Haradinaj: I respektojmë agjendat e partive

Aktuale

Haradinaj: I respektojmë agjendat e partive

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 13:20
Ramush Haradinaj me kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke mos dashur të komentojw deklarimet se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke përgatitur mocion për rrëzimin e Qeverisë u shpreh se respekton agjendat e secilës parti.

Këtë deklaratë Haradinaj e dha gjatë vizitës që i bëri komunës së Lipjanit, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti

Haradinaj: Ne i respektojmë agjendat e subjekteve politike

"Nuk guxojmë sot unë edhe kryetari se me bë me fol për parti, sot kemi ardh me i kry do punë të qytetarëve, por ju e dini secila parti, çdo subjekt politik i ka agjendat e veta na i respektojmë ato", tha kreu i Qeverisë.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj u shpreh se me të parin e Lipjanit, Imri Ahmetin kanë diskutuar për tema që janë jetike qytetarët e këtij qyteti.

Haradinaj: Neve na intereson që bashkërisht t'i zgjidhin problemet

"Ne shkuam nëpër të gjitha këto, çofshin ato në infrastrukturë, çofshin në infrastrukturën sportive, çofshin në ujërat e zeza me rrugë me rreth rrotullim, ajo që na intereson është që bashkërisht të mund të ecim, por kemi tash një situatë vepruese të re në Qeveri ju e dini kolegu im Besnik Tahiri e ka marr përsipër pos reformave komunikimin me komunat, besoj do i përcjellin temat", u shpreh ai.

Kurse, kryetari i komunës së Lipjanit tha se me kryeministrin kanë biseduar për tema lokale me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve të ardhshme.

Ahmeti: Kemi biseduar për projekte kapitale

 "Kemi biseduar kryesisht për projektet kapitale dhe për problemet tjera me të cilat ndeshet komuna, jemi pajtuar dhe jemi dakorduar që bashkë të vazhdojmë komunikimin më intensiv me bashkëpunëtoret dhe kryeministrin me qëllim të dinamizimit të projekteve të buxhetuara në nivel qendror", ka deklaruar Ahmeti.

Gjatë vizitës në Lipjan kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i shoqëruar nga kryetari i Lipjanit, kanë vizituar stadiumin e qytetit, rrethrrotullimin Lipjan-Janjevë si dhe zonën ekonomike në Qylagë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat