Kadri Veseli, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, e ka cilësuar lajm të mrekullueshëm rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai ka thënë se Kosova e ka pritur shumë gjatë dhe e ka merituar këtë vendim.
Ai tutje ka shkruar se angazhimi i Kosovës në rrugën evropiane duhet të vazhdojë edhe më tutje, dhe se tani i takon Bashkimit Evropian për t’ua lejuar qytetarëve kosovarë lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
Postimi i plotë:
“Lajm i mrekullueshëm për Kosovën. Komisioni Europian rekomandon liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. E kemi pritur këtë vlerësim dhe e kemi merituar këtë vendim. Kemi bërë përparim të madh, një punë të jashtëzakonshme, por angazhimi ynë në rrugën europiane duhet të vazhdojë edhe më tutje. Tani, i takon BE-së për t’ua lejuar qytetarëve kosovarë lëvizjen e lirë në Zonën Schengen. Shpresojmë që edhe kjo të ndodhë sa më shpejtë, sepse e meritojnë qytetarët tanë. Urime!”