Kehoe: Irlanda do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në BE dhe OKB

Aktuale

Kehoe: Irlanda do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në BE dhe OKB

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 20:28
Paul Kehoe dhe Rrustem Berisha

Ministri i Mbrojtjes së Irlandës, Paul Kehoe ka deklaruar se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën në anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe në Kombet e Bashkuara.

Këto komente ministri Kehoe i ka bërë sot pas takimit që ka pasur me Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.

Pas takimit, ministri i Mbrojtjes së Irlandës, Paul Kehoe, që po viziton Kosovën për herë të parë, tha se gjendet në Kosovë për të vizituar trupat irlandeze që po marrin pjesë në KFOR.

Kehoe: Ne jemi shumë mbështetës për aplikimin tuaj në Bashkimin Evropian

“Ne kemi pasur diskutime të gjera me ministrin tuaj këtë mbrëmje rreth vendit tuaj dhe gjithashtu në lidhje me marrëdhëniet ushtarake, dhe planet tuaja për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ne jemi shumë mbështetës për aplikimin tuaj në Bashkimin Evropian dhe unë e di dhe e kuptoj që vendi juaj është në një proces për momentin. Gjithashtu kemi diskutuar për anëtarësimin tuaj në Kombet e Bashkuara dhe në BE, ne mbështesim anëtarësimin tuaj në Kombet e Bashkuara, mendoj se ditët më të mira do të vijnë në Kosovë dhe unë mezi pres që të kthehem përsëri këtu, për të vizituar vendin tuaj të madh dhe edhe ministri juaj tha se do të donte të vizitonte dikur Irlandën, dhe ju jeni shumë të mirëpritur të vizitoni kurdoherë. Gjithashtu ne kemi ambasadorin këtu, që do të punojë ngushtë me ministrin dhe me qeverinë për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rindërtimin e marrëdhënieve që kemi tashmë. Unë dua të falënder oj shumë ministrin për bashkëpunimin dhe ftesën e tij për ta takuar atë këtu sonte, pres që të ketë bashkëpunim më të madh midis Kosovës dhe Irlandës”, tha ai.

Ai u shpreh se ndjehen shumë të nderuar që truat irlandezë po marrin pjesë në KFOR që nga viti 1999 e deri më sot, ku ai tha janë krenar po ashtu që kanë sjellë stabilitet në Kosovë.

Në anën tjetër, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha bëri të ditur se shumë shpejt dy ministritë e Mbrojtjes do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

Po ashtu, ministri Berisha u shpreh se ka informuar ministrin Mbrojtjes së Irlandës me synimet dhe me procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.

Berisha: Do ta nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë

“Ministrin e njoftuam në pika të shkurtra me të arriturat e FSK-së, në progresin që ne kemi bërë sidomos në integrimin e komuniteteve jo shumicë, pjesëmarrjen e gjinisë femërore në strukturat e FSK-së, me objektivat tona që i kemi, me synimet dhe me procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Në të njëjtën kohë, e falënderuam ministrin e Mbrojtjes për mbështetjen dhe për përkrahjen që na e kanë dhënë në rrugëtimin tonë drejt lirisë, dhe sidomos në kohën e pas luftës dhe që ende vazhdojnë të japin përmes ushtarëve të tyre në kuadër të KFOR-it. Biseduam  për avancimin e bashkëpunimit në mes të dy ministrive në fushën e sigurisë në të ardhmen dhe besoj që shumë shpejt do ta nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit mes dy ministrive në fushën e sigurisë”, tha ministri Berisha.

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Irlandës, Paul Kehoe, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës është pritur në mënyrë solemne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat