Kamenica përfiton 80 mijë euro për ujësjellësin

Aktuale

Kamenica përfiton 80 mijë euro për ujësjellësin

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 16:06
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati sot kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për realizimin e Projektit “Ndërtimi i ujësjellësit -Kamenicë , rruga për Tugjec ”, i cili ka vlerën prej 80 mijë euro dhe që financohet nga MMPH-ja.

Në ceremonisë e nënshkrimit, u.d ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi tha se qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët e Komunës së Kamenicës.

“Përmes një angazhimi të përbashkët në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Kamenicës, ne po investojmë në projektin që ka të bëjë me rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, trotuarit dhe ndriçimit në vlerë prej 80 mijë euro”, tha Matoshi.

U.d ministri i MMPH-së, Matoshi tha se shpreson që ky projekt të përfundoj në fund të këtij viti.

“Shpresoj dhe jemi thellë të bindur që Komuna e Kamenicës do ta implementoj me përgjegjësi shumë të lartë këtë projekt. Besoj që në fund të vitit ky projekt do të jetë në shërbim të qytetarëve të vendit”, u shpreh Matoshi, njofton kumtesa për media.

Ndër tjerash, Matoshi tregoi se MMPH-ja ka në proces të realizimit për vitin 2018 edhe projektin për “Rregullimin e ambientit dhe rekreacionit në Kamenicë” në vlerë prej 240 mijë euro ndërsa premtoi se në buxhetin e vitit 2019 të ketë projekte edhe për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Kamenicës.

“Për herë të parë kemi paraparë të ndajmë fonde nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për hartimin e projektit kryesor të Hidrosistemit  Kik-Kremenatë ku do të përfshihet edhe Komuna e Kamenicës”, u shpreh Matoshi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati falënderoi Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për këtë projekt të cilin e vlerësoi të  domosdoshëm për banorët e Kamenicës.

“Komuna e Kamenicës është komuna më e varfër sa i përket ujërave në Kosovë dhe ka nevojë shumë të investohet si në çështjen e ujëmbledhësve ashtu edhe çështjen e rrjetit. Është një projekt shumë domethënës për ne dhe falënderoj u.d ministrin Fatmir Matoshi që qysh ditët e para e iniciuam këtë marrëveshje mirëkuptimi”, deklaroi në fund Kastrati. /KosovaPress/

© Te gjitha te drejtat e rezervuara KosovaPress.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat