Secili qytetar mund të shohë ‘online’ kontratat e komunës së Prishtinës - Bota Sot
Secili qytetar mund të shohë ‘online’ kontratat e komunës së Prishtinës

Aktuale

E mërkurë, 19 shtator 2018

Secili qytetar mund të shohë ‘online’ kontratat e komunës së Prishtinës

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 13:20
Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës prej sot ka hapur platformën e re digjitale përmes së cilës ofron ‘online’ për qytetarët e saj të gjitha kontratat e veta. Derisa u bë e ditur se në shtator të këtij viti Prishtina do të jetë pjesë e garave ndërkombëtare për kryeqytetin më transparent në Evropë.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti tha se me platformën e re "Open Data" kanë vendosur një standard të ri të transparencës duke ofruar “Kontrata të hapura”.

Në këtë mënyrë, Ahmeti tha se po synojnë të japin gjithashtu një shembull të mirë të transparencës në Republikën e Kosovës dhe për regjionin.

Ahmeti: Secili qytetar mund të shohë ‘online’ kontratat e komunës së Prishtinës

“Prej një kërkese për menaxhim, kjo u zhvillua në një softuer. Një pjesë të këtij softueri tash e publikojmë për qytetarët. Në qoftë se po i mbledhim informatat për menaxhim, atëherë pse të mos e bëjmë publike këtë edhe për qytetarët dhe tash e kemi një softuer në të cilin secili qytetar mund të hyjë dhe ta shoh secilën kontratë të komunës së Prishtinës, ta sheh se sa ditë duhet të zhvillohet secila kontratë”, tha Ahmeti.

Ahmeti shpreson që edhe Qeveria të fillojë të publikojë kontratat, pasi që sipas tij nuk është e arsyeshme që të mbahen të fshehta.

Zëvendësshefi i zyrës së UNICEF-it, James Mugaju, u shpreh i lumtur me këtë iniciativë të komunës së Prishtinës, e cila sipas tij është një hap shumë i rëndësishëm për transparencën.

Mugaju: Qasja në informata hap i rëndësishëm i transparencës

“Qasja në informata është një hap i rëndësishëm që dëshmon transparencën dhe përgjegjësinë. Ajo që ju po e bëni është vetëm fillimi. Nëse ju vazhdoni kështu, kryeqyteti Prishtina, do të jetë pjesë e qyteteve të mençura”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi bëri të ditur se platforma përmban dy module, atë menaxherial, të cilin nuk e sheh publiku dhe atë të publikut, që është shumë i kapshëm për qytetarët.

Nushi: Shpresoj që edhe komunat e tjera do ta marrin këtë platformë

“Tash po vazhdojmë me një platformë të jashtëzakonshme për një kryeqytet sepse tash ne jemi kryeqytet dhe nuk mund të trajtohemi si komunë, e kemi statusin e tij. Shpresoj që edhe komunat tjera ta marrin këtë platformë. Tash iu njoftoj se kryeqyteti i Prishtinës do të jetë garues në gara ndërkombëtare për kryeqytetin më transparent në Evropë, garë e cila mbahet në Sllovaki. Kështu që gjatë muajit shtator e marrim vesh se sa jemi transparent dhe ku kemi mbërri me nivel të transparencës”, u shpreh Nushi.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës është ndër organizatat më të mëdha buxhetore në Republikën e Kosovës, e cila arrin shifrën vjetore prej 30 milionë euro në kontrata të ndryshme, andaj publikimi i tyre vendosë një standard të transparencës duke qenë shembull edhe për të tjerët që të publikojnë ato në mënyrë që të pamundësojnë fshehjen prapa legjislacionit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test