili po vazhdon trajtimin pas një sëmundje disa mujore që ka pasur.

Pas takimit të mbrëmshëm, Kryeministri Haradinaj kishte thënë se ka qenë në shtëpinë e Isa Mustafës ku kanë qenë edhe disa prej zyrtarëve kryesorë të kësaj partie.

“Sot nga ora 19:00 deri në 20:00 kam qenë në vizitë te familja e kryetarit Isa Mustafa. Aty ishin edhe Lutfi Haziri, Agim Veliu, Ismet Beqiri, Kujtim Shala, Avdullah Hoti”, kishte thënë Haradinaj.

Isa Mustafa ka mbajtur para dy ditësh edhe një takim me kryetarët e degëve të LDK’së e ku është bërë thirrje për zgjedhje të reja.

Në anën tjetër, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë kërkuar përkrahjen e LDK’së në dialogun me Serbinë.

Vetëm Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, nuk e ka përjashtuar mundësinë që LDK të përkrahë Presidentin në fazën finale të dialogut me palën serbe.

Ndërsa, zyrtarët tjerë të LDK’së, kanë dalë kundër kësaj ideje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat