Veseli: Brenda një ore do të kemi rekomandimin pozitiv për vizat

Aktuale

Veseli: Brenda një ore do të kemi rekomandimin pozitiv për vizat

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 11:14
Kadri Veseli

Delegacioni nga Kosova që po qëndron në Bruksel është shprehur i bindur se rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, i cili do të publikohet sot do të jetë pozitiv.

Delegacioni nga Kosova është takuar me përfaqëuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini ku pas takimit për gazetarë kanë dhënë deklarata kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Të dy këta janë shprehur optimist se raporti i KE-së do të jetë pozitiv ndërsa deri në fund të vitit qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Kryetari i Kuvendit këtë moment  e ka quajtur historik duke treguar se në orën 11 e 30 eurokomisionari Dimitri Avramupolus do të japë lajmin e mirë.

Veseli: Rekomandimi për vizat do të jetë pozitiv 

“Lajm shumë i mirë. Në orën 11:30, eurokomisioneri Avrampolus do ta japë lajmin pozitiv. Rekomandimi pozitiv është për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Ky është hapi i parë, është hapi historik. Në të njëjtën kohë të gjithë ishim në takim me komisioneren Mogerini, për të treguar se jemi unik në dialog, si shtet i pavarur dhe sovran. Dhe nga dialogu presim që Kosova të jetë anëtare e Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Presim njohjen e shtetit të pavarur nga Republika e Serbisë”, tha Veseli.

Ai tha se pala e Kosoves do paqe dhe perspektivë në Kosovë dhe në Serbi, por natyrisht si dy shtete të pavarura.

Veseli shpreson se në këto takime shumë shpejt do të jetë edhe opozita.

Veseli: Edhe opozita shumë shpejt në këto takime

“Presidenti i vendit është figura unifikuese e cila na përfaqëson. Jemi në takime intensive. Edhe opozitën do ta kemi shumë shpejt në këto takime. Tjetrën herë shihemi edhe me opozitën. Për Kosovë jemi të gjithë bashkë. Pozitë dhe opozitë”, tha Veseli.

Njëjtë sikurse Veseli, optimist për liberalizimin e vizave është shprehur edhe kryeministri  Ramush Haradinaj.

Sipas tij pjesa më e vështirë mbetet  tek Këshilli i Ministrave të shteteve të BE-së, ku sipas tij do të jetë pak më vështirë.

Haradinaj: Liberalizimi i vizave këtë fundvit

“Komisioni sot e jep vlerësimin, Parlamenti Evropian më 29 ose 30 gusht besoj, pastaj edhe Këshilli i ministrave, seksioni i vizave do të kalojë në nivel të ministrave të rendit, aty është pak më vështirë por jemi me shpresë të madhe që me sot po e përmbyllim një temë shumë të rëndësishme për qytetarët e vendit, lëvizja e lirë, jemi në moment të suksesit......ajo pjesa e tretë të flas ashtu, ministrat e rendit, ajo është pak më e ndjeshme, aty duhet më shumë kujdes, duhet punë. Por shpresat janë reale që në fundvit”, tha Haradinaj.

Pas takimit të  delegacionit nga Kosova me Mogherinin presidenti Hashim Thaçi ka filluar takimin me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat