Thaçi: S’kemi si të bashkohemi me Luginën pa u pajtuar për korrigjim kufijsh me Serbinë

Aktuale

Thaçi: S’kemi si të bashkohemi me Luginën pa u pajtuar për korrigjim kufijsh me Serbinë

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 11:44
Hashim Thaçi

I pari i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se do të shkoj deri në fund sa i takon çështjes së dialogut me Serbinë që mbahet me ndërmjetësim të BE-së në Bruksel.

Ai në një konferencë ka kërkuar unitetin e partive, siç ka thënë jo për veti, por për të mbrojtur sa më mirë interesin shtetëror dhe për të legjitimuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës për tu bashkuar me Kosovën.

“Pres mbështetje të fuqishme dhe këshilla edhe nga NATO. Tani institucionet shtetërore dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë të qartë me kërkesat legjitime të qytetarëve të Luginës për bashkim me Kosovën dhe përgjigja jonë duhet të jetë e qartë e jo e mjegulluar. Kosova dhe institucionet e saj nuk guxojnë ti mbyllin sytë për të injoruar një kërkesë të tillë historike. Duhet të bashkohemi dhe ti themi po kësaj kërkese”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, kjo mundësi nuk do të jetë e hapur përsëri e as gjithmonë, prandaj nëse humbet një mundësi e tillë, nuk ka kthim më.

“I siguroj qytetarët e Luginës se deri në fund do të bëj përpjekje që vullneti i tyre të bëhet realitet. Si president, për asnjë moment nuk do të mbetem peng i tekave personale e as partiake që hezitojnë të punojnë bashkarisht për këtë qëllim. Jam i vendosur që këtë ide ta dërgoj deri në fund, i bindur se është në shërbim të vendit, prandaj beteja zhvillohet në tavolinë e me dialog”, ka thënë tutje Thaçi, duke shtuar se ata që nuk kanë guxim të debatojnë, mos të krijojnë opinione të paqëndrueshme.

Thaçi ka potencuar se të gjithë duhet ta kenë të qartë se në shekullin 21, shumë shtete kanë përjetuar tmerrin e luftërave të përgjakshme dhe kanë marr mësim, prandaj shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë kuptuar se me dialog zgjidhen të gjitha.

“Në kuadër të dialogut e kemi mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë për të arritur marrëveshje paqësore, duke mos përjashtuar edhe opsionin e korrigjimit të kufijve. E kuptoj reagimin e nxituar të individëve dhe të partive për korrigjimin e kufijve si opsion të fundit, por nuk kemi mundësi tjetër për t’ia bashkangjitur Kosovës luginën pa i korrigjuar kufijtë”, është shprehur Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat