Bashkëpunimi me shtetin gjerman, i nevojshëm për Kosovën

Aktuale

Bashkëpunimi me shtetin gjerman, i nevojshëm për Kosovën

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 12:23
Ramush Haradinaj priti në takim Kerstin Zielosko-Labonte

Shkëmbimi i nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve me institucionet e njohura gjermane është veprim i duhur dhe Qeveria e Kosovës mbështet nisma të tilla, që kanë për qëllim ngritjen e nivelit të arsimit në vend.

Kështu tha sot kryeministri i  Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim Kerstin Zielosko-Labonte, zyrtare e Lartë nga Ministria e Kulturës dhe Sportit nga Baden Wurttemberg i Gjermanisë dhe koordinatore e projekteve në fushën e arsimit, Gjermani-Kosovë.

Me këtë rast,  Haradinaj e ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë Kosovës në shtetndërtim, veçmas në fushën e arsimit përmes memorandumeve të bashkëpunimit ndërmjet dyja vendeve, memorandume këto që kanë dhënë rezultate në këmbimin e përvojave dhe njohurive të shumë nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve nga shumë Komuna të Kosovës.

“Nxënësi i Kosovës është edhe i Gjermanisë, është nxënës evropian. Ky është orientimi ynë dhe çdo nismë për të fuqizuar këtë do të përkrahet nga Qeveria e vendit”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar zonjën Labonte për marrëveshjet e deritashme dhe duke e inkurajuar që të ndodhin edhe të tjera, si ajo mes Education Unlimited dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë.

Ndërkaq, Kerstin Zielosko-Labonte, zyrtare e Lartë nga Ministria e Kulturës dhe Sportit e Baden Wurttemberg, vlerësoi progresin në Kosovë, duke ofruar mbështetjen e mëtutjeshme për Kosovën, me theks në fushën e arsimit, trajnimin e nxënësve, studentëve dhe mësuesve në programe specifike, organizmin e kampingjeve verore për nxënësit dhe të rinjtë në disa komuna të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat