Hasan Huskaj thotë se ish gruaja ia mori pa të drejtë gjysmën e pronës

Aktuale

Hasan Huskaj thotë se ish gruaja ia mori pa të drejtë gjysmën e pronës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 korrik 2018 Në ora: 13:59
Prona e kontestuar, për të cilën vendimi përfundimtar do të merret në gusht

Hasan Huskaj, e konsideron të padrejtë vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me anë të të cilit, gjysma e shtëpisë në fshatin Lubeniq, i takon ish gruas së tij, Zyrafete Idrizaj. Huskaj, i cili ka nënshtetësi norvegjeze, në një rrëfim ekskluziv për “Bota sot”, thotë se gjysma e shtëpisë dhe objektet përcjellëse, i janë lënë pa të drejtë ish gruas së tij, ndërsa i quan të pavërteta pretendimet e saj se, ka kontribuar në ndërtimin  e shtëpisë.

Hasan Huskaj, qytetar i Pejës që jeton dhe vepron në Norvegji, ka treguar rastin e tij për “Bota sot”.

Bëhet fjalë për një tokë dhe shtëpi që ai e posedon në fshatin e tij të lindjes, Lubeniq të komunës së Pejës.

Gjykata themelore në Pejë, ka vendosur që gjysma e asaj shtëpie, t’i takojë edhe ish gruas së tij, me të cilën është i divorcuar.

Huskaj thotë se, atë tokë e ka të trashëguar nga babai i tij, ndërsa ndërtimin e shtëpisë e ka nisur para se të martohej me ish gruan, Zyrafete Idrizaj dhe se ndërtimi i plotë ka filluar tek pasi është ndarë nga gruaja.

Ata janë ndarë në vitin 2002 në Norvegji përmes ligjeve të atij shteti.

“Ajo e ka pasur emrin Zyrafete Idrizaj  nga fshati Kodrali i Deçanit. Ne jemi nda në vitin 2002, në Norvegji përmes Gjykatës dhe ligjeve që i ka Norvegjia.

Ligji ka vendosur që ajo të ketë përkujdesjen e fëmijëve, kurse mua më ka obliguar të paguaj alimentacion për fëmijët. Mua parat mi merr drejtpërdrejt shteti, e jo përmes saj.

I kam tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem. Unë duhet të paguajë për fëmijët e mi deri sa t’i bëjnë 21 vjet, nëse e vazhdojnë shkollën, nëse jo deri në 18 vjet.

Në Norvegji e kemi vendbanimin dhe aty e kemi bërë ndarjen. Jetojmë në qytetin e Norvegjisë, Kristiansand, atje të dytë e kemi shtetësinë e Norvegjisë. Pasi jemi ndarë, nuk kemi pasur asnjë problem, por kemi pasur një bashkëpunim për shkak se shteti na obligon të kemi më shumë kontakte për shkak të fëmijëve”, tregon Huskaj.

Tentimi për të hyrë në shtëpi pa leje

Por, problemi i Hasan Huskajt, me ish gruan e tij, nis me fejesën e vajzës 18 vjeçare, e cila siç thotë ai ka ndodhur tinëz, pa dijeninë e tij si prind.

Image
Hasan Huskaj

Hasan Huskaj, e quan këtë fejesë si shfrytëzim për t’ia bërë letrat të fejuarit në mënyrë që,  vajza t’i kërkoj para nga ndikimet e të tjerëve, respektivisht ish gruas dhe vëllezërve të saj.

“Në vitin 2014, kanë ardhë e kanë fejuar vajzën këtu tinëz meje për tezakun e zëvendës komandantit të Policisë në Pejë, Teki Syla. Unë nuk kam ditur asgjë, veç çfarë kam dëgjuar prej të tjerëve.

Vajza e ka emrin, A. Huskaj, ajo u fejua në 2014, me t`i mbushur 18 vjet. 

Ata e kanë përdorur vajzën qysh po e shoh këtë edhe qysh kam dëgjuar, si një lloj pagese për t’ia bërë letrat atij djalit në mënyrë që këta të më bëjnë presion për të më marrë mua para. Pra ish gruaja me gjithë vëllezër”, vazhdon Huskaj.

Një bashkëpunim mes ish miqve të tij (familjarëve të ish gruas) dhe policisë,  gjithnjë sipas Hasan Huskajt, ka bërë që atij t’i bllokohet toka që e ka pasur të trashëguar nga familja, ndërsa rrëfen edhe kërcënimet nga familjarët e ish gruas.

“Në 2014, mua nuk më ka treguar askush që është fejuar vajza, vetëm kur kam dëgjuar prej të tjerëve. Nuk e kam ditur për kënd është fejuar, por unë e kam lënë atë punë sepse vajza sapo i pati mbushur 18 vjet. Në 2015, kanë dashur të martohen dhe së bashku me policinë e të tjerët, kanë thënë “hajde se ne i`a marrim shtëpinë”, tash unë po mendoj kështu. Ata i kanë thënë ish gruas  hajde hyn në shtëpi e bllokoja shtëpinë. Vëllai i ish gruas e ka emrin R. I.; Ky më ka kërcënuar edhe me jetë. Ish-gruaja ka ardhur për të hyrë në shtëpi. Mua më kanë lajmëruar që kanë shkuar dhe ka hyrë në shtëpi”, thotë Huskaj.

Ai vazhdon tutje duke treguar se si kishin tentuar ta mashtrojnë djalin e tij me probleme mendore dhe si të armatosur disa persona (familjarët e ish gruas), kishin qëndruar në oborrin e shtëpisë në Lubeniq, ndërsa djalin e tij e kishin detyruar të shkojë tek vëllai i tij për t’i marrë çelësat e shtëpisë e për të hyrë brenda.

“Unë e kam një djalë me një grua tjetër dhe në atë kohë ka qenë me probleme mendore. Ajo e ka mashtruar djalin dhe e ka marrë me vete. Unë nuk e kam ditur që ajo ka ardhë me djalin. I kanë thënë atij hajde se do të shkojmë në dasmë. Kur kanë zbritur në aeroport janë nisur direkt për në Lubeniq. Djali u ka thënë se qysh me shku në Lubeniq pa e dit baba. Kur kanë shkuar në Lubeniq, ai vëllai i ish gruas,  R.. i armatosur ka shkuar më herët te vëllai im me dy veta të tjerë të armatosur dhe kanë qëndruar në bahçe. Ata i kishin zënë pozicionit duke ruajtur në bahçe. I kam filmimet që ata kanë qenë duke ruajtur të armatosur në bahçe. Pastaj e kanë detyruar këtë djalin tim të sëmurë,  që të shkojë ti marrë çelësat e shtëpisë për të hyrë brenda.

Image
Prona e kontestuar, për të cilën vendimi përfundimtar do të merret në gusht

Djali ka shkuar për çelësat, por te vëllai i kanë thënë që nuk i kanë, kur është kthyer u ka treguar atyre, këta përsëri kanë bërë presion dhe djali nis me qa.

Vëllai i ka thënë që mund ta japim numrin e thirre babanë tënd. Kthehet ky andej duke qarë, por tani nuk e di se si e kanë hapur derën e oborrit dhe kanë hyrë brenda. Kur kanë hyrë brenda nuk e di a ka qenë qëllimi për të më vrarë mua kur të shkojë në shpi dhe për t’ia lënë fajin këtij djalit të sëmurë”, tregon Huskaj për “Bota sot”.

Sipas tij, ish gruaja ka bërë propagandë tek policia norvegjeze kinse shqiptarët i mbysin fëmijët dhe për atë arsye i ka marrë me vete pa lejen e tij.

“Unë e kam njohur një polic, i kam treguar se si më kishte ndodhur rasti që ma kanë uzurpuar shtëpinë. Ish gruaja në Norvegji ka deklaruar se është e rrezikuar prej meje që ne shqiptarët i mbysim gratë. Në realitet ajo e ka marrë fëmijën si rob e ka sjellë këtu. Ajo nuk guxon me nxjerr fëmijën prej Norvegjisë pa e marr lejen prej meje. As unë nuk guxojë me marrë pas pasur leje prej asaj”, thekson Huskaj.

Kërcënimi me jetë

Ai e tregon momentin se si policia i ka larguar nga shtëpia e tij, familjarët dhe ish gruan e tij, pasi ata nuk kanë poseduar asnjë dokument që ta dëshmojnë se shtëpia është e tyre.

“Kur e thirra atë policin i tregova se si më kishte ndodhur. Ai më tha që nuk duhej të shkoja në Lubeniq, sepse kishte frik se mund të më bënin diçka. Nuk dua t’ia përmendi emrin.

Po ai e ka dërguar një patrullë. Kur ka shkuar patrulla ata kanë rënë në kontakt me Policinë. Më thirren mua, policia i qiti ata prej shtëpisë. (I kam pasur edhe pamjet, por policia mi kanë shlyer pamjet). Kur kanë shkuar policia ajo u ka thënë se është shtëpia e saj. I kanë kërkuar dokument asaj. Ajo nuk ka pasur dhe e kanë nxjerr nga shtëpia”, tregon Huskaj.

Huskaj tregon se, djali i kishte treguar se kur kanë dalë në fund të katundit është ndal një autobus dhe prapa autobusit është ardhur ky R. dhe kur ka ardhur u ka thënë se tash e merrni vesh se çfarë kam për t’i bërë babait të juaj.

“Kam me ia bërë trupin blozhë automat”. Djali ia ka nis me qajtë se e kanë parë që e ka automatin me vete në kerr. Këtij djalit të madh të sëmurë i thotë s’ki qare pa ardhë për tu nënshkruar në komunë apo në gjyq me gjithë djalin e vogël, t`ia marrë tokën dhe shtëpinë”, tregon tutje ai.

Sjelljen e keqe të policisë, Huskaj e tregon edhe në një lokal të Pejës, ku sipas tij, një polic i kishte thënë djalit se “çfarë babai të poshtër paskeni ju”, e gjithashtu tregon edhe momentin kur kanë shkuar në stacionin policor.

Pas kërcënimit që u`a kishte bërë, Huskaj tregon se polici në fjalë ishte ulur në një tavolinë tjetër ku ka qenë vëllai i gruas, R. dhe një tezak i tij përkatësisht i fejuari i vajzës.

Pasi kishte shkuar për ta dhënë deklaratën në Polici, Huskaj ua kishte treguar dokumentet për shtëpinë duke u thënë se shtëpia është e tij.

“Tash në atë moment ka hyrë Teki Syla, e më ka thënë se për çka i ndalë t`i ata e nuk i lë të shkojnë në shtëpi. Po i ndali i thash se është shtëpia e ime. Ai më pyeti a janë fëmija tu. I tregova që me marrëveshje të Norvegjisë është e caktuar se sa kohë duhet ardhur tek unë e sa të nëna e tyre. Ai më tha se këtu është Kosovë e jo Norvegji, dhe i tha hetuesit H.K. ta ndalë hetimin”, shton ai.

Huskaj tregon se i`a kishte sqaruar zv/komandantit Teki Syla, në bazë të ligjeve të Norvegjisë, dhe vendimit të gjykatës, se fëmijët mund të hyjnë në shtëpi kur e kanë të caktuar.

“Ky Teki Syla u kthye e më tha se më mori komandanti në telefon se pala tjetër që është aty jashtë ka gjetur intervencë të fortë te komandanti. Komandanti ka qenë Ndue Nikolla, por ky Ndue Nikolla në atë kohë ka qenë në Shëngjin. Dafnis Curri i tha atij që le ti merr ajo fëmijët e le t’i qon në hotel se ky i paska dokumentet që obligimin e vet pe paguaka. Në atë kohë jemi quar dhe kemi dal jashtë. Kur dolëm jashtë një polic më tregoi se Tekiu është zëvendëskomandanti. Pas kësaj deklarate nuk kam ditë gjë veç kur më ka ardhë një letër se ma kanë bllokuar tokën. Letra më ka ardhë prej Gjykatës Themelore në Pejë. Aty në letër shkruan se gjoja janë investuar 160 mijë euro në shpi në katund. Shtëpia i ka 83 m2. Vendimin e ka marrë gjyqtarja Merita Baloku. Ne nuk e kemi investuar atë shumë, edhe shtëpia ende nuk është e kryer”, thotë Huskaj.

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Gjykatësja Meria Baloku, ka thënë se si gjykatëse nuk ka çka e komenton më tepër rastin.

Po ashtu, ajo ka thënë se pala e pakënaqur tashmë e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës.

“Lënda me numër C.nr. 846/15 ku palë në procedure janë Zyrafete Huskaj nga fshati Lubeniq K – Pejë, pala paditëse dhe Hasan Huskaj nga fshati  Lubeniq K- Pejë, pala e paditur , me date 20.01.2017 gjykata themelore e Pejës ka marr aktgjykim, ndërsa me date 05.04.2017 kjo lende ka shkuar ne Gjykatën e  Apelit për vendosje lidhur me ankesën qe e ka parashtruar pala e paditur. Andaj unë si gjyqtare nuk kam çka të komentoj rastin në fjalë pasi që e gjitha është e paraqitur në Aktgjykim, dhe se pala e pakënaqur ka pasur mundësin të cilën edhe e ka shfrytëzuar me paraqitjen e ankesës për në gjykatën e shkallës së dytë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatëses Merita Baloku dhënë gazetës “Bota sot”.

Se shtëpia në Lubeniq të Pejës i takon atij, Huskaj, thotë se mund ta dëshmojë me kohën kur ka filluar të ndërtohet, para se të njihet me ish gruan, që po i kërkon pjesë aty.

Sipas llogarive të tij, ish gruaja Zyrafete Idrizaj  nuk ka mundur të fitojë aq shumë të holla sa ka punuar, për të investuar në shtëpi.

“Shtëpinë unë e kam nis me ndërtu para se me njohtë gruan që jam nda me ta. Kur e kam ndërtuar bodrumin dhe katin e parë, unë nuk e kam njohur atë në atë kohë. Atë shtëpi e pata ndërtuar për pleqtë se patën mbet në një shtëpi të vjetër. Pas luftës në vitin 2001 ja pata qit kulmin. Në vendim shkruan se gjoja janë investuar 160 mijë euro bashkë me gruan. 150 mijë euro është vlerësuar shtëpia e 100 mijë euro garazhi me kocka.

Edhe doli që ajo ka punuar prej vitit 2001 në Norvegji me një pagë prej 2800 deri në 3 mijë euro. Por, ajo në fund të 2006 ka filluar të punojë si praktikante përmes birovit, gjashtë muaj njëherë e gjashtë muaj edhe njëherë.

Ajo nuk llogaritet rrogë, edhe aty merr pak. Po kur ka pas me dalë prej shtëpisë unë i kam ndihmuar me shefin se gjoja ajo është duke punuar.

Argumentet kundërthënëse

Në fund të 2009 ka filluar në një restorant/dyqan me 16 orë në javë. Prej vitit 2007 deri në 2012, krejt rrogën nëse e ka kursyer, nuk kish mundur t`i bëj 160 mijë euro”, tregon Huskaj.

Probleme, Huskaj kishte edhe në gjykatën themelore në Pejë, pasi që aty nuk i janë përshtatur saktësisht disa dokumente siç thotë ky, në lidhje me pagën e ish gruas dhe me djalin që e kishte me një grua tjetër.

“Në 2015 shkova te gjyqtarja. I kërkova asaj i thash a bon asaj me i pa dokumentet. Ajo i tha asistentes për të ma dhënë një kopje. Kur e lexova kopjen e pash që kish shkrua se rroga ka qenë 2800. E pyeta gjyqtaren i thash a ke pa dokument që ajo nuk e ka marrë rrogën prej 2800 euro. I tregova asaj që unë e kam ndërtuar shtëpinë ngapak e nuk i kam pru as 160 mijë euro e as 80 mijë euro. Kur i mora letrat e pash edhe certifikatën e djalit tim, i thash qysh është kjo punë, ajo më tha se është fëmija i përbashkët. I thash ku po shkruan. I tregova për këtë djalin me grua tjetër se këtu në certifikatë po shkruan se është emri tjetër i nënës. I tregova që kjo nuk është nëna e tij. I thash që kjo është vepër penale se nuk guxon ajo me nxjerr certifikatë pa autorizimin e tij. I tregova asaj që unë jam prindi i tij, e jo ajo. I kam marrë dokumentet i kam çuar në Norvegji, i kam treguar se çfarë ka deklaruar gruaja e ime, e ajo nuk pranon. Ia kam pru gjykatëses dokumentet që ajo i ka nënshkruar se nuk bashkëjeton me mua.I thash shiko ku e ka nënshkruar”, thekson Huskaj.

E pavarësisht përpjekjeve, e drejta e vendosur nga Gjykatësja nuk ishte në anën e tij.

Shpresë te Gjykata në Norvegji

Hasan Huskaj, mban shpresa te gjykata në Norvegji, sepse ata i kanë thanë që posa të përfundoj tërësisht gjyqin këtu në Kosovë, do të fillojë atje.

“Norvegjia është duke pritur që kur të përfundon gjyqi këtu me filluar gjyqi atje. Në polici në Norvegji më kanë thënë se ajo po e mashtron gjykatën në Kosovë.

Atje në Norvegji më kanë thënë se Gjykata e Pejës duhet me na kontaktuar neve, e ne ia dërgojmë të gjitha dokumentet. I pata thënë Merita Balokut se nuk është vërtetë se gruaja e ime ka punuar prej vitit 2001, sepse në 2001 ajo nuk ka qenë në Norvegji por në Kosovë.

Gjyqtarja tërë kohën ka qenë në krah të saj. Avokati im Agim Shala i tha a bon ndonjë dokument që e dëshmon se kjo ka punuar dhe ka investuar në atë kohë. Edhe sot nuk kanë kurrfarë dokumenti të punës të rrogës përveç kontratës së punës e që dëshmon. Ajo që ka qenë më interesant është se i ka thënë gjyqtares se ky është burri im dhe tërë kohën ka qenë burri i im. Kur e pyeti gjyqtarja se kur ja ke nis punës, ajo i tha që në fund të 2006. Unë i thash bravo se e dëshmove edhe ti vet. I thash gjyqtares a pe sheh qe edhe ajo vet po thotë që ka filluar punës në fund të 2006”, thekson Huskaj.

200 euro që ish gruaja ia kishte dhënë Hasan Huskajt për t’ia dërguar babit të saj të sëmurë, Huskaj thotë se edhe ato i kishte deklaruar në Gjykatë kinse m’i ka dhënë mua.

Dëshmitarët

Huskaj, tutje tregon fjalët e dëshmitarëve që kishin ardhur në gjykatë.

“Kunata hyri për të dëshmuar edhe thotë po se këta kanë bashkëjetuar tërë kohën. Aty në gjykatë ia bënë pyetjet se kur ka filluar ajo të punojë pasi po e din. Ajo i tha që motra ime ka filluar të punojë në Norvegji prej se ka lindur vajza prej 1996 e i thotë që krejt shpinë motra e ime e ka bërë.

Një muaj përpara vet gruaja kishte thënë se ka filluar të punojë prej 2006, kurse ajo thoshte se prej vitit 1996. E sollën vajzën për të dëshmuar.  kur e pyetën se kush e ka ndërtuar shtëpinë, ajo thoshte krejt mami e ka bërë. Babi s’ka punuar, ky pensionist është. Tani, vajza më vonë në pyetje e sipër tha që ata në Norvegji nuk e dinë se çfarë bëjnë të mëdhenjtë”, vazhdon tutje Huskaj.

Si dëshmi të fortë në gjykatë, Huskaj i konsideron mjeshtrit që kanë qenë në shtëpinë e tij për të punuar, deri sa i thotë me emra se kush ishin ata, kurse prapë ka kritika për sjelljen e Merita Balokut në gjykatë.

Image
Granit Vokshi

Vokshi: Vendimi i Gjykatës paradoksal

Gazeta “Bota sot” ka folur me avokatin Granit Vokshi, i cili e ka quajtur vendimin e gjykatës themelore në Pejë si vendim paradoksal në të cilin ka shkelje ligjore.

“Hasan Huskaj e ka pasur një tokë trashëgimi, në të cilën tokë ka qenë e ndërtuar një shtëpi, e cila nuk ka qenë e gjitha e përfunduar në ndërtim, ka qenë vetëm ndërtimi i vrazhdë. Huskaj e ka trashëguar atë para se të martohet me gruan e tij, Zyrafete Idrizaj. Tash, pas lidhjes së martesës, kanë shkuar menjëherë në Norvegji. Pasi kanë shkuar atje diku përafërsisht 3 vite, këta kanë jetuar bashkë dhe kanë qenë të martuar, e pas 3 vitesh janë ndarë. Tash, pasi këta janë ndarë, e kanë pasur një marrëveshje me letra për divorc atje në Norvegji, që kur të vie gruaja në Kosovë me fëmijët, ajo mundet ta shfrytëzoj shtëpinë e Hasanit. Pasi që janë ndarë ata të dy, Hasan Huskaj ka filluar vazhdimin e punimeve për ta përfunduar atë shtëpi, kurse pas ndarjes me znj. Idrizaj. , ai ka filluar ta rinovoj shtëpinë, thjesht e ka bërë të banueshme. Pasi që e ka përfunduar shtëpinë, Huskaj ka pasur kontakte me ish gruan e tij, sepse ajo i ka pasur fëmijët. Gjatë kohës kur ka ardhur ajo në Kosovë, mjeshtërit kanë qenë duke punuar në atë shtëpi. Në ndërkohë, nuk e di mirë prapaskenën e prishjes komplet të raporteve të tyre, por e di që ajo e ka paditur Hasan Huskajn që ajo shtëpi, t’i takojë të dyve, përkundër faktit që shtëpia është e trashëguar para se të martohen ata të dy dhe shtëpia është meremetuar pasi që janë ndarë. Atje gjykata në Pejë, ka vendosur një aktgjykim paradoksal, sepse ka vendosur që ajo shtëpi t’iu takoj të dyve. Ne këtë vendim e kemi apeluar dhe jemi duke pritur vendimin e gjykatës së apelit me vendos drejtë, dhe unë besoj që ky vendim ka për tu prishur nga gjykata e apelit dhe vendim më të çuditshëm nuk besoj se ka marrë ndonjëherë gjykata në Pejë”, është shprehur avokati Granit Vokshi për “Bota sot”.

Në Norvegji është hapur rast për ish gruan e Huskajt, Zyrafeten, për arsye se ajo ka gënjyer duke thënë se ka qenë në Norvegji, e tërë kohën ka qëndruar në Kosovë.

Në anën tjetër, edhe prokuroria e Kosovës i ka kthyer përgjigje negative Hasan Huskajt, me arsyetimin se nuk kanë gjetur fakte të mjaftueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat