Nënkryetari i PDK-së reagon pas ndalimit të valëvitjes së flamurit të Kosovës në Rusi

Aktuale

Nënkryetari i PDK-së reagon pas ndalimit të valëvitjes së flamurit të Kosovës në Rusi

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 12:44
Pamje nga Kampionati Boteror ne Rusi

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, ka reaguar pas ndalimit të valëvitjes së flamurit të Kosovës në Kampionatin Botëror të Futbollit që u mbajt në Rusi.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se ndalesa e tillë është politike dhe e papranueshme për botën e sportit kudo në botë.

Ai tutje ka shtuar se sportistët e Kosovës, për vetëm një dekadë të ekzistencës së shtetit të pavarur, i kanë dhuruar spektakël të jashtëzakonshëm mbarë botës.

Ky është postimi i plotë i Hotit në Facebook:

 “Me keqardhje mora lajmin për ndalimin e valëvitjes së flamurit të Republikës së Kosovës në Kampionatin Botëror të Futbollit Rusia 2018, ani pse FIFA u lejon 211 anëtarëve të saj përdorimin e flamujve, pjesë zyrtare e së cilës është edhe vendi ynë.

Edhe më shqetësuese është e dhëna se flamuri i Republikës sonë është renditur në të njëjtën listë me flamujt e organizatave terroriste.

Nuk dua t’i kujtoj Këshillit Organizativ të Botërorit në Rusi, se jo shumë kohë më parë, aty u valëvit flamuri i shtetit tonë kur fituesja e medaljes së Artë e Kampionatit Botëror dhe Olimpiadës, Majlinda Kelmendi, u shpall Kampione Evropiane e Xhudos, pikërisht në Rusi.

Kjo ndalesë është kryekëput politike dhe e papranueshme për botën e sportit kudo në botë.

E dënoj fuqishëm aktin e ndërhyrjes së politikës në sport.

Sportistët e Republikës së Kosovës vetëm për një dekadë të ekzistencës së shtetit të pavarur e sovran, i dhuruan spektakël të jashtëzakonshëm mbarë botës.

Ata nuk e meritojnë që identiteti i tyre i ligjshëm dhe legjitim të dhunohet në forma të papranueshme politike.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat