Tri vjet nga vdekja e akademik Esat Stavilecit

Aktuale

Tri vjet nga vdekja e akademik Esat Stavilecit

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 07:23
Esat Stavileci

Para tri vitesh ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare Esat Stavileci, një nga profesorët më të nderuar të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës si dhe një nga akademikët më të respektuar në Kosovë dhe trojet shqiptare.

Studimet pasuniversitare i përfundoi në Fakultetin juridik të Universitetit të Zagrebit, ndërsa studimet e së drejtës së krahasuar në Fakultetin ndërkombëtar të Strasburgut në Francë, ku mori diplomën e studimeve të larta të së drejtës së krahasuar, pasi kishte ndjekur katër semestra universitare në fushën e së drejtës ndërkombëtare në Francë, Itali, Holandë dhe në Venezuelë.

Mbrojti me sukses doktoraturën në shkenca juridike në Fakultetin juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974.

Ka ushtruar funksione të rëndësishme shoqërore dhe shtetërore, brenda dhe jashtë fakultetit. Ishte prodekan i Fakultetit juridik, drejtor i Entit për Hulumtime juridike, kryeredaktor i revistës shkencore “Përparimi” , kryeredaktor i revistës “E drejta”, drejtor i studimeve pasuniversitare, shef i Katedrës së shkencave juridiko-politike, ndër themeluesit e “Vjetarit” të Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës, dhe të revistës së parë juridike në gjuhën angleze te ne.

Përveç se në Fakultetin juridik dhe në Fakultetin filozofik, dega e historisë, ligjëroi tema të veçanta edhe në Fakultetin juridik të Tiranës dhe Sofjes, ndërsa ishte angazhuar si profesor edhe në Universitetin e Tetovës.

Është laureat i Shpërblimit të dhjetorit të Kosovës për vitin 1978.  Ka botuar shumë artikuj, monografi dhe studime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat