Flasin familjarët, kërkojnë nga Gjykata dënim maksimal për vrasjen e Ermal Kamberajt

Aktuale

Flasin familjarët, kërkojnë nga Gjykata dënim maksimal për vrasjen e Ermal Kamberajt

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 21:46
Ermal Kamberaj, ishte vrarë më 5 mars të vitit 2017, në vendin e tij të punës, në lokalin “Check In” në Mitrovicë, ku kishte qenë duke punuar si kamarier

Policia e Kosovës ka konfirmuar që është arrestuar i dyshuari për vrasjen e Ermal Kamberit. Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi i tij është bërë në shtetit e Belgjikës, rreth një vit pas ngjarjes.

Zyrtari për media në Policinë e Kosovës, Bajram Kelmendi, ka konfirmuar se i dyshuari me inicialet S.B. është arrestuar në Bruksel. Ai ishte i shpallur nga drejtësia kosovare si person në kërkim për vrasjen e E.K në Mitrovicë.

“Autoritetet policore të Republikës së Kosovës janë njoftuar nga autoritetet belge, se është arrestuar në Bruksel (S. B.), person i shpallur në kërkim nga drejtësia kosovare për vrasjen e (E. K.) në Mitrovicë”, ka thënë Kelmendi.

Insajderi ka kontaktuar me vëllaun e Ermal Kamberajt, Shpëtimin, i cili ka kërkuar ekstradimin e të dyshuarit në Kosovë. Shpëtim Kamberaj, ka thënë se pret nga Gjykatat vendore, që ta japin dënimin maksimal, për të dyshuarit e vrasjes së vëllaut të tij.

“Ne kemi dëshirë që ai sa më shpejtë të ekstradohet në Kosovë. Ai duhet të merr dënimin maksimal, për krimin e rëndë që e ka bërë. Presim nga organet e drejtësisë që mos të bëjnë lëshime. Ermali është vrarë për një rezervim në tavolinë. Ai është vrarë në vendin e tij të punës”, ka thënë Shpëtim Kamberaj.

23-vjeari, Ermal Kamberaj, ishte vrarë më 5 mars të vitit 2017, në vendin e tij të punës, në lokalin “Check In” në Mitrovicë, ku kishte qenë duke punuar si kamarier.

Në natën e vrasjes së Ermalin, në këtë lokal ishte pritur që të performonte, këngëtari, tashmë deputet i Kuvendit, Labinot Tahiri.

Ai të nesërmen e ngjarjes, përmes një postimi në Facebook pati rrëfyer si ndodhi ngjarja duke bërë thirrje për organet e drejtësisë, që ta zbardhin rastin.

“I riu i cili u vra mbrëmë në Mitrovicë ishte djalë i ri 23 vje! E dhimbshme shumë ajo qe ndodhi! Hera e parë në jetën time që në ndonje mbrëmje ku kam performuar të ndodhë dika e tillë. Sinqerisht ndjej keqardhje. Derisa ishim jashtë lokalit, krismat brenda në lokal janë dëgjuar! Ne kemi qenë jashtë lokalit gati duke hyrë për t’ia filluar, e kam fjalën për ekipin tim muzikor, por ne ishim më larg lokalit!

Policia ishte afer diku aty në qendër, dhe vepruan menjeherë duke shkuar aty tek ai club nate!

U bëj apel organeve të rendit, qe të ua vendosin lokaleve apo clubeve në pergjegjesi patjeter rregull sigurie për ti kontroluar njerzit ose mos tua mundesojnë qe të punojnë ashtu si nepër livadhe! Sot në shumicen e rasteve me dhjëtra persona futen në lokale me armë në brez! U shprehi ngushllime qytetareve tê Mitrovices, familjes, stafit te atij clubi dhe atij publiku i cili ishte mbrenda ne ate vend! Sinqerisht, Labinot Tahiri dhe publiku”, pati shkruar Labinot Tahiri.

Për shkak të kësaj vrasje, lokalet e Mitrovicës, kishin marrë vendim që të mbyllen më 6 maj të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat