Kush e vrau Valbona Markun dhe vajzën e saj? - Bota Sot
Kush e vrau Valbona Markun dhe vajzën e saj?

Aktuale

E mërkurë, 19 shtator 2018

Kush e vrau Valbona Markun dhe vajzën e saj?

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 12 gusht 2018 Në ora: 13:36
Pjetër Ndrecaj dhe e ndjera Valbona Marku

Për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë së Kosovës, saktësisht policisë së Kosovës, në Gjakovë u vranë nënë e bijë nga burri, respektivisht babai i tyre, Pjetër Ndrecaj.

Valbona Marku Nrecaj e kishte njoftuar Policinë për kërcënimet që kishte marrë nga bashkëshorti pak orë para se të ndodhte vrasja, e këta të fundit nuk i kishin konsideruar si shumë serioze ato kërcënime. Madje, policia nuk kishte dërguar as mbrojtje në shtëpinë ku po qëndronte Valbona me të bijat dhe kërcënuesin nuk kishin arritur ta gjenin.

Krejt kjo papërgjegjësi e institucioneve shtetërore, ka bërë që krerët e shtetit, përkatësisht ata që kanë në mbikëqyrje institucionet e drejtësisë, të mblidhen dhe të merren detajisht me rastin, në mënyrë që dikush të jap përgjegjësi.

Reagimet

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri vlerëson se papërgjegjësia, neglizhenca dhe mos zbatimi i detyrave nuk ka vend në asnjë institucion, veçmas atyre që kanë p?r mandat ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë  së jetës, pronës dhe të drejtave themelore të qytetarëve, dhe se çdo papërgjegjësi e tillë duhet të trajtohet seriozisht dhe të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.

“Nuk është e drejtë të gjykohet puna e palodhshme e Policisë së Kosovës në tërësi, por çdo rrethanë dhe çdo person zyrtar në rast injorimi të rrezikut të paralajmëruar duhet të mbahet përgjegjës. Policia e Kosovës ka nevojë për një hartë të parandalimit të krimit dhe një plan për të ditur saktësisht se sa kohë efektive i duhet për të qenë në vend të ngjarjes, kudo që shfaqet rreziku dhe kanosja ndaj jetës së qytetarëve të Kosovës kudo qofshin ata”, ka thënë Ministri Tahiri.

Kurse, Ministri i punëve të brendshme , Bejtush Gashi, për këtë rast tragjik ka kërkuar një raport të detajuar nga organet kompetente, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor në lidhje me procedurat e ndjekura për këtë rast.

“Ky rasti tragjik në Gjakovë tregon se Kosova ende përballet me plagën e dhunës në familje, si ministër i Punëve të Brendshme menjëherë kam kërkuar raport të detajuar nga organet kompetente Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës në lidhje me procedurat e ndjekura për këtë rast”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Islami: Institucionet janë të papërgjegjshme

Këtë vrasje e komenton për “Bota sot” njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i cili thotë se nuk është ky rasti i vetëm që për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve, ndodhin vrasjet dhe dhuna në familje.

Image
Avni Islami

“Nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur kështu. Kemi edhe shumë raste tjera të tjera që për shkak të neglizhencës së institucioneve të cilat do të duhej të parandalonin, qoftë dhunën, qoftë vrasjet si në rastin konkret për të cilin po flasim. E ndjera Valbona Ndrecja, e kishte lajmëruar në polici disa herë rastin, e më e keqja se prokurori në Gjakovë deklarohet publikisht që nuk e kemi marrë seriozisht rastin në fjalë”, thotë ai.

Islami mendon se duhet të arrestohet i gjithë zingjiri institucional, të cilët e lanë anash rastin në fjalë. Dënimi sipas Islamit, duhet të jetë mësim për të tjerët.

“Një herë e mirë dikush duhet të arrestohet dhe të jap përgjegjësi të plotë para gjithë qytetarëve, e dënimi duhet t’i jepet që të gjithë të marrin mësim nga ky rast. Madje, arrestimet duhet të bëhen në mënyrë zingjirore, që nga personi që e ka pranuar rastin, e deri te gjykata”, thekson Islami.

Ai shton tutje se kjo vrasje klasifikohet si vrasje e rëndë me paramendim sipas termave juridik,ndërsa thekson se assesi nuk mund të konsiderohet vrasje nën afekt.

“Vrasjet kur bëhen  në familje, ky ishte rast që ka ndodhur brenda një familje, dhe kësi soji kjo fokusohet dhe specifikohet si vrasje e rëndë, e kualifikuar edhe me termet juridike, për shkak se i dyshuari ose vrasësi në këtë rast është kryefamiljari. Pavarësisht se ishin të ndarë, ata konsideroheshin si familje, pasi që njëra ndër viktimat është edhe vajza e dorasit. Kësisoj, vrasja me armë zjarri e gruas dhe vajzës së vet, klasifikohet si vrasje e rëndë dhe me paramendim dhe assesi nuk mund të konsiderohet si vrasje në gjendje afekti”, shton tutje Islami për “Bota sot”.

Tërnava: Krerët e shtetit përkrahën armëmbajtjen pa leje

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, rastin e vrasjes së Valbona Makrut dhe vajzës së saj, e ndërlidhë me çështjen e armëmbajtjes pa leje.

Tërnava rikujton deklaratat e Kryeministrit se mbajtja e armës ëshë traditë.

Image
Hajrullah Tërnava

“Nëse duam një rezyme të përgjithshme për gjendjen e sigurisë në përgjithësi, atëherë do ta kemi të qartë edhe situatat në të cilat gjendemi tani, sa i përket kriminalitetit që po na ripërsëriten shumë shpesh, e në rend të parë sikur ky që na ndodhi me vrasjen e nënës me vajzën e saj, nga ana e bashkëshortit që e vrau gruan dhe vajzën e tij në Gjakovë. Kur po na ndodhin këto raste të vrasjeve të tilla, po e pyesim edhe vetën se si është e mundur këso vrasje të tilla dhe kaq të shpeshta. Me këso institucione me këta njerëz që janë të emëruar vetëm për të ju shërbyer të mëdhenjve të shtetit, në të gjitha institucionet që duhet ta luftojnë krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, vështirë do ta kemi që Kosova të pastrohet nga krimi. Po i harrojmë shumë veprime të turpshme të më të mëdhenjve të shtetit, kur jo fort moti thoshin se „mbajtja e armës është traditë e jona shqiptare dhe ajo përdoret në ahengje të ndryshme sikur shumë nga ta që ishin te incizuar dhe u panë si me radhë i përdoreshin ato armë të ndryshme. Në rastin tjetër „Kryeministri thoshte se duhet të dënohen ata njerëz që nuk bartin armë me veti, e jo ata që i bartin edhe pa leje nëse i kanë”, ka thënë Tërnava.

Ai shton tutje se duhen reforma në institucionet e drejtësisë, pasi kjo ndihmon jo vetëm në shmangjen  e rasteve të tilla, por edhe drejt rrugëtimit të Kosovës në BE.

“Vrasjet banale të familjarëve, apo edhe kërcënimet në familje duhen ta kenë një tretman ligjor dhe aty mos të ketë mëshirë dhe mos t’i lihet rastit apo traditës. Institucionet e Kosovës sikur gjygjesia, prokuroria, policia, me një fjale sistemi juridik duhet të bëjnë çmos, për ecjen në hapa me shtetet e BE, dhe ta luftojnë këtë dukuri të turpshme të shumë rasteve që na kanë ndodhur nga pas lufta e këndej, nëse duam me i plotësuar kriteret që si kusht na i ka kërkua BE e lidhur me veprat sikur i shpjegova më lartë. Ky sistem në këtë kohë të kësaj qeverisje ka dështuar qysh moti, e sidomos me fillimin e mandatit të kësaj qeverie, kur bash këta udhëheqës bënin veprime të turpshme me armë, sikur e shpjegova dhe i arsyetonin ato, prandaj nuk është për tu çuditur tani pse po na ndodhin kësi lloj vrasjesh në këtë kohë. Me këtë mënyrë të një qeverisje të tillë, kur fare nuk luftohet krimi në përgjithësi e sidomos krimi i organizuar, vështirë e kemi që të këndellemi dhe ta gjejmë rrugën drejt BE. Pa ndryshime dhe pa një reformim të madh në drejtësi e sidomos në gjyqësi, prokurori, polici vështirë e kemi ta zhdukim këtë dukuri të turpshme që po na ndodhin shpesh. Dhe jo rastësisht tani Kosova po përngjanë atë kohen e All Kapones në Itali që ka mbete si rrëfim për të keqe në histori kur duam me bërë krahasime”, përfundoi Tërnava.

Ndryshe, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Gjakovës janë deklaruar për rastin e vrasjes që ndodhi në fshatin Brekoc të Gjakovës, ku burri vrau gruan dhe vajzën e tij.

Në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur në Prishtinë,  Policia ka sqaruar se viktima e kishte lajmëruar rastin,  por nuk kishte pranuar mbrojtje apo strehim.

Në anën tjetër, këtyre ditëve janë mbajtur protesta kundër dhunës dhe vrasjeve të grave duke marr shkas nga rasti i vrasjes së Valbona Makrut dhe vajzës së saj.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test