Dialogu, LDK e PSD të palëkundura nga qëndrimet e tyre

Aktuale

Dialogu, LDK e PSD të palëkundura nga qëndrimet e tyre

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 17:10
Ilustrim

Partitë opozitare mbeten të palëkundura në qëndrimet e tyre sa i përket dialogut me Serbinë, duke kundërshtuar që ai të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi.

Edhe pse ditë më parë kryeministri Ramush Haradinaj pohoi se ka lëvizje nga LDK dhe PSD sa i përket kësaj çështje,  të dyja këto parti vazhdojnë të mbajnë qëndrim të njëjtë.

Pas takimit që Haradinaj kishte me kreun e LDK-së Isa Mustafa, LDK sipas shefit të Grupit parlamentar Avdullah Hoti, vazhdon të ketë qëndrimin e njëjtë.

Ai tha se në takimin me Isa Mustafën, kryeministrit Haradinaj, i është bërë i qartë qëndrimi i LDK-së, lidhur me procesin e bisedimeve. Qëndrim i LDK-së sipas tij është shkuarja sa më parë në zgjedhje, nga të cilat do të dalin institucione legjitime.

Hoti: Kryeministrit iu bë i qartë qëndrimi i LDK-së

“Kryeministrit iu ka bërë e qartë qëndrimi i LDK-së, sa i përket dialogut me Serbinë. Që në parim LDK qëndron si parti për dialog. Sepse është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet. Por dialogu duhet të zhvillohet nga institucionet që janë legjitime. Për momentin nuk ka institucione legjitime, që mund të udhëheqin këto procese të rëndësishme. Prandaj e kemi bërë të qartë, që sa më parë që shkojmë në zgjedhje dhe prodhojmë institucione legjitime, është më mirë për vendin”, tha ai.

Meqenëse ishte LDK-ja ajo që inicioi tryezat me partitë politike, për të arritur konsensus për çështje me rëndësi për vendin dhe për të caktuar një datë për zgjedhje të reja, Hoti tha se së shpejti do ta thërrasin tryezën përfundimtare,  për të konkluduar se nuk është arritur dakordim mes partive politike, për ta nxjerrë vendin nga kriza institucionale.

Hoti: Shpejt do ta thërrasim tryezën përfundimtare

“Besoj që shpejt do ta thërrasim tryezën përfundimtare, për të konkluduar se nuk ka në fakt ndonjë dakordim mes të forcave politike, për ta nxjerr vendin nga kriza institucionale në të cilën gjendemi”, tha ai.

Deklaratat e kryeministrit se ka shenja pozitive dhe nga PSD-ja, sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, të udhëhequra nga presidenti Thaçi,  i mohon dhe deputeti Frashër Krasniqi.

Ai thotë se qëndrim i PSD-së mbetet që dialogun ta udhëheqë Kuvend, i cili duhet ta mandatojë dikë që i merr 2/3 e votave të deputetëve dhe ai person të jetë përfaqësues në dialog.  Mirëpo para se të vendoset kjo, Krasniqit theksoi se  duhet të vendoset për një platformë shtetërore për negociata.

Krasniqi: Nuk e di çka ka menduar kryeministri me këto shenja

“Unë nuk e di faktikisht në çka ka aluduar kryeministri dhe çka ka menduar me këto shenja. Mirëpo qëndrimi i PSD-së ka qenë që dialogun duhet ta udhëheq Kuvendi. Pra duhet ta mandatoj Kuvendi dhe duhet që para se ta vendosin udhëheqësin, duhet të flasin për platformën me të cilën Kosova po shkon në dialog. Sepse nuk ka rëndësi në fund të fundit kush e udhëheq. Ka rëndësi  në çfarë platforme udhëheq. Dhe është e qartë që Hashim Thaçi është personi më i dëmshëm, sa i përket dialogut me Serbinë në gati 10 vitet e fundit. Kështu që nuk mund të na përfaqësoj ai njeri më dhe nuk mund t’i besojmë atij njeriu, që do të zhvilloi negociata në interes të Kosovës. Unë nuk e di cilat i ka parë si shenja kryeministri. Krejt çka ka ftuar PSD-ja,  ka qenë që të merremi vesh rreth platformës tonë për negociata si shtet dhe Kuvendi ta marrë përsipër procesin e dialogut”, tha Krasniqi.

Deputeti i PDK-së Elmi Reçica thotë se koalicioni është unik sa i përket dialogut dhe udhëheqjes së tij nga presidenti Thaçi. Ai thotë se koalicioni është unik sa i përket të gjitha proceseve, që janë me rëndësi për vendin dhe nuk ka dallime në qëndrime dhe në përmbajtje. Ndërsa beson që LDK si në të gjitha proceset, do të jetë pjesë aktive dhe e dialogut me Serbinë.

Reçica: Besoj që LDK do të jetë pjesë aktive e dialogut

“Ne e dimë që LDK ka qenë pjesë e të gjitha angazhimeve, sa i përket edhe pavarësisë dhe shtet ndërtimit të Kosovës. E dimë që ka tash brenda për brenda LDK-së qëndrime të ndryshme,  por në fund besoj që LDK-ja do të jetë pjesë aktive e dialogut me Serbinë”, tha ai.

Ndërsa sa i përket  partisë Nisma Socialdemokrate,  e cila ka deklaruar se nuk e mbështet Thaçin si kryenegociator, Reçica thotë se këto ende nuk janë deklarime përfundimtare dhe se janë në diskutim e sipër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat