Thaçi i falënderon krerët e institucioneve të drejtësisë për plotësimin e kritereve për vizat

Aktuale

Thaçi i falënderon krerët e institucioneve të drejtësisë për plotësimin e kritereve për vizat

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 17:10
Hashim Thaçi, ka pritur përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë

Pas kthimit nga Brukseli presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, të cilët i ka falënderuar për kontributin e dhënë në plotësimin e plotë të kritereve për liberalizimin e vizave.

“Të gjitha institucionet, të drejtësisë, të rendit e ligjit, kanë punuar me përkushtimin dhe profesionalizmin më të lartë për të plotësuar të gjitha kriteret që kishte vënë BE-ja si kushte për liberalizim të vizave”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “institucionet e Kosovës, qytetarët e Kosovës, janë mirënjohës për këtë angazhim”.

Komisioneri i BE-së për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi në Komisionin Evropian, Dimitris Avramopoulos, të mërkurën, në një konferencë të përbashkët me presidentin Thaçi në Bruksel, u shpreh se Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, duke i hapur rrugë miratimit të vendimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi pohoi se ky vendim është sukses i reformave dhe i përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të plotësuar të gjitha kushtet dhe e cilësoi si vendim meritor.

Në këtë takim ishin prezentë kryetari i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, si dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit theksuan se përkushtimi i tyre për të forcuar sundimin e ligjit do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të perspektivës evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat