Haradinaj: Hapja e temës së kufijve e pa pranueshme për mua

Aktuale

Haradinaj: Hapja e temës së kufijve e pa pranueshme për mua

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 13:35
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë vizitës në Vlorë ka deklaruar se hapja e temës së kufijve është e papranueshme për të.

Ai gjatë takimit me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli, ka shprehur respektin e popullit të Kosovës për Vlorën dhe për mundësinë e ndërtimit të së ardhmes duke ndihmuar njëri-tjetrin.

Haradinaj: Të ndërtojmë të ardhmen duke ndihmuar njëri-tjetrin

“Shpreh respektin dhe falënderimin tim të madh dhe të popullit të Kosovës për mundësinë që sot të jemi bashkë në nderim, jo vetëm të historisë sonë të lavdishme e të çmuar por edhe për mundësinë që ne të ndërtojmë të ardhmen tonë po aq të lavdishme duke ndihmuar njeri-tjetrin dhe do të jemi çdo herë e më afër”, tha Haradinaj.     

I pyetur për deklarimet e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve, Haradinaj tha se hapja e kësaj teme është e papranueshme për të.

Haradinaj: Hapja e temës së kufijve, e papranueshme për mua

“Për fat të keq të popujve të Ballkanit, luftërat kanë qenë tragjike në të kaluarën dhe realiteti i sotëm është si rezultat i atyre luftërave, ne duhet të konsolidojmë të arriturat tona, Shqipëria, Kosova e kudo që jemi shqiptarë, por hapja e temës së kufijve është e papranueshme për mua”, tha ai.

Duke tentuar t'iu shmanget pyetjeve të tjera të gazetarëve rreth korrigjimit të kufijve, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se shpreson që më 1 janar të hiqet dogana mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë.

I pyetur nëse referendumin për një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë e sheh si zgjidhje, ai u shpreh se kufijtë nuk duhet të preken.

Haradinaj: Nuk duhet të prekim në kufij

"Do të heqim doganën më qëllim po e devijoj pyetjen e juaj, ajo është një retorikë politike Beogradi bënë një retorikë, Prishtina bënë është një kundër retorik në fund kufijtë ju e dini nuk lëvizin me fjalë...Fatmirësisht jetojmë në demokraci dhe mund të deklarohemi për të gjitha temat por iu them edhe njëherë kufijtë kanë vendosur si rezultat i ndarjes së epilogut të luftërave, nuk duhet të prekim në kufi", tha ai.

Ndërsa, kryebashkiaku i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli e falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën e sotme në Vlorë duke e quajtur si vizitë historike.

Leli: Çdo kush me veprën që bën mund të bëjë historinë e shqiptarëve

“Sot në Vlorë në një ceremoni simbolike jemi së bashku për të vlerësuar njeriun më të madh historik të kombit, Ismail Qemali. Jam i bindur që çdo kush me veprën që bënë në fund fare mund të bëjë histori, Ismail Qemali bëri historinë e madhe të shqiptarëve dhe ne jemi duke e vlerësuar të gjithë së bashku duke u përpjekur që secili nga ne në rrugën e vet të bëjë historinë e tij për të mirën e vendit dhe të Shqipërisë”, tha Leli.

Ai nuk ka dashur të komentojë mundësinë e ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Vlorë, kryeministri i Kosovës , Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kryebashkiaku, ka vizituar monumentin e pavarësisë, ka vendosur kurora lulesh pranë varrit të Ismail Qemalit, dhe po ashtu ka vizituar Muzeun Historik dhe Muzeun e Pavarësisë.

Ndryshe, shefi i Qeverisë së Kosovës me rastin e kësaj vizite, kryebashkiakut të Vlorës i dhuroi një hartë të vogël të Kosovës, kurse Leli i dhuroi kryeministrit Haradinaj portretin e Ismail Qemalit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat