Thaçi tregon kush do të dal humbës në Bruksel, paralajmëron referendum për marrëveshjen finale me Serbinë

Aktuale

Thaçi tregon kush do të dal humbës në Bruksel, paralajmëron referendum për marrëveshjen finale me Serbinë

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 11:04
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Korrigjim kufijsh mund të ketë në mes të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe shkëmbim territoresh apo ndarje të Kosovës.

Kështu ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka folur gjerë e gjatë për fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe marrëveshjen finale juridikisht të obligueshme, e cila sipas Thaçit ka shumë pak mundësi që të arrihet.

Thaçi: Do të punoj që Lugina t’i bashkohet Kosovës

“E theksoj, nuk do të ketë as ndarje të Kosovës, as autonomi, as shkëmbim, unë do të punoj për korrigjimin e kufijve që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës”, theksoi ai.    

Kreu i shtetit ka përmendur sërish mundësinë që të ketë korrigjim të kufijve. Sipas tij, kjo nuk nënkupton ndarje, por korrigjim të padrejtësive historike ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Për korrigjim kufijsh, presidenti Thaçi ka përmendur shembullin e korrigjimit të kufirit ndërmjet Holandës dhe Belgjikës para dy viteve në mënyrë paqësore.

Thaçi: Do t’i korrigjojmë kufijtë, kërkesa e Luginës është e drejtë

“Në funksion të realizimit të kësaj kërkese legjitime, që për mua paraqet një mundësi reale, unë publikisht kam thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme ta marrë në konsideratë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Tani, institucionet shtetërore dhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të qartë lidhur me kërkesën legjitime të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën. Përgjigjja e jonë ndaj kësaj kërkesë, duhet ë jetë e qartë dhe jo e mjegulluar apo e kamufluar me teori konspirative. Shteti i Kosovës, institucionet tona dhe qytetarët e vendit tonë, nuk guxojnë t’i mbyllin sytë, nuk guxojnë të struken dhe ta fusin kokën në rërë, dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike të papërsëritshme. Duhet të bashkohemi dhe t’i themi po kësaj kërkese krejt racionale, e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore”, theksoi Thaçi.

Sipas tij korrigjimi i kufijve do të thotë vetëm bashkim i Luginës me Kosovën.

Thaçi: Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve nuk është opsioni i imi

“Diçka e tillë është e mundshme, mundësitë janë krejt të vogla që Serbia të pajtohet dhe aktualisht ka një refuzim kategorik. Mirëpo, unë jam zotuar se kërkesën legjitime dhe historike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ta prezantoj në tavolinën e dialogut. Mund ta imagjinoj  reagimin e Beogradit, mund të jetë një reagim kryeneç, i rëndë dhe kategorik refuzues. Ndërsa sa i përket mendimeve të kamotshme të Beogradit qoftë për ndarje, qoftë për shkëmbim, ato nuk janë as ide të mia, as opsione të mia. Me vjen keq që individë të ndryshëm flasin dhe prezantojnë më tepër këto dy opsione që kategorikisht janë në kundërshtim me parimin tim”, tha Thaçi.

Në një ekspoze të gjatë presidenti Thaçi, ka shtruar pyetjen nëse Kuvendi, si organi më i lartë ligjvënës ka kryer detyrat e tij karshi interesave të qytetarëve. Sipas tij, ky institucion nuk e ka fuqizuar zërin e qytetarëve përmes hartimit dhe miratimit të ligjit për referendumin, përmes së cilit qytetarët do të shpreheshin për çështje të rëndësishme- siç është faza e fundit e dialogut me Serbinë.

Thaçi: Duhet t’ua mundësojmë qytetarëve shprehjen përmes referendumit

“Unë jam duke zhvilluar konsultimet e nevojshme ndër-institucionale por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që në një të ardhme të afërt, ne bashkërisht të pajtohemi për të proceduar me legjislacionin adekuat për të bërë të mundur që zëri dhe vullneti i qytetarëve në çështjet e rëndësisë vitale, të shprehet nëpërmjet referendumit. Sidomos, në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit. Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe historik”, u shpreh Thaçi.

Megjithatë, i pari i vendit pavarësisht se e ka vlerësuar si të domosdoshme arritjen e marrëveshjes për normalizim me Serbinë, një mundësi e tillë ka vlerësuar se është e vogël.

Thaçi: Duhet të bëjmë çmos ta arrijmë marrëveshjen, por mundësitë janë të vogla

“Unë e kam theksuar disa herë, që procesi i dialogut me Serbinë dhe mundësitë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare për normalizim, njohje reciproke dhe pajtim, janë shumë të vogla. Mirëpo, ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që të shfrytëzojmë këto mundësi të vogla, këtë hapësirë të vogël, dhe ndoshta në fund do të arrijmë marrëveshjen historike në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut. Dua të theksoj, dialogu ka vetëm një qëllim thelbësor: arritjen e marrëveshjes ndër-shtetërore për normalizim, njohje reciproke dhe pajtim, në mënyrë paqësore”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi ka ftuar liderët e partive politike për t’u bashkuar në qëllimin e përbashkët.

Thaçi: Nëse ikim nga dialogu, BE e SHBA do ta identifikonin Kosovën si fajtore

“Së cila palë, qoftë Kosova apo e Serbia, që për çfarë do arsye e refuzon dialogun, ose pretendon të tërhiqet një anshëm nga ky proces, do të ballafaqohet me pasoja serioze në aspektin e integrimeve euro-atlantike. Ky fakt, është i mjaftueshëm për të hedhur poshtë teoritë e gabuara se gjoja Kosova mund ta pengojë Serbinë për anëtarësim në BE, në rast se largohet nga dialogu. Në një rast të tillë të veprimeve të pamatura, BE-ja si ndërmjetësuese e këtij procesi, por edhe SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, do ta identifikonin Kosovën si fajtore për ikjen nga dialogu dhe dështimin e arritjes së marrëveshjes eventuale përfundimtare për normalizim”, shtoi Thaçi.

Madje, sipas tij, si pasojë e kësaj, BE-ja nuk do të hezitonte fare, që për shkak të mungesës së gatishmërisë së Kosovës për dialog dhe marrëveshje, t’ia mundësojë Serbisë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE. Ndërsa Kosova, do të rrezikonte për shkak të veprimeve të tilla, ta humbasë përkrahjen e BE-së dhe atë të partnerëve tjerë ndërkombëtarë.

Si president i vendit, Thaçi tha se është në krye të përgjegjësive të tij shtetërore në kuadër të këtij procesi, dhe pa asnjë hezitim, do t’i shkojë deri në fund. 

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se raundi i tretë i bisedimeve do të mbahet në shtator, dhe dinamika e takimeve tjera do të rritet.

Ai ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë të mbetet e përfshirë në këtë dialog në mënyrë konstruktive.

Sipas tij, Parlamenti i Republikës së Kosovës mbetet institucioni i vetëm shtetëror i përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve të vendit. Ai ka paralajmëruar se edhe qytetarët e Kosovës duhet të involvohen drejtpërdrejt në këtë proces, përmes referendumit.

 “Jemi ndër shtetet e pakta demokratike që ende nuk kemi arritur të miratojmë legjislacionin e domosdoshëm për të fuqizuar rolin vendimmarrës të qytetarëve, konkretisht nuk e kemi të drejtën për të mbajtur referendum. Në shërbim të këtij qëllimi, unë jam duke zhvilluar konsultimet e nevojshme ndër-institucionale por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që në një të ardhme të afërt, ne bashkërisht të pajtohemi për të proceduar me legjislacionin adekuat për të bërë të mundur që zëri dhe vullneti i qytetarëve në çështjet e rëndësisë vitale, të shprehet nëpërmjet referendumit”, ka shtuar ai.

 Thaçi ka thënë se sidomos, në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm, sidomos tani kur jemi dëshmitarë të divergjencave të theksuara ndërmjet partive parlamentare në parlamentin e Kosovës për dialogun dhe marrëveshjen eventuale përfundimtare”, ka thënë Thaçi.

Thaçi: Pala që e refuzon dialogun në Bruksel, do të dal humbëse

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur edhe sot një konferencë për media, në të cilën ka folur për zhvillimet e fundit lidhur me dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se përkundër keqinformimit dhe deklaratave të ndryshme, skenarëve etj, e konsideron të dobishëm një debat publik e institucional për këtë proces kaq të rëndësishëm për Kosovën.

“Vetëm duke debatuar hapur, duke analizuar me kujdes të gjitha opsionet e mundshme dhe duke marr guxim të diskutojmë hapur e për tema që janë konsideruar tabu, ndoshta do të gjejmë një zgjidhje që do të ishte në përputhje me interesin tonë”, ka thënë Thaci.

Sipas tij, Kosova i ka institucionet e saja të cilat duhet ti përmbushin obligimet e tyre sa i përket dialogut.

“Parlamenti, është institucioni kryesor që do ta ketë fjalën përfundimtare për ratifikim apo mosratifikimin e një marrëveshje që do të rezultojë në fund të këtij procesi. E kam theksuar disa herë se procesi i dialogut me Serbinë për njohje reciproke, shanset janë shumë të vogla, por duhet të bëjmë çdo përpjekje maksimale që në fund të arrihet një marrëveshje historike e paqësore në kuadër të dialogut”, ka shtuar Thaçi.

Ai ka thënë se dialogu ka vetëm një qëllim, arritjen e një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke mes dy vendeve.

“Të gjithë akterët që janë përfshirë në këtë proces, i ftoj dhe u them se marrëveshje do të ketë vetëm përmes dialogut, por kurrsesi dhe në asnjë rrethanë me kërcënime lufte. Parlamenti i Kosovës e përmbylli sesionin me një debat të gjatë për dialogun, por të gjitha ato fjalime fatkeqësisht nuk nxorën asgjë konkrete, në fund debati përfundoi pa asnjë platformë as rezolutë për këtë proces”, ka potencuar presidenti.

Sipas tij, dallimet mes partive dhe paaftësia për të ndërtuar një konsensus të gjerë, janë për keqardhje.

“Unë ende shpresoj te mençuria dhe guximi i liderëve për tu bashkuar sepse nuk kemi kohë për të humbur. Ata që mendojnë se koha është në favorin tonë, janë krejtësisht të gabuar dhe nuk kanë as idenë më të vogël për zhvillimet dinamike që po ndodhin në arenën ndërkombëtare. Takimi i radhës në kuadër të dialogut do të mbahet në shtator dhe do të shtohet edhe dinamika e punës”, ka thënë tutje Thaçi.

Ai ka vlerësuar se secila palë që për çfarëdo arsye refuzon dialogun apo pretendon të tërhiqet, do të ballafaqohet me pasoja në procesin e integrimeve euroatlantike.

“Është teori e gabuar se Kosova është e aftë të pengoj Serbinë në BE, e një rast të veprimeve të pamatura Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do të identifikonin si të paaftë dhe fajtore për ikjen nga dialogu dhe shtyrjen e marrëveshjes përfundimtare. Si pasojë, të gjithë e dinë se BE nuk do të hezitonte fare që për shkak të mungesës së gatishmërisë së Kosovës, ti mundësoj Serbisë anëtarësimin në BE, ndërsa Kosova do të rrezikonte të humbiste mbështetjen e partnerëve evropian duke mbetur e izoluar dhe e pashpresë për anëtarësim në NATO dhe në OKB”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, Kosova vetëm me qasje konstruktive mund të fitoj mbështetje nga BE dhe faktori ndërkombëtare. Madje, ai ka thënë se tri dekadat e fundit kush ka refuzuar dialog, ka dal humbëse.

“Individë nga udhëheqja politike kanë dëshmuar se kanë potencial të mjaftueshëm negativ për të penguar Kosovën në proceset e saja integruese. Sido që të jetë, parlamenti mbetet institucioni i vetëm i përfaqësimit të interesave të qytetarëve të vendit, por pyetja që shtrohet është a po kryen gjithmonë me suksese detyrat e tij, e përgjigjen mund ta japin qytetarët. Mendoj që ka ardhur koha të fuqizojmë zërin dhe momentin në rolin vendimmarrës të qytetarëve”, ka shtuar Thaçi.

Presidenti Thaçi konferencë për media

Kohët e fundit Presidenti Thaçi ka shpeshtuar dukshëm paraqitjet e tij publike përmes konferencave.

Konferenca mbahet në Kabinetin e Presidentit dhe është e paraparë që të fillojë në orën 11:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat