Administrata e Gjykatave dhe Prokurorive e vendosur në realizimin e kërkesave të tyre

Aktuale

Administrata e Gjykatave dhe Prokurorive e vendosur në realizimin e kërkesave të tyre

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 14:59
Komisioni për Legjislacion

Administrata e Gjykatave dhe Prokurorive e vendosur në realizimin e kërkesave të tyre

Asllan Rusinovci nga Sindikata e Judikaturës para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, ka shpalosur kërkesat që kanë grevistët, duke thënë se nuk do të ndalen deri në realizimin e e tyre.

Ai theksoi se që nga janari është kërkuar nga punëtorët që të ndërmerret diçka për t’ua përmirësuar kushtet punëtorëve të administratës në gjykata dhe prokurori.

Rusinovci: Kemi katër kërkesa

“Kërkesa i kemi prezantuar, prapë po e potencoj, rritja e pagave për gjithë të punësuarit në gjykata dhe prokurori prej 100 për qind, pastaj e kemi pasur kërkesën e dytë me rastin e amendamentimit të ligjit të pagave. Punonjësit e gjykatave dhe prokurorive ta kenë një tretman specifik, të posaçëm nga administratat tjera, kur dihet se një pjesë e juaja punoni edhe në gjykata, aty punohet shumë, janë të ngarkuar shumë, andaj kemi vlerësuar se duhet ta kemi një status të veçantë. Kërkesa e tretë ishte të rregullohet statusi i punonjësve në gjykata dhe prokurori, një status në një mënyrë kemi thënë të jemi shërbyes civil, por të kemi specifika të veçanta. Dje i është shtuar edhe një kërkesë e katërt, që e kemi bërë, ishte pagesa e përvojës së punës”, tha Rusinovci.

Sadri Llumnica nga Prokuroria e Apelit tha se situata është e rëndë e punëtorëve të administratës. Derisa ka kërkuar ndihmën e deputetëve të Komisionit për Legjislacion.

Llumnica: Adresoni kërkesat tona

“Ju lutëm përdoreni autoritetin e juaj dhe adresoni kërkesat tona, se vërtetë nuk an duke dëgjuar. Nëse besoni zotin situata është kështu. Punojmë punën e njëjtë, përgjegjësinë e njëjtë, njëri koeficientin me të lartë, tjetri me të ulët. Shikoni çfarë koeficientesh ka në dy sekretariatet e këshillave. Kam kërkuar me kryetarin e sindikatës së judikaturës me shkresa që të na paguhet dy euro transport, kurrë nuk dëgjojnë, a është e drejtë kjo. Por edhe juve ju kritikoj, sepse nuk ka ditë që nuk shkoni në Shqipëri, Maqedoni, Mal të ZI, për ta nxjerrë një rregullore apo ligj dhe mëditjet në xhep”, theksoi Llumnica.

Anëtarët e këtij Komisioni pa dallim partie kanë përkrahur kërkesat e punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive të Kosovës.

Megjithatë, bashkë me këshillin grevist të ftuar në Komisionin për Legjislacion ishin edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, kryetari i KPK-së Blerim Isufaj dhe ai i KGJK-së, Nehat Idrizi.

Për këtë, kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu, e ka quajtur papërgjegjësi totale mos ardhjen e tyre në Komision, ani pse kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Haxhiu: Është papërgjegjësi totale edhe e KPK-së dhe KGJK-së

“Këta përfaqësues që sot mungojnë i kanë pasur njoftimet e kohë, por po ashtu kemi pasur konfirmimet që do të jenë të pranishëm dhe në moment të fundit gjegjësisht pak para së të fillonte ky takim, ata nuk tregojnë arsyen se pse nuk vijnë dhe nuk janë të pranishëm. Kjo është papërgjegjësi edhe e  ministrit të Drejtësisë,  i cili iu takoj dje vetëm pasi iu kishte takuar Komisioni për Legjislacion. Është papërgjegjësi totale edhe e KPK-së dhe KGJK-së që ende nuk ka dal në mbrojtje te të drejtave të punëtorëve”, tha Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ua ka konfirmuar përfaqësuesve të Këshillit Grevist se ata përkrahin plotësisht kërkesat e tyre. Por, ai ka kërkuar që të arrijnë një zgjidhje me KPK-në dhe KGJK-në, që të fillojnë punën por me kusht që të realizohen kërkesat e tyre me ligjin për pagat.

Beqa: Përkrahim kërkesat e juaja plotësisht

“Ne do t’u përkrahim në kërkesat e juaja që vijnë në mënyrë ligjore. Edhe këto kërkesa konsiderojmë që janë shumë kërkesa të drejta, por duhet, e pash që nga dje paskeni avancuar, paska takime me intensive edhe me KGJK-në edhe KPK-në, mendoj që duhet të bëni një zgjidhje, ta bëni një pakt apo një marrëveshje që të drejtat të realizohen dhe puna të filloj me kusht sepse ju jeni në sistem të drejtësisë ka edhe dënime me kusht. Me kusht që të përfshihen kërkesat e drejta të juaja”, u shpreh Beqa.

Edhe deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, u ka thënë grevistëve se adresa e tyre është Qeveria, derisa ligjvënësit do t’i mbështesin kërkesat e tyre në Kuvend.

Ai theksoi se përfaqësuesit e grevistëve duhet të shkojnë të shikojnë ligjin për pagat i cili është duke u përgatitur dhe të diskutojnë për koeficientin e tyre.

Demaliaj: Adresa e juaj është Qeveria

“Unë ju kisha lutur, nuk është momenti që mundet me lëviz buxheti. Që mund të keni mirëkuptim dhe Qeveria ka mjete se kryeministri nuk është këtu, unë kërkoi që adresa e juaj është Qeveria, është krejt nëpërmjet mekanizmit sindikal, mekanizmit të odës ekonomike, atje është adresa. Është e domosdoshme t’i takoni edhe deputetët pse jo, kërkesat juaja vijnë përmes këtyre dy mekanizmave që thashë, KGJK-ja dhe KPK-ja. Kur jemi këtu është mirë t’iu ktheheni punës, kemi kërkesa krejt organizimit civil”, theksoi Demaliaj.

Për deputetin LDK-së, Korab Sejdiu, situata është e keqe, sepse pakënaqësitë nuk janë vetëm në sektorin gjyqësor, por edhe në sektorët tjerë.  

Sejdiu: Po vjen puna e trazirave sociale

“Po vjen puna e trazirave sociale, të pakënaqur nuk jeni vetëm ju, të pakënaqur janë edhe mjekët, edhe zjarrfikësit, edhe minatorët, edhe policët, edhe me shku kështu të secili sektor i shoqërisë sonë. Pakënaqësia e tyre nuk ka të bëjnë me kushtet e vështira në të cilat ata jetojnë dhe veprojnë, por ka të bëjë me padrejtësinë që po iu bëhet atyre, tretmanin e padrejtë. Greva ka filluar me 4 korrik, shumë mirë që kemi shku ne dje e i kemi qu prej gjumi ata që janë përgjegjës drejtpërdrejtë”, theksoi ai.

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion edhe gjatë ditës së djeshme kanë qenë në Pallatin e Drejtësisë për t’i vizituar grevistët. Ndërsa, menjëherë pas tyre, ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat