Ka përmirësim të të drejtave të burgosurve

Aktuale

Ka përmirësim të të drejtave të burgosurve

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 09:58
Foto ilustrim

(E plotësuar) - Projekti i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të burgosurve në Kosovë, ka arritur tri rezultate kryesore.

Rritja e profesionalizimit të stafit të burgjeve, ka përforcuar masat mbrojtëse që synojnë sigurimin e mbrojtjes më të mire të të drejtave të të burgosurve, si dhe ka përmirësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor.

Projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, me qëllim për të rritur mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të burgosurve në përputhje me Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose ndëshkimit Çnjerëzor. 

Me rastin e publikimit të këtyre rezultateve Shefi i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Prishtine, Luigi Brusa, tha se ky projekt i kontribuon promovimit të të drejtave të njeriut në burg.

"Parimi i të drejtave të njeriut nënkuptohet kur një person është në vështirësi dhe personat që janë në burg janë në një pozitë më të dobët, dhe për këtë sistemi i burgut duhet të synojë në rehabilitimin e njerëzve që janë në një pozitë të cenueshme. Është po ashtu e rëndësishme që sisteme të punojë që këta persona të integrohen në shoqëri. Ky projekt i kontribuon promovimit të të drejtave të njeriut në burg", tha ai. 

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se kanë bërë përmirësime në ofrimin e shërbimeve për të burgosurit, por që sipas tij ende ka vështirësi në këtë aspekt.  "Ne kemi ende vështirësi për ofrimin e shërbimeve për të burgosurit. Mbetet ende të kemi një synim qe të punojmë gjithnjë duke respektuar të drejtat e njeriut dhe rekomandimet që i kemi. Konsiderojmë që ato që i kemi arritur deri më tani mund të vlejnë si udhërrëfyes për vendet tjera", tha ministri. 

Buxheti i përgjithshëm i projektit ishte 620 mijë euro, ndërsa ka filluar më 1 tetor 2016 dhe pritet të përfundojë deri më 31 gusht.

***

Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë, Këshilli i Evropës dhe Qeveria e Kosovës do të paraqesin arritjet e projektit "Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të burgosurve në Kosovë".

Ngjarja mbahet në Swiss Diamond Hotel nga ora 09:45.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat