Vllasi: Tri temat që Kosova duhet t’ia thotë Serbisë në dialog

Aktuale

Vllasi: Tri temat që Kosova duhet t’ia thotë Serbisë në dialog

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 20:30
Azem Vllasi

Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi thotë se sa i përket fazës finale të dialogut është krijuar një mjegull dhe rrugë qorre, e që si rezultat i kësaj nuk duket fundi i arritjeve të marrëveshjeve finale.

“Prej zhvillime të fundit dhe topave që po hidhen për temën e dialogut, nuk po shihet fare që është faza finale. Përkundrazi është lindur një mjegull dhe një rrugë qorre. Në vend që të shkojë ka finalja dhe të definohet çështja për përmbajtjen e marrëveshjes finale, ka lindur krejtësisht një rrugë qorre që unë absolutisht nuk e shoh këtë çështje se është nga finalja. Është krejtësisht një mjegull sepse t’i bashkëngjitet Lugina e Preshevës Kosovës kjo do të thotë se ai duhet të jetë kufiri i ri me Serbinë.”, ka thënë Vllasi.

Sipas tij, për dialogun duhet të ketë konsensus të brendshëm në lidhje me Serbinë, dhe disa tema asesi të mos shtrohen në tavolinën e bisedimeve.

“Këtu janë tri tema që duhet t’iu bëhen me dije: E para: Nuk ka biseda për statusin e Kosovës se Kosova është shtet dhe kjo është definitive, e dyta, nuk ka biseda për kufi dhe territor sepse Kosova si shtet është shpall me këtë territor dhe brenda këtyre kufijve që i ka, e treta: Nuk duhet të bisedohet me Serbinë për strukturën e brendshme Kushtetuese të Kosovës, sepse secili shtet vetëvendosë për Kushtetutën e vet dhe ajo çështje nuk negociohet me shtetet tjera, a ta emëroj Kushtetutën e vet a jo dhe kjo do të thotë për këtë çështje nuk duhet të ketë biseda. E katërta: nuk ka biseda me Serbinë për resurset e brendshme të Kosovës, sic janë Trepça, Ujmani, Brezovicaetj, sepse ato janë resurse të brendshme të Kosovës që kanë qenë që nga koha e autonomisë së Jugosllavisë e këndej.”, vlerësoi Vllasi.

Vllasi konsideron se Lugina e Preshevës dhe pozita e shqiptarëve në Serbi është dashur të shtrohet në fillim të dialogut në aspektin e mbrojtjes të të drejtave qytetare dhe etnike të shqiptarëve.

Çdo temë e re për kufijtë, sipas tij do të rezultonte me konflikt ose luftë të re.

“Në bazë të reciprocitetit, në kuptim që çka ju jep Kosova dhe ju garanton Kosova si shtet serbëve të Kosovës aq duhet shteti i Serbisë t’iu ofrojë dhe garantojë shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo duhet të ishte, që në këtë raport të shtrohet Lugina e Preshevës dhe shqiptarët që jetojnë atje dhe jo në aspektin territorial. Sepse në aspektin territorial dhe të kufijve kurdo që ta hapim këtë çështje me Serbinë kjo sjellë deri të konflikti i ri, deri te lufta e re dhe na largon krejtësisht nga marrëveshja finale që po përmendet.”

Më e drejtë sipas tij, është të bisedohet për normalizimin e marrëdhënieve politike dhe marrëdhënieve tregtare si me shtetet tjera fqinje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat