Dardan Sejdiu fton opozitën t’ia ndalin ‘yryshin’ Thaçit

Aktuale

Dardan Sejdiu fton opozitën t’ia ndalin ‘yryshin’ Thaçit

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 11:41
Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu

Ka kaluar një javë që nga dërgimi i kërkesës me listën e nënshkrimeve nga ana e Partisë Socialdemokrate në adresë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, tha se përveç deputetëve të PSD-së asnjë deputet tjetër nuk ka dhënë nënshkrim për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme.

Sejdiu tregoi që kishte kontaktuar me deputetët e LDK-së dhe me ata të Vetëvendosjes, por që të dyja partitë i kishin thënë se tashmë i kanë bërë qëndrimet e tyre publike.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e konsideron këtë iniciativë joserioze, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Në seancë të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se opozita i ka 58 deputetë, do të siguroheshim që të miratohet një platformë që e mbron interesin e republikës, do të siguroheshim që përfaqësimi të jetë adekuat dhe i mandatuar nga Kuvendi dhe në anën tjetër ne do të ndalnim këtë “yryshin” e presidentit të konferencave qesharake. Do të legjitimonin vetëm personin që votohet nga Kuvendi.”, ka thënë Sejdiu.

Deputeti i PSD-së, i cilëson si të çuditshme qëndrimet e VV-së dhe LDK-së karshi presidentit Hashim Thaçi për udhëheqjen e dialogut.

Por, sipas Dardan Sejdiut kërkesa për mbajtjen e një seance të tillë, nuk do të ndalet nga PSD-ja deri në arritjen e saj.

“Është paksa e çuditshme që edhe LDK edhe Vetëvendosje nuk janë të interesuara që me ndal Hashim Thaçi dhe nuk janë të interesuara për me e pru një platformë opozitare karshi temave që janë në interesin publik. Ne do të vazhdojmë me kërkesën tonë për seancë derisa të thirret një seancë. Ne mendojmë që çdo ditë e humbur në këtë drejtim është humbje e pozicionit tonë si Kosovë, sa i përket dialogut. Mendoj që kjo logjika ‘prej inatit të rejës më vdektë djali’ nuk ka asnjë lloj kuptimi në këso lloj sfidash nacionale.”, përfundoi ai për kallxo.

Partia Socialdemokrate, me 7 gusht u kishte dërguar kërkesë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë.

Gjithashtu, rezoluta e kësaj partie për dialogun nuk ishte miratuar në seancën e fundit të Kuvendit për këtë sesion, për shkak të mungesës së kuorumit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat