Thaçi: S’ka forcë që detyron Kosovën të diskutojë, e lëre më të pajtohet me ndarjen

Aktuale

Thaçi: S’ka forcë që detyron Kosovën të diskutojë, e lëre më të pajtohet me ndarjen

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 10:49
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Përmes një konference për media u është përgjigjur Presidenti Hashim Thaçi zërave që pohojnë se në tavolinën e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë është mundësia e ndarjes së Kosovës.

Thaçi ka mohuar se do të ketë bosnjizim të Kosovës, dhe po ashtu ka bërë thirrje që të mos ketë vonesa ashtu siç kishte me rastin e votimit të Demarkacionit, si dhe vonesat për themelimin e ushtrisë. Ai ka thënë se do të punojë që marrëveshja në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të jetë një marrëveshje në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

Ai ka përmendur marrëveshjen e Rambujesë si një shembull të suksesit pozitiv të negocimit si spektër, duke shtuar se edhe atëherë kishte zëra të ndryshëm, mirëpo në fund Serbia u largua nga Kosova.

Thaçi: Nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë ndarjen

“Fatkeqësisht jemi edhe dëshmitarë të opinioneve dhe lajmeve të rrejshme, apo qysh po  i quani ju mediat “Fake news”. Prandaj, jam sot këtu që si president i vendit edhe një herë t’i siguroj qytetarët e Kosovës, si president i Republikës së vendit se nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë, e lërë me të pajtohet me ndarjen e saj”, tha Thaçi, duke i quajtur këta zëra si shqetësues.

Thaçi: Kosova ka kuptim vetëm duke qenë pjesë e NATO-s dhe BE-së

“Sa më tepër vonohemi në këtë rrugëtim, aq më e rëndë do të jetë edhe gjendja jonë, sa më tepër vonohemi për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian, aq më tepër do të zbehet shtetësia jonë. Shteti i Kosovës ka kuptim vetëm duke qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe në asnjë rrethanë nuk mund të mbesim peng i interesave të politikës ditore, elektorale apo të një individi, apo të një strukture të caktuar të njerëzve”, tha ai.

Ai ka bërë thirrje që marrëveshja të arrihet sa më shpejtë, marrëveshja e cila sipas Thaçit sjell njohjen reciproke në mes të dy shteteve.

Thaçi: Me gabimin tonë u vonuam së themeluari Ushtrinë e Kosovës

“Ne me gabimin tonë u vonuam së themeluari ushtrinë e Kosovës, Forcat e Armatosura të Kosovës në  vitin 2014, dhe tani ku jemi, në një proces regresiv, stagnimit dhe të vonesës, që askush nuk e di se kur do të arrijmë atë objektiv, të cilën na është ofruar prej NATO-s, SHBA-ve dhe të gjithëve në pranverë të vitit 2014, e sikur atëherë të themelonim ushtrinë, sot Kosova do të ishte pjesë e partneritetit për paqe dhe në rrugëtim të sigurt dhe në stacionin e fundit për të qenë pjesë e NATO-s”, u shpreh Thaçi.

Thaçi: Kjo paraqet korrigjim të kufijve

“Besoj se kjo paraqet korrigjim të kufijve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ne do të punojmë natyrisht sikur me të gjitha vendet e rajonit siç kemi arritur marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi edhe me Maqedoninë, në rastin e njohjes reciproke të dy vendeve natyrisht se do të kemi kufij shtetërorë, kemi diku rreth 400 kilometra”, tha Thaçi.

Në pyetjen nëse do të tërhiqet nga udhëheqja e dialogut, për shkak të kundërshtimeve që po merr nga opozita, Thaçi ka thënë se edhe në sondazhet e fundit ka dalë të jetë lideri më i votuar, duke shtuar se di të punojë edhe me kundërshtarët e tij politik.

Thaçi: Që 12-13 vite jam personaliteti më i besuar

“Unë ndihem mirë që gjithashtu siç edhe jeni edhe ju dëshmitarë, gjitha opinionet e prezantuara prej sondazheve apo prej opinion polls, vazhdoj të jem tash e 12 vite, 13 vite, personaliteti më i besuar dhe më i votuar në Kosovë. Një lider që i ka fituar nja shtatë palë zgjedhje një pas një, me gjithë këta akterë politik që janë”, tha ai.

Presidenti përfundoi se një proces i udhëhequr nga BE-ja do të ketë kuptim vetëm nëse përmbyllet me një marrëveshje finale historike.

Thaçi: S’është tabu kërkesa e Luginës për bashkim me Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një konference për media, sot ka folur sërish për kërkesën e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

Ai ka thënë se askush mos të derdhë lot krokodili në Kosovë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, derisa në anën tjetër pengon dialogun dhe e vonon, frenon apo e cenon vullnetin e tyre.

“Ne tani edhe jemi dëshmitarë, po ashtu, të institucionalizimit të kërkesës së liderëve të Luginës së Preshevës dhe vullnetit të qytetarëve atje për të respektuar plebishitin e vitit 1992 të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për bashkëngjitje me Kosovën. Kjo temë dhe kjo kërkesë e tyre e shfaqur publikisht dhe e institucionalizuar në drejtim të Kosovës nuk është më tabu për mua. Prandaj, askush mos të derdhë lot krokodili për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe në anën tjetër e vonon, e frenon, e cenon vullnetin e tyre. Për këtë arsye ne po e zhvillojmë demokracinë, po zhvillojmë debat, po zhvillojmë ide të ndryshme, opinione të ndryshme, dhe përderisa diçka e tillë mund të jetë në interes të forcimit të shtetit të Kosovës, e ritheksoj për mua nuk paraqet ndonjë temë tabu”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se do ta prezantojë në dialog kërkesën e institucionalizuar të liderëve të Luginës së Preshevës.

Ai ka ritheksuar se nuk do të ketë bosnjëzim të Kosovës, nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk do të ketë Ahtisaari plus.

“Edhe marrëveshja e vitit 2013 është plotësisht në përputhshmëri me dokumentin e presidentit Ahtisaari”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ndryshon strategjinë: S'ka forcë që na detyron të flasim për ndarjen e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sapo mbajti edhe një konferëncë për media ku në fokus të veçantë pati fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi. Së pari Thaçi ka falënderuar partitë politike dhe shoqërinë civile që janë pro fazës finale të dialogut pastaj ka theksuar e riktheksuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Tha se një gjë e tillë as nuk do të diskutohet e lërë më që dikush të tentojë të realizojë këtë ndarje.

Ditë më parë, teksa ka kërkuar mbështetjen e partive poliitke për dialogun ai ka frikësuar opinionin se në bisedime s'ka vija të kuqe duke mos u shfaqur decidiv as kundër ndarjes. Por, sot ka folur më ndryshe.

“Si president i vendit siguroj se nuk do të ketë forcë që do të na detyrojë të diskutojmë për ndarjen e Kosovës”, tha Thaçi në konferencë.

Më tej ai tha se do të punojë që marrëveshja finale të jetë në përputhshmëri me të drejtat kushtetuse dhe ligjore. Ai tha se dialogu do të përmbyllet me njohje reciproke dhe me mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB, NATO dhe BE.

“Që të mbyllet me njohje reciproke dhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organiztatat botërore”, tha ai.

Thaçi përmendi konferencën e Rambujesë dhe arritjes së lirisë më pas konferencën e Vjenës dhe arritjen e pavarësisë. Sipas tij kur pozita dhe opozita është bërë bashkë gjithmonë ka pas rezultate të mira.

“Aty ku kemi marrë vendime të përbashkëta kemi dalë mirë si në Rambuje që fituam lirinë dhe në Vjenë pavarësinë”, tha ai.

Konferenca e Presidentit Thaçi (Drejtpërdrejt)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në orën 12:00, do të mbajë konferencë për media.

Konferenca mbahet në Kabinetin e Presidentit.

Presidenti në konferencë për media

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot sërish ka thirrur konferencë për media, të katërtën brenda 10 ditëve.

Në secilën konferencë të tij, Presidenti Thaçi alarmon masën, ndërsa nuk dihet se për çfarë do të flasë sot pasi Zyra e Presidentit nuk ka dhënë detaje në njoftim.

Konferenca do të mbahet në orën 12:00 të pasdites së sotme. Ndërkohë nga zyra e Presidentit nuk kanë njoftuar se për cka do të bëhet fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat