Sanxhaku mbështet shqiptarët e Luginës së Preshevës, për reciprocitet me serbët e Kosovës

Aktuale

Sanxhaku mbështet shqiptarët e Luginës së Preshevës, për reciprocitet me serbët e Kosovës

Nga: Sevdail Hyseni Më: 20 korrik 2018 Në ora: 08:05
Foto nga takimi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak, dr. Sulejam Uglanin, me bashkëpunëtorët e tij, të enjten e 19 korrikut, qëndroi për një vizitë pune në Bujanoc dhe Preshevë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte vazhdimi i bashkëpunimit konform memorandumit të mirëkuptimit të lidhur, në prill të këtij viti, në mes të Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Gjatë këtij takimi liderët nacionalë shqiptaro-boshnjakë, nënshkruan edhe disa konkluzione bashkëpunimi në mes të këtyre dy institucioneve.

 “Sot kemi  nënshkruar dy dokumente shumë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës dhe boshnjakëve të Sanxhakut. Dokumenti i parë ka të bëjë me disa konkluzione, ndërsa dokumenti i dytë ka të bëjë me qëndrime të përbashkëta të dy këshillave kombëtare”, theksoi, mes tjerash, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri.

Në vazhdim kryetari Ymeri, veçoi se “Ajo që është tejet e rëndësishme që në konkluzionin e parë, Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve, mbështet deklaratën e 14 korrikut të Kuvendit Shqiptar të Luginës së Preshevës, në të cilën kërkohet reciprocitet me të drejtat e serbëve të Kosovës”.

Në këtë drejtim “Miratimi i ligjeve mbi pakicat nacionale, janë në kundërshtim me qëndrimet tona, dhe për këtë arsye, kemi rezerva të mëdha, ku edhe gjatë të kaluarës, kemi paraqit vërejtjet tona, të cilat nuk u morën për bazë. Të njëjtat, vërejtje për këto ligje kanë dhënë edhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Boshnjak”, u shpreh kryetari Ymeri.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak, dr.Sulejman Uglanin, deklaroi se “Jam këtu që t’iu kumtoj lajmin se Këshilli Kombëtar Boshnjak, në plotëshmëri përkrah Deklaratën e Kuvendit Shqiptar të Luginës së Preshevës, mbi kërkesat e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Gjithashtu, dr. Uglanini, shtoi se “Të gjitha ato kërkesa të drejtuara nga përfaqësuesit legjitimë shqiptar, fuqishëm do t’i përkrahim para zyrtarëve të Serbisë, përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe delegacionit të republikës së Kosovës”.

Me një krenari të pa fshehur dr. Uglanini theksoi se “Kemi arrit konkludime rreth Planit Aksional, ku bashkërisht do t’i shprehim brengat tona, me që, ne si dy popuj boshnajk dhe shqiptar, jemi popuj autokton dhe kemi kërkesa të veçanta, duke shtuar se nga 21 pakica nacionale sa janë në Serbi, 17 jetojnë në Vojvodinë, dhe kanë të drejta shumë më të avancuara, se sa boshnjakët dhe shqiptarët, që jetojnë në pjesën jugore të lumit Sava”.

Në kuadër të diskutimit të tij kryetari nacional i boshnjakëve, nuk la pa përmendur simpatinë që ushqen për popullin shqiptar të Luginës së Preshevës, të cilës siç thotë, ai, i ka borxh ngase gjatë viteve të 90’ta, në garën për president të Serbisë, ka marrë rreth 30 mijë vota të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak, dr. Sulejman Uglanin dhe bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe ish kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me të cilët ka biseduar për zhvillimet politike në vend e rajon, si dhe bashkëpunimin që kanë institucionet komunale me Këshillin Kombëtar Shqiptar, institucionin më të lartë politik të shqiptarëve në Luginë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat