Haradinaj beson në heqjen e vizave, nuk ka rrezik nga Kosova

Aktuale

Haradinaj beson në heqjen e vizave, nuk ka rrezik nga Kosova

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 18:14
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Londër

Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Londër, se Kosova nuk do të mbetet peng i së kaluarës, pavarësisht se dhimbjet nga ajo periudhë janë ende të thella te popullata e saj.

Në pjesën e dytë të sesionit të parë kryeministri shprehu përkushtimin e institucioneve për të realizuar vizionin për një Kosovë sovrane, të pavarur, ekonomikisht të zhvilluar, anëtare e BE-së dhe NATO-s, në marrëdhënie të veçanta me të gjithë aleatët.

“Kosova është Evropa për shekuj dhe asgjë nuk do ta ndryshojë këtë”, tha Haradinaj, duke shtuar gjithashtu se tani Kosova dëshiron të bëhet një ofrues i sigurisë, jo vetëm një konsumues i sigurisë, krahas KFOR-it dhe NATO-s.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Haradinaj tha se rinia e Kosovës qëndron në kufij të mbyllur, në pamundësi për të udhëtuar lirshëm në Evropë.

“Duke njohur arritjet tona, besojmë fuqimisht që vendet anëtare të BE-së do t'u mundësojnë njerëzve tanë të udhëtojnë pa viza në Evropë. Unë mund të garantoj se nuk ka rrezik që vjen nga Kosova, as migrim, as krim. Por më shumë shkëmbim dhe bashkëpunim”, u shpreh kryeministri.

Para pjesëmarrësve të shumtë në këtë sesion, kryeministri Haradinaj, foli edhe për procesin e dialogut, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për dialog konstruktiv edhe për përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore.

Ai po ashtu shprehu përkushtimin e Kosovës që të jetë pjesë e INTERPOL-it dhe anëtarësimit në rrjetet për luftimin e krimit.

“Të gjitha marrëveshjet që kemi lidhur me vendet e BE-së janë respektuar në tërësi dhe nuk kemi pasur asnjë ankesë të vetme. Sipas Eurostat-it ka një rënie në numrin e kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së”, tha Haradinaj, duke shtuar se ky trend pozitiv thekson qartazi angazhimin e vazhdueshëm në dekurajimin e popullatës që të marrin rrugën e migrimit të parregullt drejt BE-së.

Ndryshe, Samiti i Ballkanit Perëndimor, i pesti me radhë, do t’i vazhdojë punimet edhe pasdite me sesionin e dytë, që do të udhëhiqet nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat