Ambasada amerikane deklarohet për “korrigjimin e kufijve”, ky është qëndrimi i SHBA-së

Aktuale

Ambasada amerikane deklarohet për “korrigjimin e kufijve”, ky është qëndrimi i SHBA-së

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 gusht 2018 Në ora: 16:00
Ambasadori amerikan Greg Delawie

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të vazhdojnë ta mbështesin dialogun Kosovë-Serbi dhe se përmbajtja e çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve duhet të vijë nga vetë palët. Kështu ka deklaruar Ambasada Amerikane, në një përgjigje ekskluzive për gazetën “Bota sot” lidhur me mundësinë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

Sipas Ambasadës Amerikane, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe që nuk krijon jostabilitet.

“Përmbajtja e çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe BE-në si lehtësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe që nuk krijon jostabilitet në cilindo shtet apo në rajon. Kjo do të kërkojë vizion dhe fleksibilitet në të dy anët”, ka thënë Ambasada Amerikane.

Tutje, në këtë përgjigje të Ambasadës Amerikane thuhet se në këtë pikë nuk duan të hyjnë në një debat publik rreth elementeve hipotetike të një zgjidhjeje që mund të dalë nga negociata.

“Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë mbi procesin, që të pakësojnë retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive. Në këtë pikë ne nuk duam të hyjmë në një debat publik rreth elementeve hipotetike të një zgjidhjeje që mund të dalë nga negociata”, ka thënë sot Ambasada e SHBA-së për gazetën “Bota sot”.

Krejt në fund, në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së, potencohet se do të vështrojnë shumë seriozisht atë për të cilën palët bien dakord, ndërsa theksohet se kjo nuk nënkupton liri të pakufishme të veprimit, për aq sa kanë shqetësime për elementet specifike të cilësdo marrëveshjeje të propozuar.

“Ne do të vështrojmë shumë seriozisht dhe me shumë kujdes atë për të cilën palët bien dakord. Kjo nuk nënkupton liri të pakufishme të veprimit. Për aq sa kemi shqetësime për elementet specifike të cilësdo marrëveshjeje të propozuar, ne do të jemi të qartë me palët lidhur me këto”, theksohet në fund të përgjigjes nga Ambasada Amerikane për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat