Haradinaj përplaset përsëri me Hotin, Konjufca: Thaçi-Vuçiq çift i ndërvarur, në valle edhe Mogherini

Aktuale

Haradinaj përplaset përsëri me Hotin, Konjufca: Thaçi-Vuçiq çift i ndërvarur, në valle edhe Mogherini

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 14:52
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - As çështja e dialogut Kosovë-Serbi nuk e mbushi plot sallën e Kuvendit të Kosovës. Si çdoherë, edhe në punimet e sotme të seancës plenare munguan deputetë, e edhe ministra të kabinetit qeveritar.

Në mesin e shumë pikave të rendit të ditës, sot ishte paraparë të ketë debat parlamentar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në mungesë të kuorumit, disa projektligje mbetën pa u votuar, e edhe debati u shty për ditën e enjte.

Me vetëm 56 deputetë në sallë, pas orës 17:00 Kuvendi mbylli punimet meqë prezenca e deputetëve nuk qe e mjaftueshme për votim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli fillimisht propozoi të futen në pikën e dialogut, meqë mungonte koriumi për votimin e projektligjeve.

Veseli: Lufta politike ka marrë dimension të interesit të brendshëm

“Qysh po e shoh, kjo përgjegjësi e seancës, unë nuk do ta ndërpres, paradite u munduam të arrijmë një konsensus, po mundohemi, lufta politike më shumë ka marrë dimension të interesit të brendshëm, sesa ajo çfarë do të kemi ne si qëndrim ndaj një shteti me të cilin nuk kemi një te kaluar të mirë. Po futemi drejtë në pikën e dialogut”, tha Veseli.

Megjithatë, seanca u vendos që të shtyhet.

Deputetja Shqipe Pantina kërkoi që seanca të vazhdojë nesër, ose gjatë gjithë javës siç tha ajo nëse është e nevojshme. Por, sipas saj, seanca të vazhdojë kur janë të pranishëm të gjithë deputetët dhe ministrat.

Kështu, Kuvendi vendosi që punimet e seancës t’i vazhdojë ditën e enjte prej orës 10:00. E ndër të tjera, edhe kreu i Kuvendit bashkë me kolegët deputetë duhet të niseshin në një udhëtim zyrtar.

Veseli: As pozita e as opozita nuk janë të mobilizuara për mbajtje të seancës

“Po e shoh as pozita e as opozita nuk janë të mobilizuara për mbajtje të seancës. Të enjten në ora 10:00 vazhdimi i seancës”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit përsëriti vendimin e Kryesisë, që pa përfunduar të gjitha projektligjet nuk mund të shkohet në pushim të verës.

Haradinaj: Grupi punues i Asociacionit nuk është produkt i Qeverisë sime

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se përbërja e grupit punues për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe nuk është produkt i qeverisë aktuale.

Ai ka thënë se ka provuar të pasurojë këtë grup por nuk ka gjetur përkrahje. Megjithatë, sipas Haradinajt, e mira e krejt kësaj çështje është që në fund nevojitet fjala e Gjykatës Kushtetuese.

Këto deklarime, Haradinaj i bëri në seancën e sotme plenare, derisa iu përgjigj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit.

E Hoti kërkoi sqarim pse ekziston një përbërje e tillë e grupit, pa asnjë zyrtar të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të OSBE-së. 

Hoti: A e keni takuar ndonjëherë këtë grup punues

“Pse në grupin punues nuk ka asnjë zyrtar të qeverise dhe OSBE-së, dhe a e keni takuar ndonjëherë këtë grup punues për atë se cfarë po punojnë ndërkohë ky grup?”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj, duke thënë se iu është mohuar e drejta për të shtuar persona të tjera në përbërje, meqë nga Bashkimi Evropian iu është thënë se dakordimi ka qenë ky, tha se e rëndësishme është që materiali duhet të merr miratimin e Gjykatës Kushtetuese. 

Haradinaj: Përbërja e Asociacionit nuk është produkt i kësaj Qeverie

“Grupi i sotëm dhe përbërja e tij nuk është produkt i kësaj Qeverie. Tendenca që me ndërhy ose pasuru nuk ka has në përkrahje, për garanca është Gjykata Kushtetuese, mendoj që për çdo shqetësim e shpjegon, na siguron”, tha Haradinaj.

Deputeti Hoti ka ngritur edhe ngriti çështjen e hartimit të draftit që nuk është bërë në gjuhën zyrtare.

Hoti: Pse statuti nuk  është në gjuhën shqipe

“A është kjo rezultat, ju vet keni deklaruar që, nuk e keni hapur fare dosjen që merret me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe tash jemi para një situate të tillë që po përgatitet një statut që as në gjuhë zyrtare të Kosovës nuk është dhe ju vjen në zyrën tuaj”, tha ai.

E përgjigja e Haradinajt ishte se cdo gjë është produkt i qeverisë që dikur udhëhiqej nga partia prej së cilës vjen deputeti Hoti.

Haradinaj: Unë qysh e kam marr ashtu edhe i kam

“E kam përshtypjen Avdullah që vetëm ke qejf me shpurdh në disa gjëra që nuk janë shumë për diskutim sot. Edhe grupi edhe çdo gjë të Asociacionit e kam produkt të Qeverisë suaj, por nuk deshta me ja ngjitë emrin bash ashtu. Jam munduar me i shti pak duart, por më kanë thënë zotni që qysh i ke letrat, shkresat, i kam vendimet këtu por nuk po du me i diskutu. Është diçka e mirë, pa marrë parasysh në proces, ata para meje, një punë e kishin pas bë mirë, që me lënë me ia dhënë vlerësimin Gjykata Kushtetuese. Vonesat pse i kam bërë unë kanë karakterin e asaj që Kosova duhet të jap një kontribut shtesë, mos të bazohet vetëm në ato më herët , filtrin e kemi gjykatën”, tha ai. 

Haradinaj në seancë u pyet edhe për shumë çështje tjera.

Image

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kërkuar sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, sqarime lidhur çështjen e vendimit të Qeverisë për rritje të pagave për zyrtarë qeveritarë.

Haxhiu kërkoi nga ministri i Financave, Bedri Hamza, që të tregojë sa i ka kushtuar buxhetit të Kosovës një vendim i tillë.

Haxhiu: Tek cila kategori e keni marrë buxhetin?

“Ajo çka neve na ka shqetësuar ka të bëjë me hipokrizinë e ministrit të financave, për shkak se Gjykata Kushtetuese e ka pyetur Ministrinë e Financave, se a është përfshirë vendimi për rritjen e pagave në buxhetin për vitin 2018, dhe zotëri ministër, mos manipuloni, ai vendim nuk ka qenë i përfshirë, me buxhetin e vitit 2018 nuk keni paraparë t’i rritet kryeministrit paga dyfish, ju i keni marrë diku, a na shpjegoni ku i keni marrë, te cila kategori?”, tha ai.

E ministri Hamza fillimisht u përgjigj për deklaratën e deputetes që i tha se ka bërë hipokrizi.

Tutje, Hamza tha se janë organet e drejtësisë ato që e përcaktojnë vendimin se a është i ligjshëm ose jo.

Hamza: Nuk e përcaktojmë ne vendimin e pagave, janë organet e drejtësisë

“Ato janë konstatime tua, a është vendim i ligjshëm a jo nuk je ti apo unë ai që e përcaktojmë, e përcaktojnë organet tjera, dhe nuk përzihemi në punën e organeve tjera. I ke lexuar me kujdes përgjigjet e Ministrisë së Financave dhe brenda përgjigjes janë saktë të konstatuara. Nëse me përcolle me kujdes, e thash, 750 mijë euro është masa mujore deri në ditën që unë po raportoj në Kuvend. 750 mijë herë (X) 12 muaj, vjen te shuma vjetore.  Dhe e thash, për hir të korrektësisë se ashtu është, disa organizata buxhetore, disa ministri të linjës që unë nuk kam të drejtë me hy në arsyetimet e tyre pse, nuk i kanë sjellë listën e pagave, duke përfshirë vendimin e fundit të Qeverisë për rritjen e pagave”, tha ai.

Hamza tha se deri më sot janë shpenzuar 294 milionë euro për paga  e që sipas llogaritjes së Hamzës edhe ato të gjashtë mujorit të dyte bëjnë 588 milionë euro.

Hamza: Kaq para janë harxhuar për paga

“Ky është realiteti deri më sot kur po raportoj unë në kuvend, janë shpenzuar më pak se 294 milionë euro tek masa e pagave, dhe nëse janë më pak se 294 milionë euro edhe gjashtëmujorit të dytë bëjnë 588 milionë euro, e në masën e pagave janë 592 milionë euro duke përfshirë edhe të hyrat vetanake që janë bartë tek masa e pagave. Me trendin aktual të shpenzimit të masës së pagave ky vendim do të përfshihet brenda masës së pagave. Sa i përket çështjeve tjera është punë e organeve të drejtësisë”, shtoi Hamza.

Krasniqi kërkon që shteti t’i mbrojë kultivuesit e rrushit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar angazhim nga institucionet e vendit në mbrojtjen e kultivuesve të rrushit.

Krasniqi ka thënë vendimi për masën e përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve dhe perimeve i marrë nga Ministria e Tregtisë, ka krijuar situatë të re në tregun vendor.

“Vendimi për masën e përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve dhe perimeve, i marrë nga MTI më datë 13.07.2018 dhe në zbatim nga data 18.07.2018, që është marrë duke u bazuar ne Ligjin për Masat Mbrojtëse në Importe, pas hetimeve dhe vlerësimeve te nevojshme, siç parashihen me legjislacionin në fuqi, ka krijuar një situatë të re ne tregun vendor, që potencialisht iu krijon mundësi prodhuesve vendorë, para se gjithash fermerëve tanë, për t’i vendosur ne treg dhe për t’i shitur prodhimet e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka thënë se ai e mirëpret këtë vendim, dhe masa mbrojtëse në fjalë do t’i ndihmojë fermerët që të jenë më konkurrues në treg.

“Aneksi i vendimit në fjalë liston 21 produkte bujqësore, pemë dhe perime, të cilat kultivohen në vendin tonë. Unë e mirëpres në parim këtë vendim, meqë jemi ne sezonin kur shumica e këtyre produkteve e kanë fazën e vjeljes dhe ne mungese të kapaciteteve të mjaftueshme për ruajtje afatgjate, masa mbrojtëse në fjalë do t’i ndihmojë fermerët tanë që të jenë shume më konkurrues në treg”, ka thënë tutje Krasniqi. Krasniqi është shprehur i befasuar me mospërfshirjen e rrushit në vendim dhe listën e produkteve që do t’i nënshtrohen masës së përkohshme mbrojtëse.

Ai po ashtu ka thënë se kërkesa kryesore e vreshtarëve është që listës së produkteve të mbrojtura në këtë fazë t’i shtohet edhe rrushi.

“Sidoqoftë, unë jam i befasuar me mospërfshirjen e rrushit në vendimin dhe listën e produkteve qe do t’i nënshtrohen masës së përkohshme mbrojtëse. Për këtë çështje, gjatë javës se kaluar, kam biseduar me vreshtarë të ndryshëm te Komunës së Rahovecit, por edhe të Komunës se Suharekës, dhe kërkesa e tyre, pa përjashtim, eshte që listës se produkteve të mbrojtura në këtë faze t’i shtohet edhe rrushi”, ka thënë Krasniqi.

“Janë mbi 3500 hektarë me vreshta ne Kosovë dhe me qindra familje që merren me kultivimin e rrushit dhe ata e meritojnë që të kenë kujdesin e institucioneve shtetërore, njëjtë si kultivuesit e kulturave të tjera bujqësore qe favorizohen nga vendimi i përmendur më herët. Andaj, kërkoj nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë që sa më parë të bëjë plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit për masë te përkohshme mbrojtëse, për të përfshirë edhe rrushin në listën e kulturave bujqësore te cilat adresohen nga ky vendim”, ka përfunduar Krasniqi.

Konjufca: Thaçi i trajton bashkëpunëtorët si çorapet

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se fati i brezave të ardhshëm nuk duhet lënë në duart e presidentit Hashim Thaçi. Sipas tij, ai nuk mund të quhet një person që arrin unitetin në Kosovë.

“20 vite karrierë politike të këtij persona kanë treguar rregullën kryesore të pushtetit që ai e ka. Bashkëpunëtoret i trajton sikur çorapet, nëse i bëhesh servil , nëse je patericë e jetëgjatësisë së tij të mban afër, të ngritë, pak më dashtë të bën kryeministër apo drejtor të inteligjencës (AKI). Por kur e sheh që përmes teje po rrezikohet, nuk të njeh, të shkel, të sakrifikon dhe të hedh si leckë, këtë përvojë e kanë të gjithë bashkëpunëtorët e tij të kaluar. Nëse të ka kundërshtar, së pari të joshë, pastaj ta tërheq vërejtjen, pastaj të kërcënon, ta lëshon policinë, nëse nuk ndalesh t’i hedh në qafë prokurorët e gjyqtarët e korruptuar. Këtë përvojë e ka Vetëvendosje me presidentin Thaçi”.

Këto komente Konjufca i bëri gjatë punimeve të seancës së sotme plenare, ku në rend dite është edhe pika për debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi.

***

Kryetari i Grupit Parlamentar në Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka folur për rolin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në procesin e dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë që “duhet të refuzohet absolutizmi i Thaçit, të kundërshtohet uzurpimi që po i bënë procesit dhe mos të tolerohet vet-mandatimi i tij që  të shkojë në bisedime dhe të vendosë çka do ai”.

Madje ai ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi po i konvenon edhe përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mohgerini.

Këto komente Konjufca i ka bërë në seancën e re plenare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës.

 “Vuqiç për Thaçin mendon që paraqet shansin e përkryer për një kompromis të majmë, me Thaçin synon të arrijë edhe BE-në edhe autonominë serbe në Kosovë.  Kurse Thaçi për Vuçiqin mendon që ai paraqet shansin e përkryer për ta shpëtuar nga  gjithë ata faktorë të fuqishëm që mendojnë se i ka ardh koha të largohet nga skena politike. Presidenti ynë mendon që nëse dikush prej fuqive të mëdha dëshiron ta heq qafe, ai e ka në dorë së bashku me Vuçiqin skenarin e stabilitetit rajonal, i cili edhe mund të rrezikohet nëse këta të dy dëshirojnë. Në këtë mënyrë ata janë bërë çift i ndërvarur, dhe Mogherinit po i pëlqen ky vallëzim sepse po dëshiron që me çdo kusht që gjatë mandatit të saj të arrijë një marrëveshje Kosovë-Serbi”, ka thënë Konjufca.

Kuvendi nisë seancën e re, disa projektligje mbesin për seancën tjetër

Kuvendi i Kosovës po vazhdon me pjesën e dytë të seancës së sotme plenare. Për shkak të mungesës së kuorumit, nuk kanë arritur të votohen disa pika të rendit të ditës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se pikat e mbetura do të vazhdohen në seancën e radhës.

Kuvendi po vazhdon punën me punimet e seancës së re të cilën e hapi kryetari  i Kuvendit. Ndërkohë po kërkohet që të hidhet në votim projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme COSME) 2014-2020".

Ndër të tjera, deputetët nuk arritën të kalojnë raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017, për shkak të mungesës së kuorumit.

Veseli: Ky ishte sesioni më produktiv i Kuvendit që nga shpallja e pavarësisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur sot gjatë seancës plenare se në sesionin pranveror, deputetët kosovarë kanë votuar më shumti projektligje që nga konstituimi i Kuvendit.

 Ai tha se me përjashtim të sesioneve kur është shpallur pavarësia me 2008 si dhe sesionin e vitit 2013 kur ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë e ku janë votuar dhjetëra ligje përnjëherë në pako, në këtë sesion deputetët kanë arritur të votojnë më shumti projektligje.

 Kryeparlamentari Veseli tha se gjatë sesionit pranveror janë mbajtur 29 seanca plenare, përkatësisht kanë qenë 52 ditë pune në seanca plenare, ku deputetët kanë votuar 38 projektligje dhe dy marrëveshje ndërkombëtare.

 Veseli theksoi se aktualisht në proces votimi ndodhen edhe 7 projektligje.

 Vendimi më i madh i Kuvendit të Kosovës në këtë sesion parlamentar, konsiderohet marrëveshja për demarkacionin e kufirit Kosovë - Mali i Zi, që i hapi rrugë rekomandimit p[pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo marrëveshje po ashtu solli normalizim të punës së Kuvendit i cili për muaj të tërë pengohej së funksionuari nga opozita e cila hidhte gaz lotsjellës dhe nuk lejonte mbarëvajtjen e punës së legjislativit.

Seanca e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të re plenare prej orës 14:00.

Në seancën e filluar nga ora 11:00 ishin pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara plenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat