Hoxhaj dënon ndalimin e profesor Islamit në kufirin Kosovë – Serbi

Aktuale

Hoxhaj dënon ndalimin e profesor Islamit në kufirin Kosovë – Serbi

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 15:42
Enver Hoxhaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dënuar veprimet e policisë së Serbisë në pikën kufitare me Kosovën, me ç'rast iu ndalua hyrja në Serbi profesorit shqiptar nga Bujanoci, Hivzi Islamit.

Hoxhaj tha se ky është një rekord i ri i shtypjes sistematike që po u bën Serbia shqiptarëve atje, duke ua mohuar të drejtat dhe liritë. 

Hoxhaj tha se ndalimi pa shpjegim për t’u kthyer në shtëpi që iu bë profesorit Islami, është përpjekje e re e Serbisë për të mbjellë frikë te shqiptarët që jetojnë atje.

“Represioni sistematik i shqiptarëve që jetojnë në Serbi prek një rekord të ri të dhunimit të lirive dhe të drejtave të tyre. Me qëllim të përhapjes së frikës, Serbia bllokon kthimin e qytetarëve në shtëpi, siç e bënë edhe sot me profesorin Hivzi Islami nga Bujanoci, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Artit”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter. 

Policia serbe në kufi me Kosovën, ndaloi sot pa dhënë ndonjë shpjegim hyrjen e profesor Hivzi Islamit në Serbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat