A do t’i bashkohet opozita demonstratave të VV-së? – plani i LDK-së për rrëzimin e Thaçit

Aktuale

A do t’i bashkohet opozita demonstratave të VV-së? – plani i LDK-së për rrëzimin e Thaçit

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 16:26
Opozitën e Kosovës mund t’i bashkojë insistimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të dialoguar me Serbinë në fazën finale

LDK është duke kërkuar që përmes Gjykatës Kushtetuese ta ndalë presidentin e vendit Hashim Thaçin nga dialogu me Serbinë. Por, rrugë tjetër për ndaljen e Thaçit është duke kërkuar edhe Vetëvendosje. Kjo e fundit po e kërkon një gjë të tillë përmes demonstratave. Opozita nuk ka vendosur ende nëse do t’i bashkohet demonstratave kundër Thaçit, megjithatë Vjosa Osmani do të pranonte të bashkohej me demonstratat e VV-së me kushtin e vetëm; të jetë protestë paqësore.

Opozitën e Kosovës mund t’i bashkojë insistimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të dialoguar me Serbinë në fazën finale. Ai vazhdon ta shohë veten si të pakonkurrent për ta përfaqësuar Kosovën në dialogun me Serbinë, fazë kjo ku mund të ndodhë edhe shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kundër Thaçit janë bashkë e gjithë opozita e Kosovës, madje edhe një parti në pushtet që nuk dëshiron ta shohë Thaçin në një tavolinë me Aleksandër Vuçiqin teksa diskutojnë për çështje të rëndësishme për vendin; siç është korrigjimi i kufijve mes dy vendeve.

Për ta ndalur presidentin e vendit, Hashim Thaçin, po shikohet edhe mundësia e shkarkimit të tij me anë të Gjykatës Kushtetuese. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është duke shqyrtuar mundësinë që përmes Kushtetueses ta shkarkojë Thaçin. Ndërkaq Vetëvendosje për të arritur tek qëllimi i saj paralajmëron edhe demonstrata.

Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, ka thënë se subjekti politik ku ajo bën pjesë është duke i marrë një sërë masash për ta ndalur Thaçin. Thotë se Thaçi mund të ndalet nga Gjykata Kushtetuese, duke u shkarkuar nga posti i presidentit për shkak të tejkalimit të kompetencave të tij.

“LDK tashmë është duke ndërmarrë një sërë masash për t’a parandaluar përfaqësimin në dialog nga Hashim Thaçi. Ky përfaqësim është bërë dhunshëm dhe njëanshëm, pa u kandiduar nga Kuvendi i Kosovës, si i vetmi organ që mund ta bëjë një gjë të tillë, dhe për më tepër presidenti i ka tejkaluar edhe kompetencat e tij kushtetuese, por edhe ka dalë jashtëkushtetues me temat që po i hap”.

“Me vetë faktin që LDK politikisht e ka kundërshtuar, ka ndërmarrë të gjitha masat për të bindur edhe akterët e tjerë politikë, por në veçanti miqtë ndërkombëtarë se përfaqësimi nga Thaçi nuk është në interes të Kosovës, tregon se tashmë janë duke u ndërmarrë një sërë masash”.

“Kurse sa i përket masave të tjera, kryesia e LDK-së ka paralajmëruar dhe është duke e shqyrtuar mundësinë për inicimin e shkarkimit të mundshëm të presidentit përmes Gjykatës Kushtetuese, sepse në Gjykatë Kushtetuese, nëse fillohet rasti për shkelje serioze, në fakt kualifikohet si procedurë nëpërmjet të cilës iniciohet procedura e shkarkimit. Sa i përket masave të tjera, LDK do të ndërmarrë të gjitha hapat e tjerë që lejohen me kushtetutë si masa demokratike të kundërshtimit politik”, ka deklaruar Osmani.

Për ta ndalur Thaçin në dialogun me Serbinë, Partia Socialdemokrate (PSD) kishte kërkuar nga partitë e Kuvendit të Kosovës që të ndërprejnë pushimin vjetor. Driton Çaushi nga ky subjekt politik thotë për Insajderin se PSD-ja ka iniciuar një rezolutë ku dialogu do të mbikëqyrej nga opozita.

“Thaçi nuk ka legjitimitet për ta drejtuar dialogun pa mbështetjen e shumicës së kualifikuar të Kuvendit. Kuvendi i Kosovës nuk guxon të anashkalohet në çfarëdo faze të re të dialogut me Serbi. Është tepër fatkeq fakti që përkundër insistimit të Grupit Parlamentar të PSD-së për ndërprerje të pushimit të Kuvendit dhe kthimit të vendimmarrjes në institucionin që i takon, asnjë nga subjektet e tjera politike nuk patën gatishmërinë për një gjë të tillë. Kjo përbën një papërgjegjësi të madhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“PSD ka propozuar një rezolutë e cila do të kornizonte platformën e bisedimeve të ardhshme, ekipin negociator dhe udhëheqësin e këtij ekipi, si dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të këtij procesi nga opozita parlamentare. Të gjitha këto do të duhej të merrnin besimin e 2/3 të deputetëve. Jemi të hapur për propozime të tjera për një rezolutë të tillë. Kjo është rruga për ta siguruar mbarëvajtjen dhe legjitimitetin e dialogut, por edhe për udhëheqjen e duhur të tij”, ka deklaruar Çaushi për Insjderin.

A do të bashkohet opozita në demonstrata kundër Thaçit?

Për ta ndalur Hashim Thaçin nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka paralajmëruar se në vjeshtë mund të ketë përsëri demonstrata. Të dy partitë e tjera opozitare, PSD dhe LDK, nuk e mohojnë faktin se mund t’i bashkohen kësaj demonstrate, ani pse për këtë çështje nuk kanë diskutuar ende.

“…Tanimë s’ka pse njeriu flet më për ta a me ta. Kjo koniunkturë politike me këtë keqtrajtim që po ia bën interesave jetike të Kosovës po ia imponon sërish qytetarëve të ngrihen në demonstrata në këtë vjeshtë, në mënyrë që të mos humbet në dimër edhe ky gjysëm shteti që ka mbetur”, kishte deklaruar Albin Kurti disa ditë më parë.

Për LDK-në, tema e demonstratave të paralajmëruara nga Vetëvendosje nuk është diskutuar ende nga organet e partisë, ashtu siç nuk është diskutuar as nga partia e Shpend Ahmetit.

Vjosa Osmani thotë se në organet e LDK-së nuk është diskutuar asnjëherë kjo çështje. Por mendimi i saj si deputete është pro bashkimit të protestave të organizuara nga VV, me kushtin e vetëm që ato të jenë paqësore.

“Në emër të LDK-së nuk mund të flas për shkak se nuk është diskutuar në organe, por normalisht ky opsion diskutohet në kryesi, në grup parlamentar dhe vetëm kur të diskutohet mund të ketë një qëndrim përfundimtar rreth kësaj. Por, personalisht si deputete mund të them se protestat paqësore janë një ndër mjetet e kundërshtimit politik, kështu që në momentet kur një përfaqësues politik siç është presidenti nuk merr parasysh qëndrimet e shumicës dërmuese të spektrit politik në vend, nuk merr parasysh kushtetutën e vendit, atëherë natyrisht që edhe qytetarët duhet ta thonë fjalën e tyre, qoftë përmes zgjedhjeve, qoftë në mënyrat e tjera të shprehjes së pakënaqësive të tyre. Por gjithnjë ato protesta duhet të jenë paqësore që të merren seriozisht”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, as PSD-ja nuk e ka të qartë ende nëse do t’i bashkohet demonstratave të VV-së. Megjithatë, Driton Çaushi nuk është i bindur se protestat do të jenë të mjaftueshme për ta ndalur Thaçin.

“Partia Socialdemokrate angazhohet dhe promovon të drejtën e protestës si formë të veprimit politik. Nuk kemi ende ndonjë informatë për mbajtjen eventuale të ndonjë proteste nga ana e VV. Do ta shqyrtojmë pjesëmarrjen ose jo në momentin që do të zyrtarizohej. Por jo çdo protestë ka motivet dhe qëllimet e njëjta. Por, është paradoksale se si injorohet fakti se opozita ka së bashku 58 deputetë dhe kemi qeverisje të pakicës”.

“Besoj se të gjitha partitë opozitare nuk e duan Thaçin për kryenegociator. Por çështja është te metoda më e mirë për ta pamundësuar drejtimin e dialogut nga Thaçi. PSD beson se kjo është më shumë se kurrë e mundshme në Kuvend, duke e marrë parasysh konstelacionin e forcave politike të përfaqësuara në Kuvend. Druaj se protestat nuk do të mjaftojnë dhe nuk do ta kenë ndonjë efekt konkret institucional që do ta pamundësonte Thaçin për ta drejtuar dialogun, por do të ishin më shumë në funksion të krijimit të përshtypjes së kundërshtimit të Thaçit, përderisa ai do të vazhdonte ta drejtonte atë. PSD angazhohet për ta ndalur Thaçin para se të shkojë në dialog. Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se nuk mjafton vetëm kritika përderisa dialogohet dhe pasi të firmoset marrëveshja me Serbinë”, ka deklaruar Çaushi.

Kujtojmë që përveç partive opozitare të Kuvendit të Kosovës, kundër përfaqësimit të Kosovës nga Thaçi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është deklaruar edhe Nisma Socialdemokrate. Insajderi ka kërkuar të marrë përgjigje nga kjo parti për masat që do t’i ndërmarrin për ta ndalur presidentin, por nuk është deklaruar askush për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat